Franca ashpërson masat kufizuese, në bare e restorante të vaksinuarit ose me test negativ

160
Sigal

Franca ka ashpërsuar masat shtrënguese kundër përhapjes së variantit Delta të Covid, pas rritjes së ndjeshme të rasteve të reja në ditët e fundit.

Qeveria ka miratuar paketën e re, sipas të cilës në bare, restorante dhe ambiente të tjera të mbyllura publike do të lejohen vetëm personat e vaksinuar, ose ata që paraqesin një test Covid negativ të 72 orëve të fundit.

Masat u shoqëruan me debate nëse pjesë e personave që duheshin lejuar në këto ambiente duhet të ishin edhe personat që e kanë kaluar sëmundjen në gjashtë muajt e fundit.

Por, ekspertët francezë vlerësuan se mes rasteve të reja të Covid ka një pjesë të mirë të personave që e kanë kaluar variantin Alpha të tij dhe janë prekur sërish nga varianti Delta, njohur fillimisht si varianti indian.

Frika e përhapjes së këtij varianti ka detyruar shumë shtete që të kufizojnë zbatimin e nismës së certifikatës së sigurisë, madje edhe vetë Greqia që e propozoi këtë nismë në Bruksel e ka lënë në heshtje zbatimin e saj duke u përqëndruar tashmë te skenarët e kufizimit të lëvizjeve për të mos lejuar një kolaps të sistemit shëndetësor të ngjashëm me atë të fillimit të këtij viti.

Ndërkohë, në Shqipëri ka dyshime se varianti Delta ka hyrë edhe zyrtarisht. Dyshimet bien mbi një person që ka rezultuar pozitiv dhe që ka ardhur së fundmi në vend nga Anglia.