Egjipti: Nuk janë arritur ende konkluzionet përfundimtare mbi rrëzimin e avionit

486
Megjithë treguesit përherë e më të shumtë se shkaku i rrëzimit të avionit rus javën e kaluar mbi Gadishullin Sinai ishte një bombë, kreu i ekipit të hetuesve egjiptianë tha se nuk janë arritur ende konkluzionet përfundimtare në lidhje me incidentin.
Një zhurmë e pashpjegueshme në sekondën e fundit të regjistrimeve në audio nga kabina e pilotit të avionit ka tërhequr vëmendje të madhe, por kreu i ekipit të hetuesve egjiptianë, Ayman al-Muqaddam, tha se ekipi i tij nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë në se zhurma sinjalizon një shpërthim, apo diçka tjetër.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry po akuzon Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe vendet e tjera që nuk ndajnë me Egjiptin të dhënat e zbulimit mbi rrëzimin e avionit rus të udhëtarëve javën e kaluar.
Diplomatët egjiptiane u thanë gazetarëve të shtunën në Kajro se të dhënat e zbulimeve të huaja që tregojnë mundësinë e shpërthimit të një bombe në bordin e avionit, deri tani nuk u janë dhënë shërbimeve egjiptiane të sigurisë.
Ankesa vjen pasi qindra turistë mbeten të bllokuar në Sharm el-Sheikh, pasi fluturimet janë pezulluar për shkak të shqetësimit për veprimtari të mundshme terroriste.
Dyshimet po shtohen, se një bombë rrëzoi avionin rus udhëtarësh pasi u nis nga vend-pushimi turistik egjiptian një javë më parë, duke vrarë të 224 personat në bord.
Rusia ka pezulluar të gjitha fluturimet ruse në Egjipt deri sa të përcaktohet shkaku i rrëzimit të avionit.
Një turist rus thotë se i vjen keq për bashkëatdhetarët e tij që kishin qenë në bord. Tani rusët kanë të drejtë të frikësohen për të vizituar Egjiptin, por “unë kam qenë në Egjipt katër herë dhe mendoj se do ta vizitoj edhe në të ardhmen”, – thotë ai.
Presidenti amerikan Barak Obama dhe kryeministri britanik David Cameron kanë thënë se është shumë e mundur që aeroplani të jetë rrëzuar nga një bombë.
Mediat franceze thonë se regjistrimet e kutisë së zezë të gjetur në rrënoja tregojnë se avioni u rrëzua nga një bombë.
Udhëtarët britanikë, të cilët u larguan nga Egjipti me dy aeroplanë, u detyruan të lënë pjesën më të madhe të bagazhit të tyre për t’u kontrolluar dhe do t’u dërgohet me aeroplanë të veçantë.
Disa që po largohen nga Egjipti thonë se marrja e informacioneve të sakta ishte sfidë.
Një turist thotë se ambasada i siguroi se do t’u jepte informacione, por asgjë nuk iu dha. Po ashtu, zyrtarët egjiptianë u thanë se do t’u jepnin informata, por kjo nuk ndodhi.
Ndërkohë, shumë kompani ajrore evropiane kanë pezulluar fluturimet për në Sharm el-Sheikh dhe paralajmërojnë udhëtarët të jenë tepër kujdesshëm gjatë çdo udhëtimi në Egjipt.
Sigal