Gjermania e Franca propozojnë strategji të re: Të ftojmë Putinin në një samit BE-Rusi

230
Sigal

Gjermania dhe Franca kërkojnë që Bashkimi Europian të ndryshojë strategji në marrëdhëniet me Rusinë, duke e konsideruar Moskën më shumë si partner se si armike.

Reuters thotë se strategjia e re ka mbështetjen si nga Angela Merkel, ashtu edhe nga Emanuel Makron. Merkel ka propozuar para se të zhvillohej takimi mes Putinit dhe Bidenit në Gjenevë, që Bashkimi Europian të thërrasë në një samit Presidentin Putin dhe ideja e saj është mbështetur nga Makron.

Në frymën e këtyre qëndrimeve, ka disa raportime që thonë se ka pasur një presion të shtuar nga Gjermania dhe Franca në takimin e së mërkurës të Ministrave të Jashtëm të BE-së për të mbështetur strategjinë e re të marrëdhënieve me Rusinë.

Këto zhvillime duket se kanë çuan në Berlin presidentin francez, Makron, kryeministrin italian, Mario Draghi dhe më pas Sekretarin e Shtetit të SHBA, Antony Blinken.

Gjermania mendon se përsa kohë mund të mbahen samite mes Rusisë dhe SHBA, duke iu referuar takimit të Gjenevës mes Bidenit dhe Putinit, s’ka pse të mos mbahet edhe një i ngjashëm mes Bashkimit Europian dhe Rusisë.

Vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka një komunikim të shpeshtë me Presidentin rus dhe vetëm javën e kaluar bisedoi me të në telefon. Berlini i sheh raportet me Rusinë si jetike për të realizuar North Stream 2, që nga SHBA cilësohet si kërcënim për sigurinë energjitike të Europës.

Pavarësisht qëndrimit të SHBA, Gjermania kërkon që ta përfundojë këtë projekt, ndërsa së fundmi po synon që formati i takimeve dhe komunikimit me Putin të ngrihet në një nivel më të lartë; atë me BE-në.