Çfarë fsheh lufta e vaksinave mes Britanisë dhe BE-së ?

192
Sigal

Lufta për vaksinat mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe po merr tonet e një lufte të ndyrë.

Së fundmi, Komisioni Europian deklaroi se mund të bllokojë hyrjen e miliona vaksinave nga Bashkimi Europian për në Britaninë e Madhe.

KE bëri të ditur se mund të autorizojë entet rregullatore të secilit shtet të refuzojnë eksportin e vaksinave.

Ky zhvillim ka ngritur shqetësimin në lidhje me furnizimin me vaksina Pfizer të Britanisë, e cila ka porositur 40 milionë doza.

Por pse ka nisur kjo betejë kaq e ashpër për vaksinat?

BE është kritikuar se është treguar e ngadaltë në furnizimin me vaksina të vendeve anëtare, ndërkohë që Britania e Madhe ka përparuar ndjeshëm në këtë drejtim.

Sikur të mos mjaftonte kjo, kompania anglo-suedeze AstraZeneca deklaroi para disa ditësh se do të ulë ndjeshëm furnizimin me vaksina për Bashkimin Europian.

BE reagoi me zemërim dhe situata u përshkallëzua mes unionit dhe kompanisë AstraZeneca, që prodhon vaksinën e Oksfordit. Presidenti i kësaj kompanie tha se nuk ka një marrëveshje kontraktuale për të furnizuar BE-në, ndërkohë që marrëveshja kontraktuale me Britaninë e Madhe është nënshkruar tre muaj përpara asaj me BE-në.

Mediat e ishullit, por edhe mediat në kontinent e kanë kritikuar BE-në se burokracia e saj po shkakton vonesa në furnizimin me vaksina.

Si për të shtuar akoma benzinë mbi zjarr, një media gjermane raportoi se vaksina e AstraZeneca është vetëm 8 përqind efikase te personat mbi 65 vjeç. Pak më vonë, autoriteti rregullator në Gjermani tha se nuk do e rekomandojë këtë vaksinë për personat mbi 65 vjeç, duke i paraprirë kështu një vendimi të mundshëm të BE-së për këtë vaksinë.

Kurse britanikët, të cilët po e përdorin këtë vaksinë, thonë se ajo është e testuar dhe ka treguar se ofron antitrupa edhe për moshat vulnerabël mbi 65 vjeç.

Tensionet e nxitura edhe nga dalja e Britanisë nga BE priten të shtohen sidomos kur kompanitë kryesore të vaksinave kanë deklaruar se do ketë mungesa, të paktën për disa javë në vazhdim.