‘Gjermania refuzoi Nord Stream 2’/ Rritet sërish çmimi i gazit në Evropë

176
Sigal

Çmimet e gazit janë rritur për tetë përqind më 17 nëntor, pasi Gjermania ka shtyrë miratimin e gazsjellësit kontrovers të Rusisë, Rjedha Veriore 2.

Më 16 nëntor, Gjermania ka bërë të ditur se ka pezulluar procesin e miratimit, sepse konsorciumi me bazë në Zvicër, i cili qëndron mbrapa projektit të gazsjellësit, duhet të krijojë një degë në Gjermani, në mënyrë që të fitojë licencën.

Ky vendim ka shuar shpresat se gazsjellësi do të mund të jetë funksional në muajt në vijim dhe që do të mund të lehtësojë krizën me energji në Evropë, të shkaktuar nga disa faktorë, përfshirë prodhimin më të vogël sesa është pritur.

Rritja e kërkesës, pas rihapjes së ekonomive, është po ashtu shkak për këtë rritje çmimesh.

Rusia është akuzuar për bllokim të furnizimeve shtesë të gazit natyror në Evropë – përmes gazjellësit ekzistues që kalon Ukrainën – në mënyrë që t’i bëjë presion Bashkimit Evropian për të miratuar më shpejt projektin, Rrjedha Veriore 2.

Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kundërshtojnë projektin Rrjedha Veriore 2, duke thënë se rrezikon sigurinë energjetike në Evropë.

Ky gazsjellës do ta privojë edhe Ukrainën nga tarifat e transitit.

Një burim i paidentifikuar gjerman, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se projekti i gazsjellësit nuk do të miratohet deri në muajin mars, kur kërkesa për gaz natyror të nisë të ulet me ardhjen e pranverës.

Rritja e çmimeve të gazit është duke shkaktuar inflacion në Evropë ashtu sikurse panik për ndërprerje të energjisë elektrike.