Gjermania, 7 të vërtetat e emigrimit dhe punësimit

668
Ministria e Jashtme Federale hap një faqe të posaçme interneti për emigrantët. Çfarë ndodh me vendin e punës, strehimin, pagesat dhe kërkesat për azil
Gjermania vazhdon të mbetet shteti më i kërkuar në Evropë për të emigruar dhe numri i kërkesave për të punuar e jetuar mbetet shumë i lartë. Edhe për shqiptarët, Gjermania vazhdon të shërbejë si destinacioni kryesor i viteve të fundit, ndërsa një numër profesionesh janë edhe më të preferuar. Por krahas kërkesave të shumta, Gjermania po përballet edhe me një masë të madhe abuzimesh lidhur me emigracionin. Për këtë arsye, Ministria e Jashtme Federale ka hapur një faqe të re interneti, që u siguron emigrantëve fakte, për të mos lejuar keqinformimin. Në faqen e re www.rumoursaboutgermany.info përmblidhet në formë të përqendruar i gjithë informacioni i nevojshëm për emigrantët dhe refugjatët duke e lidhur me fakte. “Faqja e internetit do të hedhë poshtë në këtë mënyrë thashethemet e shpërndara në internet nga trafikantë. Sikurse kuptohet nga emri #rumoursaboutgermany, bëhet fjalë kryesisht për të zëvendësuar keqinformimin me fakte. Kështu për shembull, faqja hedh poshtë thashethemet se në Gjermani mund të merresh vesh gjithandej në anglisht ose që qeveria u siguron të gjithëve një punë. Artikuj të tjerë u drejtohen njerëzve, që ndërmarrin një rrugë shpesh të rrezikshme drejt Evropës dhe u sugjeron atyre alternativa: Këtu prezantohen edhe programet e ndryshme për mbështetjen e kthimit vullnetar në atdhe sikurse edhe programe humanitare. Ministria e Jashtme Federale vendos kështu fakte të besueshme përballë thashethemeve që vlojnë”, njoftoi ambasada gjermane në Tiranë. Gjithashtu, selia diplomatike e Berlinit ka renditur edhe disa qartësime kryesore, si ato që lidhen me vizat, mundësinë e kalimit për në Kanada, banesën, punësimin dhe pagesat që u ofrohen refugjatëve dhe emigrantëve. 

Çfarë nuk është e vërtetë
1 – “Nëse ju nuk doni Gjermaninë, aty do të merrni një vizë për në Kanada”. 
Kjo është e pavërtetë. Asnjë marrëveshje e tillë nuk ekziston mes Gjermanisë dhe Kanadasë apo ndonjë vendi tjetër në këtë drejtim. 

2 – “Gjermania i jep shtëpi çdo refugjati”. 
Askujt nuk do t’i jepet shtëpi në pronësi. Të gjesh një vend për të jetuar është gjithnjë e më e vështirë në Gjermani, veçanërisht në qytetet e mëdha. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se askush nuk mund ta zgjedhë lirisht vendin për të jetuar, nëse kërkon azil dhe mund të detyrohet në vende të caktuara, ku askush nuk e kupton gjuhën e vendit nga vijnë refugjatët apo emigrantët. 

3 – “Çdo refugjat merr një pagesë mirëseardhjeje prej 2 mijë euro”
Në ndryshim nga zërat dhe keqinformimi që përhapet veçanërisht nga ata që e organizojnë trafikun, Gjermania nuk jep një pagesë në momentin e mbërritjes së refugjatëve. Duke përhapur idenë se paguhen para në momentin e mbërritjes, trafikantët e qenieve njerëzore vënë në rrezik jetën e njerëzve. 

4 – “Korporatat e mëdha gjermane në mënyrë konstante kanë nevojë për krahë pune, ndaj Gjermania pranon 5 mijë emigrantë në ditë”.
Gjithashtu edhe kjo është e pavërtetë, pasi në Gjermani nuk ka kuota për punësimin e emigrantëve. Megjithëse ka një kërkesë për forca pune të specializuara, ata që hyjnë ilegalisht në Gjermani nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë një vend pune. Gjithashtu duhet pasur parasysh se qeveria gjermane nuk u siguron refugjatëve një vend pune. 

5 – “Ne kemi 25 vjet eksperiencë dhe transporti juaj është 100 % i ligjshëm dhe i mundshëm”.
Trafikantët e njerëzve janë kriminelë dhe të interesuar vetëm për paratë, jo për jetën e refugjatëve. Mijëra emigrant të paligjshëm refuzohen çdo vit. Gjithashtu, për fat të keq, shumë njerëz humbasin jetën gjatë udhëtimit për në Gjermani.

6 – “Gjermania ka rezervuar 800 mijë vende vetëm për refugjatët nga Afganistani”
Kjo është e pavërtetë. Nuk ka kuota të rezervuara për një vend specifik. Çdo rast ekzaminohet në mënyrë individuale. 

