Haradinaj nga Haga më vitin 2006 tek arrestimi në Francë

Figura e Haradinajt nuk është thjesht personi, por është ushtria e Kosovës, është populli i këtij trualli që u përballë me gjenocidin e makinerisë ushtarake serbe

Nga libri “Haradinaj dhe Haga” në vitin 2006 e deri tek arrestimi i tij në Francë, një vijë qëndrimi nga Ilir Meta, Ismail Kadare e Abdi Baleta

NOA

Franca e liroi “me kusht” Ramush Haradinajn, duke dhënë gjysmë prove, se ka reaguar dhe ka kuptuar, që ka cenuar rëndë dinjitetin e luftës së drejt çlirimtare të popullit të Kosovës, e të UÇK, ka fyer publikisht gjakun e derdhur në këtë luftë dhe heronjtë e gjallë të kësaj lufte historike për fatet e lirisë së Kosovës! Figura e Haradinajt, nuk është thjeshtë personi Ramush, siç e ka cilësuar Kryeparlamentari Shqiptar Ilir Meta, por është ushtria e Kosovës është populli i këtij trualli, që u përballë me makinerinë ushtarake gjakatare serbe e cila ushtroi mbi të, një gjenocid masiv e të paprecedent në historinë e pas luftës së dytë botërore! Arrestimi në Francë është e treta prangosje e tij për llogari të akuzave false të Serbisë! Por në mbështetje të Ramush Haradinajt dhe në protesta kundër aktit absurd të shtetit Francez, u ngritën shqiptarët në gjithë botës, reaguan mediat, shtetarët, të rinjtë dhe intelektualë në Shqipëri, në Kosovë e në të gjithë trevat dhe komunitetet shqiptare deri në SHBA e Australi, duke mbështetur Ramush Haradinajn me thirrjen për ta liruar! Në këtë akt proteste u përfshi edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta i cili shkoi personalisht në Prishtinë, ku bëri takime në familjen Haradinaj, me shtetarë e politikanë të lartë të Kosovës e po kështu edhe në selinë e AAK, partisë që drejtohet nga Z. Haradinaj. Këto qëndrime, Ilir Meta dhe personalitete të tjerë shqiptarë, i kanë mbajtur edhe 12 vite më parë, kur Ramush Haradinaj u prangos dhe u çua në gjyqin e Hagës me akuzua të sajuara prej klikës serbe! Sot, po publikojmë qëndrimet ndaj ish-Gjyqit të Hagës kundër Ramush Haradinajt 12 vite më parë, publikuar në një libër të posaçëm me titull “Haradinaj dhe Haga”, botuar në vitin 2016…

Ilir Meta, më 9 mars 2005: “Haradinaj, u soll si një burrë shteti”

Kryetari I Lëvizjes Socialiste për integrim Ilir Meta ka shprehur mbështetjen e tij, ndaj veprimit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Meta e ka cilësuar dorëheqjen e Kryeministrit të Kosovës si një veprim të përgjegjshëm. Në një deklaratë të dhënë dje për mediat thuhet se “kryetari I LSI së , Ilir Meta, pasi u njoh me dorëheqjen dhe me gatishmërinë e Haradinaj për t’u paraqitur vullnetarisht në Hagë shpreh vlerësimin e tij për këtë akt të përgjegjshëm”.
9mars 2005

Ilir Meta, më 8 janar 2017: Haradinaj, simbol i Lirisë, Franca ka gabuar

“Arrestimi i Haradinajt ishte akt befasues dhe shokues. Ramush Haradinaj së shpejti do të kthehet në Kosovë. Kjo çështje do të marrë fund shumë shpejt, pasi Ramush Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, por i Kosovës dhe si i tillë është simbol i qytetarëve shqiptarë në të gjithë botën. Haradinaj është një krenari për të gjithë Shqiptarët dhe për faktin se ai është përballur me kurajë dhe dinjitet edhe përballë drejtësisë ndërkombëtare. Duam që këtij rasti t’i jepet fund pasi kemi të bëjmë me një simbol të sakrificës shqiptare”.

Ismail Kadare, më 9 mars 2005: Gjyqi ndaj Hardinajt, qëndrim i pamatur që cenon nderin e Kosovës

“Kjo do të dëmtojë seriozisht lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Asnjë veprim i pamatur që ndikon në nderin e Kosovës nuk mund të justifikohet pavarësisht motiveve. Ky rast tregoi se Kosova është një komb që meriton të jetë pjesë e familjes evropiane. “Megjithëse i pakëndshëm, ky rast është një mundësi për popullin kosovar për të treguar maturi, gjakftohtësi dhe ndërgjegje të lartë demokratike”. Ai shtoi, se dorëheqja e Haradinaj dhe paraqitja e tij vullnetare para Gjykatës së Hagës janë shembuj të civilizimit që nderojnë atë dhe qeverinë që ai drejton. Edhe Tirana zyrtare lavdëroi aktin e Haradinajt. Duke e konsideruar gjestin e tij si të përgjegjshëm, të matur dhe transparent, “qeveria shqiptare shprehu bindjen e saj se klasa politike shqiptare ashtu si i gjithë populli kosovar, do të provojnë edhe një herë para botës nëpërmjet qëndrimeve të tyre të matura, se ata janë për një shoqëri të hapur që respekton parimet dhe standardet multi-etnike, demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”.