Gjermani/ 60-vjeçari vaksinohet 90 herë kundër Covid për të shitur “Green Pass” të falsifikuara

145
Sigal

Një 60-vjeçar në Gjermani dyshohet se është vaksinuar dhjetëra herë kundër Covid me qëllim për t’u shitur pasaporta të falsifikuara vaksinimi njerëzve që nuk dëshironin të vaksinoheshin vetë. Burri nga qyteti lindor i Gjermanisë, Magdeburg, emri i të cilit nuk u publikua, thuhet se ka marrë deri në 90 doza kundër Covid-19 në qendrat e vaksinimit në shtetin lindor të Saksonisë për muaj të tërë, derisa u kap nga policia në fillim të këtij muaji.

Ai nuk është ndaluar por është nën hetim për lëshim të paautorizuar të pasaportave të vaksinimit dhe falsifikimit të dokumenteve. 60-vjeçari u kap në një qendër vaksinimi në Eilenburg në Saksoni kur u shfaq për të dytën ditë radhazi për të bërë vaksinën. Policia i ka konfiskuar disa karta vaksinimi bosh dhe ka nisur procedimin penal.

Nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë ndikimi patën në shëndetin e burrit rreth 90 injeksione të vaksinave të Covid, të cilat ishin të kompanive të ndryshme. Policia gjermane ka kryer shumë bastisje në lidhje me falsifikimin e pasaportave të vaksinimit gjatë muajve të fundit. Shumë mohues të Covid refuzojnë të vaksinohen në Gjermani, por në të njëjtën kohë duan të kenë Green Pass që e bëjnë shumë më të lehtë aksesin në jetën publike dhe në shumë vende si restorante, teatro, pishina apo vende pune.