Bënin pazare droge me shqiptarët, shkatërrohet grupi mafioz italian

472
Sigal

Policia italiane ka arrestuar 12 persona, shtetas italianë, të dyshuar për veprimtari mafioze, grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Ata ishin një grup që synonte marrjen e monopolit dhe kontrollit mbi territorin e San Giovanni Galermo dhe Lineri në Catania.

Udhëheqësi i organizatës besohet se është Orazio Coppola, që i atribuohet klanit Mazzei – Carcagnusi, pjesë e familjes Santapaola-Ercolano. Pranë tij kishte burra besnikë, të gatshëm të hidhen në rrezik për veprimtari të ndryshme ilegale. Hetimet kanë zbuluar se pjesëmarrësit në organizatë merreshin me zhvatje e trafik droge, raportojnë mediat italiane.

Organizata, në fakt nuk kishte si qëllim vetëm trafikun e drogës, por edhe pasurimin me mënyra si zhvatja dhe presioni mbi biznesmenë lokalë. Kjo organizatë shpërndante dy lloje drogash: marijuanë dhe kokainë. Banda kishte shtrirë aktivitetin edhe në Bari, ku në një rast gjatë hetimeve ishin takuar me dy shqiptarë, të cilëve iu kishin borxhe droge.

Nga hetimet u zbulua edhe një rast grabitjeje nga ana e Antonino Nicolosi, i cili u vendos në arrest shtëpie. Të gjithë të tjerët, italianë, janë dërguar në paraburgim në Catania.