7 – “Mjetet e udhëtimit janë komode, anijet kanë edhe pishinë e kinema”
Trafikantët e njerëzve përgjithësisht përdorin mjete të vjetra dhe lira për transport. Disa prej tyre nuk e përballojnë udhëtimin, kryesisht në det. Ata përpiqen të maksimizojnë përfitimin. Vetëm në vitin 2016, më tepër se 5 mijë persona kanë humbur jetën duke kaluar me varka Detin Mesdhe.
Kush mund të qëndrojë në Gjermani
Shumë emigrant, të cilët janë hyrë në Gjermani në mënyrë ilegale në kërkim të një pune dhe jete më të mirë, mbeten të habitur kur mësojnë se nuk përfitojnë nga asnjë prej formave të mbrojtjes dhe duhet të përballen me dëbimin për në vendin e origjinës. Krahas dëbimit, atyre ju jepet edhe një ndalim për të hyrë sërish në Gjermani në të ardhmen. Po cilët janë kategoritë që përfitojnë dhe cilët jo nga mbërritja në Gjermani. 

1 – Mbrojtja si refugjat
Në gjuhën e përditshme, termi refugjat përshkruan çdokënd që është larguar nga vendi i tij për çdo arsye. Megjithatë, ndër qindra milionë njerëz, të cilët jetojnë larg vendit të tyre në mbarë botën, vetëm një pakicë aktualisht përfiton nga statusi i refugjatit. Kombet e Bashkuara i përcaktojnë refugjatët si njerëz larg vendit të tyre, pasi aty mund të përballen me persekutime ose dhunë për “shkak të racës, besimit, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar social apo politik”. Ata që udhëtojnë drejt Gjermanisë mund të kenë dëgjuar për mundësinë për të kërkuar azil si një “refugjat ekonomik”, megjithatë zyrtarisht nuk ekziston një kategori e tillë. Mundësitë ekonomike nuk janë mes kritereve që përcaktojnë një refugjat. Sipas ligjit ndërkombëtar dhe atij gjerman, njerëzit që largohen nga vendi i tyre për të përmirësuar situatën ekonomike nuk janë refugjatë. Statusi i refugjatit përcaktohet nga Konventa e firmosur në Gjenevë në vitin 1951, ndaj njerëzit më në nevojë përfitojnë mbrojtje. Në Gjermani, ashtu si në vende të tjerë, refugjatët janë të mbrojtur dhe nuk mund të kthehen në vendin e tyre për aq kohë sa kërcënimi i persekutimit të tyre ekziston. Autoritetet gjermane u japin refugjatëve një leje qëndrimi për 3 vjet dhe pas përcaktohet nëse mund të bëhet një zgjatje.
2 – E drejta për azil
Azili është një tjetër formë e mbrojtjes sipas ligjit gjerman, që në mënyrë specifike aplikohet për njerëz, të cilët janë persekutuar për qëllime politike. Për të pasur të drejtën e e azilit, aplikantët duhet të japin prova se shteti në vendin e tyre të origjinës po i përndjek. Në praktikë, kjo formë e mbrojtjes është shumë e rrallë, por nëse ajo jepet, ju siguron përfituesve një leje qëndrimi për 3 vjet, periudhë pas së cilës statusi i mbrojtjes rishqyrtohet.
3 – Mbrojtja
Kërkuesit e azilit, të cilët nuk marrin statusin si refugjatë ose azilantë, mund të përfitojnë statusin e të mbrojturit. Megjithatë, kjo mbrojtje i jepet vetëm personit, i cili kërcënohet seriozisht në vendin e tij të origjinës, si nga dënimi me vdekje, torturat ose ndëshkime çnjerëzore. Gjithashtu, përfitojnë edhe personat për të cilët kthimi në vendin e origjinës është i pamundur për shkak të një konflikti të armatosur ndërkombëtar ose të brendshëm. Me marrjen e këtij statusi, personi përfiton një leje qëndrimi vetëm për 1 vit, pas së cilit autoritetet gjermane përcaktojnë nëse do të jepet ose jo zgjatje.

4 – Ndalimi për kthimin me forcë
Forma e fundit e mbrojtjes, që zbatohet edhe kjo në raste shumë të rrallë dhe në rrethana specifike. Autoritetet gjermane ndonjëherë japin një ndalesë për kthimin me forcë, duke përcaktuar se emigranti nuk duhet të detyrohet për t’u kthyer me forcë në vendin e tij, megjithëse nuk ka asnjë nga 3 format e tjera të mbrojtjes. Ky është rasti kur autoritetet janë të bindura se një kthim në vendin e origjinës do të shkelë Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ose do të shkaktojë një rrezik konkret për jetën dhe lirinë. Aplikanti merr një leje qëndrimi për 1 vit, pas së cilës ndalesa për kthim me forcë rishqyrtohet.
Sigal