Gratë bjelloruse u bashkohen protestave pas arrestimit të dhjetëra studentëve, sfidojnë policinë

253
Sigal

Qindra gra i janë bashkuar protestave paqësore në qendër të Minskut, pasi më parë forcat e sigurisë arrestuan dhjetëra studentë universitarë të cilët iu përgjigjen një thirrjeje nga opozita e Bjellorusisë për një grevë mbarëkombëtare në ditën e parë të vitit shkollor.

Siç raportojnë mediat e huaja, disa qindra gra u mblodhën pranë Rrugës së Pavarësisë në kryeqytetin Minsk.

Ato janë shprehur kundër sundimit të presidentit, Alyaksandr Lukashenka, ndërsa kanë formuar dhe kordonë përballë policisë, për të ndaluar arrestimin e meshkujve në protestë.

Më 1 shtator, studentët që mbanin flamuj të opozitës u mblodhën para universiteteve dhe u dyndën më pas në qendër të Minskut.

“1 Shtatori është një ditë e dijes. Bashkohuni në këtë grevë njëditore, mbështesni punëtorët dhe tregojini qeverisë kush është burimi i vërtetë i pushtetit”, tha në një deklaratë ekipi i udhëheqëses së opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Të paktën 55 persona u arrestuan ndërsa policia shpërndau protestuesit në disa vende, sipas grupit të të drejtave të njeriut Vyasna.

Një video e postuar në mediat sociale tregoi policinë të veshur me të zeza duke i tërhequr me forcë studentët.

Vala e zemërimit në Bjellorusi është ngjallur qëkur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, me 10.12 për qind.