Haradinaj: Vuçiç dëshiron të rrëzojë qeverinë time për të ndarë Kosovën

392
Sigal

Ideja e presidentit të Kosovës Hashim  Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë ka shkaktuar qartazi një përplasje mes tij dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky i fundit në një intervistë për RTK2 në gjuhën serbe thotë se e gjitha kjo është një lojë e ndyrë dhe sipas tij dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka shkuar në drejtim të gabuar.

Haradinaj: Tash po flitet për gjithçka, kurse ne e dimë se askush nuk është i lumtur me këta kufij në Ballkan. Secili vend në Ballkan do të ndryshonte diçka. Hapja e çështjes së kufijve do të hapte të kaluarën, gjë që nuk është në rregull dhe unë jam njëri nga ata që e kam përjetuar këtë, si edhe familja ime, prandaj kurrë nuk do të doja që këtë ta përjetojnë as shqiptarë, as serbët dhe askush tjetër. Nuk i kuptoj lojërat rreth kësaj. Kjo është një lojë e ndytë nga kushdo që është i implikuar në të.

Shefi i qeverisë së Kosovës thotë se prekja e kufijve do të sillte destabilitet në Ballkan dhe në këtë drejtim si palë të interesuar sheh vetëm Rusinë.

Haradinaj: Të gjithë ata që janë seriozë dhe mendojnë për stabilitetin e Ballkanit nuk do të hynin në një lojë të tillë të ndytë, sepse e dinë çka do të thotë kjo. Stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për Amerikën dhe Evropën, e vetmja ndoshta Rusia do të ishte e interesuar për ndonjë kaos, por kjo nuk do të ishte mirë për askënd. Veçmas jo për neve që jetojmë këtu.

Duke folur për raportet e tij me partnerin e koalicionit, Listën Serbe, Haradinaj  thotë se në prishjen e raporteve mes tyre janë disa çështje që nuk kanë qene pjesë e marrëveshjes mes tyre dhe që kanë të bëjnë me politikën rajonale, e cila udhëhiqet në Prishtinë dhe Beograd dhe më tutje.

Haradinaj: Sikur të varej gjithçka vetëm nga ne, unë do të respektoja atë për të cilën jemi marrë vesh, unë nuk kam shkelur asgjë.Mendoj se fati i tyre [Listës Serbe] është në duart e Vuçiç, i cili nga ai kërkon sesi të veprojnë. Besoj se Beogradi do ta sakrifikonte Listën Serbe dhe liderët serbë në lojën rreth ndarjes. Presidenti Vuçiç do të donte ta rrëzojë qeverinë time, sepse nuk po e përkrahi ndarjen. Kjo do të thotë se ndoshta disa do të kishte partnerë në Kosovë, por nuk besoj se ky është qëndrim i Listës Serbe, sepse nuk janë të gjithë [serbët] nga veriu, disa janë edhe nga pjesa qendrore e Kosovës.