Ç’po ndodh me Facebook? Fshin rreth 800 llogari iraniane, tentuan të ndikojnë edhe në Shqipëri

541
Sigal

Menlo Park (California, US), 1 shkurt 2019 – Kompania “Facebook” thotë se i ka fshirë afër 800 faqe, grupe dhe llogari të koordinuara, joautentike, të drejtuara nga Irani, të cilat ishin pjesë e një fushate manipulimi që vepronte në më shumë se 20 vende të botës.

Rrjeti social më i madh në botë tha se bashkëpunon ngushtë me rrjetin tjetër social Twitter për të zbuluar llogaritë për të cilat ka indikacione se kanë “qëllime keqdashëse”.

“Gjithsej 783 faqe ishin pjesë e një fushate për të nxitur interesat iraniane jashtë vendit, duke krijuar identitete të rreme si banorë të vendeve në fjalë”, ka thënë Nathaniel Gleicher, kreu i sigurisë kibernetike në Facebook.

“Ne po punojmë vazhdimisht për të zbuluar dhe ndaluar këtë lloj aktiviteti, sepse nuk duam që shërbimet tona të përdoren për të manipuluar njerëzit”, ka thënë Gleicher.

“Ne po i heqim këto faqe, grupe dhe llogari, duke u bazuar në sjelljen e tyre dhe jo në përmbajtjen që ato dërgojnë. Në këtë rast, njerëzit që qëndronin pas këtij aktiviteti janë koordinuar me njëri-tjetrin dhe kanë përdorur llogari të rreme. Kjo ishte baza për veprimin tonë “, ka shtuar ai.

“Edhe pse njerëzit që qëndronin pas këtij aktiviteti u përpoqën të fshihnin identitetet e tyre, shqyrtimi ynë manual i lidhi këto llogari me Iranin”, ka shpjeguar Gleicher.

Facebook tha se llogaritë e rreme ishin pjesë e një fushate të ndikimit që vepronte në Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Bahrein, Egjipt, Francë, Gjermani, Indi, Indonezi, Iran, Irak, Izrael, Libi, Meksikë, Marok, Pakistan, Katar, Arabi Saudite , Serbi, Afrika e Jugut, Spanjë, Sudan, Siri, Tunizi, Shtetet e Bashkuara dhe Jemen.