“Tashmë, ne po marrim shumë më shumë rezervime sesa më parë, veçanërisht për shkak të një njeriu me mbiemrin Trump. Ai vërtet e ka vendosur Groenlandën në krye të destinacioneve më të kërkuara,” tha Knudssen-Ostermann, drejtues i “Greenland Cruises”.
Groenlanda u bë fokusi i vëmendjes ndërkombëtare në janar kur Donald Trump mbërriti në aeroportin e ri të Nuuk. Që atëherë, presidenti Trump, ka shtuar komentet mbi rëndësinë strategjike të ishullit për SHBA-në, veçanërisht për burimet e mineraleve të rralla.
Autoritetet lokale shpresojnë se aeroportet e reja do të forcojnë turizmin dhe industrinë minerare, duke ndihmuar diversifikimin e ekonomisë që aktualisht varet kryesisht nga peshkimi. Akullnajat, fjordet dhe jeta e pasur detare janë ndër atraksionet kryesore, ndërsa trashëgimia Inuit po tërheq gjithashtu gjithnjë e më shumë vizitorë.
Hapja e aeroportit të Nuuk në nëntor ka lehtësuar ndjeshëm udhëtimet, dhe në qershor, “United Airlines” do të nisë fluturimet direkte nga Nju Jorku në Nuuk. Kjo do të zëvendësojë itinerarin e mëparshëm që kërkonte ndalesa në Kopenhagë dhe tranzit në ish-bazën ushtarake amerikane, Kangerlussuaq.




















