Efekti Brexit?! – BE bllokon shkrirjen e bursës gjermane me atë londineze

450
Bashkimi Evropian ka bllokuar marrëveshjen për shkrirjen e bursës gjermane më atë londineze. Sipas tij, kjo marrëveshje do të krijonte de fakto një monopol të disa prej shërbimeve financiare.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për politikat e konkurrencës, Margrethe Vestager tha se Ekonomia evropiane varet nga mirëfunksionimin i tregjeve financiare.

“Kjo nuk është vetëm e rëndësishme për bankat dhe institucionet e tjera financiare. E gjithë ekonomia përfiton kur bizneset mbledhin para në tregjet konkurruese financiare”,tha ajo.

Bashkimi i bursave do të ishte një kombinim i dy operatorëve më të mëdhenj të këmbimit të aksioneve në Evropë.

“London Stock Exchange” tha se ndjen keqardhje për vendimin e Komisionit, pasi marrëveshja do të kishte krijuar një firmë “udhëheqëse botërore” në tregjet financiare. Megjithatë marrëveshja ishte paralajmëruar se nuk do të merrte bekimin e Bashkimit Evropian mbi shqetësimet që ky i fundit kishte ngritur sa i përket kufizimit të konkurrencës që do të krijonte pakti. Marrëveshja do të përfshinte edhe bursën gjermane me seli në Frankfurt, “Eurex”-in dhe “Cassa di Compensazione e Garanzia” të Romës.

London Stock Exchange dhe rivali i tij gjerman njoftuan planet për një bashkim rreth një vit më parë me qëllim krijimin e një qendre gjigante që do të konkurronte amerikanet. Në vendimin e rregullatorëve evropianë nuk u përmend aspak çështja Brexit, si fakt që mund të ketë çuar në dështimin e marrëveshjes. Si bursa gjermane, ashtu edhe ajo londineze këmbëngulën se marrëveshja mund të realizohej edhe në rastin e “Brexit”-it. 

Por analisti për çështjet ekonomike dhe financiare Neil Wilson thotë se Brexit vrau këtë marrëveshje, pasi sipas tij nuk është e rastësishme që shefja kundër monopoleve e BE-së, Margrethe Vestager dha lajmin e keq vetëm disa orë para se Britania të aktivizojë artikullin 50 të traktatit të Lisbonës, që u hap rrugë ndarjes përfundimtare nga Bashkimi Evropian. 
Sigal