Florida ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 14 vjeç

21
Sigal

Florida do të ketë një prej ndalimeve më kufizuese për rrjetet sociale në SHBA, duke aprovuar ligjin që ndalon të miturit nën 14 vjeç të përdorin rrjetet sociale. Për fëmijët 14-15 vjeç, do të kërkohet leja e prindërve nëse mund të aksesohen në rrjetet sociale.

Vendimi është nënshkruar nga guvernatori i Florida-s, Ron DeSantis në datën 25 mars. DeSantis e vendosi veton në fillim të këtij muaji dhe ligji i ri ishte prioriteti kryesor legjislativ i kryetarit republikan. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

Florida ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 14

“Një fëmijë, me zhvillimin e trurit të tij nuk e ka aftësinë të dijë se është duke u zhytur në këto teknologji që krijojnë varësi dhe të shohë dëmin, në mënyrë që të largohet prej tyre. Për shkak të kësaj, ne duhet të ndërhyjmë për ta,” u tha në ceremoninë e nënshkrimit të projektligjit, të mbajtur në një shkollë në Jacksonville.

Ron DeSantis u shpreh se të qenit baba e ka informuar më shumë mbi internetin dhe rrjetet sociale. Ai pranoi gjithashtu se ligji do të kundërshtohet për çështjet e Amendamentit të Parë, ndërsa Khara Boender, drejtore e politikave shtetërore për Shoqatën e Industrisë së Kompjuterëve dhe Komunikimeve, tha në një njoftim për shtyp se ajo e kupton shqetësimin për sigurinë në internet, por shprehu dyshimin nëse ligji do t’i “arrijë në mënyrë kuptimplote ato qëllime që ka, pa cenuar të drejtat e Amendamentit të Parë* të përdoruesve të rinj”. Ajo parashikoi gjithashtu një sfidë ligjore.

Amendamenti i Parë* – Amendamenti i Parë (Amendamenti I) i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara  pengon qeverinë të krijojë ligje që përkojnë me ndalimin e ushtrimit të lirë të fesë; ose cenimi i lirisë së fjalës, lirisë së shtypit, lirisë së tubimit ose të drejtës për t’i kërkuar qeverisë korrigjim të ligjeve, në bazë të ankesave. Ai u miratua më 15 dhjetor 1791, si një nga dhjetë amendamentet që përbëjnë Ligjin e të Drejtave.

“Ky ligj mund të krijojë pengesa thelbësore për të rinjtë që kërkojnë akses në informacionin në internet, një e drejtë që u ofrohet të gjithë amerikanëve pavarësisht moshës”, tha Boender.

Projektligji kaloi me shumicë dërrmuese votash, me disa demokratë që iu bashkuan shumicës së republikanëve. Kundërshtarët argumentuan se është antikushtetuese dhe qeveria nuk duhet të ndërhyjë në vendimet që prindërit marrin me fëmijët e tyre.