Formimi i qeverisë në Itali, takohen sot udhëheqësit e “Lega Nord” dhe “Lëvizjes 5 yjet”

462
Udhëheqësit e “Lega Nord” dhe “Lëvizjes 5 yjet” pritet të takohen sot në përpjekje për të arritur një pakt për formimin e qeverisë, me synimin për t’i dhënë fund 9 javëve të ngërçit politik.
Kreu i “Lega Nord”, Matteo Salvini bëri të ditur se negociatat janë drejt mbylljes dhe do të takohet gjatë orëve në vijim me Luigi Di Maio e “Lëvizjes 5 Yjet”.
Italia është bllokuar në një ngërç politik që prej zgjedhjeve pa një fitues të qartë të 4 marsit, që nxorën parti të parë “Lëvizjen 5 Yjet”, ndërsa blloku i qendrës së djathtë ku bën pjesë edhe “Lega Nord”, fitoi më shumë vende në Parlament.
“Lëvizja 5 Yjet” ka vendosur si kusht për koalicionin mos përfshirjen në qeverisje të partisë “Forza Italia” të Berluskonit. Pas shumë përpjekjesh e negociatash, Berluskoni e pranoi kushtin e Di Maios, dhe i hapi rrugën “Lega Nord” të bashkëpunojë me “Lëvizjen 5 Yjet”.
Megjithatë bisedimet mes “Lega Nord” dhe “Lëvizjes 5 yjet” nuk do të jenë të lehta, pasi dy partitë nuk bien dakord ndaj kufizimeve buxhetore të Bashkimit Europian, dhe kanë bërë premtime elektorale që do të kushtonin miliarda euro për t’u implementuar.
Sigal