Franca mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare

20
Sigal

Francezët po votojnë të dielën në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që mund ta sjellin në pushtet qeverinë e parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, një ndryshim i mundshëm në zemër të Bashkimit Evropian.

Presidenti Emmanuel Macron, habiti vendin me shpalljen e zgjedhjeve të reja pasi aleanca e tij e qendrës humbi në zgjedhjet për Parlamentin Evropian këtë muaj përballë partisë së zonjës Marine Le Pen, Bashkimi Kombëtar. Partia e saj euro-skeptike dhe kundër migrantëve tani është më afër pushtetit se sa ka qenë ndonjëherë.

Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës nuk janë vendimtare dhe ndarja e vendeve në parlamentin prej 577 deputetësh nuk do të dihet deri në fund të raundit të dytë të zgjedhjeve që mbahet me 7 korrik.

“Ne do të fitojmë një shumicë absolute”, tha zonja Le Pen në një intervistë të mërkurën, duke parashikuar se aleati i saj, 28-vjeçari Jordan Bardella do të jetë kryeministër. Partia e saj ka një program të kushtueshëm ekonomik dhe synon të kufizojë emigracionin.

Nëse “Bashkimi Kombëtar” fiton një shumicë absolute, diplomacia franceze mund të shkojë drejt një periudhe të pashembullt turbulence, me zotin Macron i cili ka thënë se do të vazhdojë presidencën e tij deri në fund të mandatit në vitin 2027 dhe zotin Bardella duke u përpjekur të ruajë për vete të drejtën për të folur në emër të Francës.

Franca ka pasur tre periudha “bashkëjetese”, kur presidenti dhe qeveria ishin nga kampe të kundërta politike në historinë e saj të pasluftës, por asnjë me botëkuptime të tilla, rrënjësisht të ndara që konkurrojnë për të drejtuar shtetin.

Zoti Bardella ka lënë të kuptohet se do ta sfidonte Presidentin Macron për çështjet globale. Franca mund të kalojë nga të qenit një shtyllë e BE-së në një halë në sy, duke kërkuar uljen e kontributit francez në buxhetin e BE-së, duke u përplasur me Brukselin për postet udhëheqëse në Komisionin Evropian dhe duke anuluar thirrjet e Presidentit Macron për unitet më të madh të BE-së dhe vendosmëri në fushën e mbrojtjes.

Një fitore e qartë e Bashkimit Kombëtar do të krijonte gjithashtu pasiguri rreth qëndrimit të Francës ndaj luftës Rusi-Ukrainë. Zonja Le Pen ka një histori të ndjenjave pro-ruse dhe ndërsa partia tani thotë se do ta ndihmonte Ukrainën të mbrohej kundër pushtuesve rusë, ajo ka vendosur gjithashtu vija të kuqe, të tilla si refuzimi për të ofruar raketa me rreze të gjatë veprimi./VOA