Franca kundër Katalonjës

554
Franca nuk do të njohë pavarësinë e Katalonjës. Kështu është shprehur ministrja franceze e Çështjeve Europiane, e cila gjithashtu shtoi se shkëputja e rajonit nga Spanja, nënkupton daljen na Bashkimi Europian. Mbarë vëmendja është përqëndruar në gadishull, teksa pritet lëvizja e rradhës nga udhëheqësit katalanas.

Qeveria franceze nuk do të njohë Katalonjën nëse deklaron pavarësinë nga Spanja dhe një lëvizje e tillë do të nënkuptojë përjashtimin nga Bashkimi Europian.

Ministrja e Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau u shpreh se kriza pas referendumit të ndaluar të 1 tetorit duhet të ishte zgjidhur përmes dialogut brenda Spanjës. Duke hedhur dyshime për vlefshmërinë e votimit, ministrja e përshkroi Spanjën si një demokraci të madhe dhe e vuri theksin në nivelet e larta të decentralicimit që rajonet e vendit gëzojnë.

Tashmë e gjithë vëmendja është përqëndruar tek presidenti katalan Carles Puigdemont, i cili pritet të adresojë parlamentin rajonal të martën. Deri më tani, nuk ka shenja të arritjes së një kompromisi me Madridin.

Presioni ekonomik mbi kampin pro-pavarësisë është shtuar ndjeshëm teksa shumë kompani po fillojnë zhvendosjen nga Katalonja. Rajoni, shtëpi e 7.5 milionë banorëve është thelbësor për Spanjën, që është ekonomia e pestë më e madhe e Bashkimit Europian.
Sigal