Gjyqi më i madh anti-mafia në Itali/ Mafiozët e “Ndragheta”-s do të vuajnë dekada të tëra në burg

159
Sigal

Drejtësia italiane i dha dje një goditje “Ndranghetas”, organizatës më të fuqishme të mafisë në Itali, duke dënuar 70 anëtarë të saj dhe të tjerë që kishin lidhje me të në gjyqin më të madh antimafia që nga fundi i vitit 1980.

Gjykatësi, Claudio Paris, lexoi vendimet e 91 të pandehurve në sallën e madhe të gjyqit të qytetit Lamezza Terme në Kalabrinë ( Italia e Jugut ), që po zhvillohet që nga janari i këtij viti.

Pritet të gjykohen edhe 355 të pandehur të tjerë, pasi procesi i gjykimit do të vazhdojë dhe për dy vite.

Prokurori i famshëm antimafia, Nicola Grateri, përpjekjet e të cilit për të mposhtur Ndranghetën e kanë detyruar të jetojë nën mbrojtjen e policisë për më shumë se 30 vjet tha se gjithçka shkoi mirë.

“Nga 91 të akuzuarit, 70 janë dënuar”, tha ai për agjencinë italiane të lajmeve “AdnKronos”, duke shtuar se të liruarit ishin të mitur.

Disa u dënuan me maksimum 20 vjet burg nga prokurorët.

Grupi kriminal “Ndrangheta” me qendër në Kalabri, rajonin më të varfër të Italisë kontrollon pjesën më të madhe të kokainës që hyn në Evropë.

Ky rrjet trafikantësh prej150 familjesh ka të paktën 6000 anëtarë dhe bashkëpunëtorë në Kalabri, ndërsa mijëra të tjerë e mbështesin në mbarë botën, sipas ekspertëve.

Të pandehurit, të cilët u dënuan dje, u akuzuan për përfshirje në organizatë mafioze, tentativë vrasje, pastrim parash, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.

Ky gjyq i madh po zhvillohet në një sallë gjykate të madhe, e aftë për të akomoduar qindra avokatë që mbrojnë klientët e tyre dhe më shumë se 900 dëshmitarë të prokurorisë dhe 58 dëshmitarë të mbrojtjes.