BE: Nëse mbyllen kufijtë tokësorë në Ballkan, do ketë vërshim emigrantësh, Shqipëri-Itali

514
Bashkimi Europian është i shqetësuar se trafikantët e njerëzve do hapin një tjetër kalim në det për emigrantët. Sipas Reuters, kalimi do të jetë nga Shqipëria drejt Italisë, nëse mbyllen kufijtë tokësorë në Ballkan. Dy dekada pasi mijëra shqiptarë u arratisën drejt Italisë, duke përshkruar 80 kilometra në det, liderët e BE dhe të Ballkanit thonë se kjo rrugë mund të ringjallet fuqishëm. “Eksiston rreziku që kalimi nga Shqipëria drejt Italisë të bëhet rruga e re në dimër,” tha një zyrtar i lartë i BE për ‘Reuters’. Sipas tij, rruga drejt Italisë mund të jetë më e shpejtë, por më e rrezikshme. Por kriza e emigrantëve po shkakton shumë probleme brenda Bashkimit Europian. Ajo ka dobësuar popullaritetin e kancelares gjermane Angela Merkel në shtëpi, ndërkohë që disa liderë të BE si kryeministri slloven thonë se BE mund të ndahet nëse nuk ka një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Liderët e Eurozonës dhe ata të Ballkanit ranë dakort në takimin e djeshëm, për një plan 17 pikësh përmes të cilët synohet të menaxhohet fluksi i migrantëve, përmes vendeve të Ballkanit.

Presidenti i BE-së Jean-Claude Juncker ka thënë se plani përfshin edhe krijimin e 100 mijë vendeve të reja në qendrat e regjistrimit të emigrantëve, përgjatë rrugës nga Greqia deri në Gjermani. Juncker ka thënë Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) do të ndihmojë në krijimin e 50 mijë vendeve në Greqi dhe pjesa tjetër do të krijohet në vendet tranzitore të Ballkanit. Juncker ka thënë se të gjithë liderët e Ballkanit ranë dakort për të ndarë informacione rreth valës së emigrantëve dhe janë zotuar se nuk do të ndërmarrin vendime të njëanshme. Agjencia e kufijve të BE-së, Frontex, pritet të bëjë regjistrimin e emigrantëve që hyjnë në kufijtë përmes Maqedonisë dhe Greqisë. Juncker u ka thënë gazetarëve se “politika e pranimit të emigrantëve pa regjistrim, duhet të ndalet.” E ndërsa Hungaria ka mbyllur kufijtë, shumë emigrantë janë mbërthyer në Ballkan ku moti do të përkeqësohet dhe si rrugë e vetme kalimi shihen malet e Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë këto imazhe dramatike tregojnë se si mijëra emigrantë po marshojnë drejt Sllovenisë. Fotot janë bërë nga ajri dhe tregojnë emigrantët duke kaluar Kroacinë për në Slloveni.
Sigal