Borrell kërkon që serbët t’i largojnë barrikadat në veri të Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar që barrikadat e ngritura në veri të Kosovës të largohen menjëherë “nga grupet e serbëve të Kosovës”.

“Barrikadat duhet të largohen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të restaurohet”, shkroi Borrell në Twitter.

NOA

Në veri të Kosovës janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjeëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se barrikadat e “kriminelëve me maska” të ngritura në veri të Kosovës, duhet të hiqen menjëherë.

Situatën në këtë pjesë të Kosovës janë duke e monitoruar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

EULEX ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit. Shefi i diplomacisë evropiane e ka dënuar këtë sulm.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulme ndaj EULEX-it ose përdorimin e veprimeve të dhunshme, kriminale në veri. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet në Kosovë dhe KFOR-in. Të gjithë akterët duhet t’i shmangen përshkallëzimit”, tha tutje Borrell në Twitter.

Sulmin ndaj patrullës së EULEX-it e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, që ka kërkuar që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po punon me KFOR-in për ta adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”.

Të dielën, edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka kërkuar nga qytetarët në veri të lejohet lëvizja e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë se “prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”. /REL