Bardhyl Berberi: Shkupi kërkon të zhdukë të kaluarën shqiptare

455
Sigal

Shteti, që jeton me
ankthin e dikurshëm se nuk ekzistonte

Shkupi është
befasues sa herë që ta vizitosh. Pasi lëmë pas Strugën, Kërçovën, Gostivarin
dhe Tetovën në një ditë të bukur vjeshte, tej në horizont shfaqet Shkupi. Me
ndërtesa shumëkatëshe, parqe pafund, me lumin Vardar që kalon mes përmes
qytetit me një nanuritje si qetësi perëndie midis urave të shumta dekorative të
ngritura përgjatë lumit: Ky është Shkupi. Shkupi është një qytet me 650 mijë
banorë, ku më se 30 % janë shqiptarë. Është lumi Vardar që ndan lagjen
shqiptare nga lagjet maqedonase dhe sllave në Shkup. Mbi Vardar, në anën e
majtë jetojnë shqiptarët, ndërsa në krahun e djathtë maqedonasit. Hyjmë në
Bitpazar, ose siç njihet ndryshe pazari i vjetër otoman, aty ku prej shekujsh e
shekujsh me radhë sllavë e shqiptarë, turq, romë e serbë ishin të përzierë mes
tyre dhe tregtonin së bashku.


Dëshmitë


Në lagjen shqiptare takojmë një burrë maqedonas rreth të 50-ve,  Bore Shajnovski, që mban në gjoks një kryq të
madh të florinjtë.  Borja pa pasur pikën
e frikës jeton në lagjen shqiptare në anën e majtë të Vardarit. “Jetojmë
këtu në mes të shqiptarëve. – Nuk kemi armë, të vetmin mjet mbrojtës kemi
miqësinë e mirë me fqinjët shqiptarë dhe pastërtinë e shpirtit tonë. Për hir të
së vërtetës, kalojmë mirë me shqiptarët”, thotë Borja. Ai mendon se
shqiptarët, më tepër se për të kërkuar të drejta kanë nevojë që të zbatohen me
rigorozitet ligjet ekzistuese.  Në
Çarshinë e Shkupit takojmë Gëzim Pajazitin. Ky djalë i ri shqiptar i sheh
gjërat ndryshe. “Ne e dimë se maqedonasit e shohin veten më lart se ne.
Ata për ne flasin me përbuzje dhe na trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë. Vazhdimisht,
sa herë ka regjistrim të popullsisë, maqedonasit me lloj-lloj mënyrash mundohen
që të ulin përqindjet e shqiptarëve dhe mundohen që të zhdukin gjithçka që ka
të bëjë me të kaluarën tonë”, thotë Pajaziti. Ndërkohë, ai tregon se
“vetëm para disa ditësh nxënësit shqiptarë u sulmuan në një stacion autobusi
nga vandalët  maqedonas. Pikërisht në atë
kala (drejton gishtin) janë gjurmët e të parëve tanë, të Dardanëve që kanë
jetuar në këto troje të lashta, mbi themelet e shtëpisë Shën Nënë Terezës.


Shkupi

Ndalim hapin në
sheshin “Makedonia” në qendër të Shkupit. Ai është i stolisur me
kryqe të mëdha ortodoksësh, përmendore të sajuara, që më shumë tregojnë
historinë e një populli të munguar. Është zbatuar projekti “Shkupi
2014”. Vetëm përmendoret shqiptare mungojnë. Ky projekt  e ka transformuar Shkupin me lloj-lloj
përmendoresh. Projekti filloi me 80 milionë euro dhe tani në vitin 2016 harxhet
kanë shkuar në 1 miliard euro. Në çdo hap në qendër të Shkupi do të hasësh një
statujë mbi ura mbi kulmet e ndërtesave në sheshe. Kanë vendosur figura të
antikitetit që askush nuk i njeh se janë të tyret…Shumë shkupjanë mbledhin
krahët, pasi nuk i njohin si figura të kombit të tyre monumentet e ngritura në
sheshin qendror të qytetit. Po t’i hedhësh një sy të vëmendshëm Shkupit të
1963-it para tërmetit të 26 korrikut, i cili pothuajse e rrafshoi krejt
kryeqytetin, e ta krahasosh me Shkupin sot, vë re se ai i ngjan një qyteti që
kërkon t’i ikë së kaluarës. Shkupi i sotëm kërkon që të zhbëjë themelet kulturorë,
historikë mbi të cilat ishte ngritur dikur, kur të parët e tyre kanë qenë
Dardanët. Duke qenë një qytet që kërkon të fshijë të kaluarën, ai zgjatet nga e
djathta e lumit Vardar, në pjesën ku jetojnë maqedonasit, duke ndërtuar një
infrastrukturë moderne. Ndërkohë që lagjja në të majtë të Vardarit që quhet
lagjja e “Njerëzit” e banuar me shqiptarë autoktonë, është lënë si e getizuar në kushtet e një mjerimi
social. Shqiptarët e Shkupit janë autoktonë të vërtetë dhe nuk është ashtu siç
shkruhet në Enciklopedinë skandaloze të botuar para pak kohësh apo librat e
tjerë shkollorë, ku shqiptarët quhen si ardhacakë dhe të ardhur nga mali.


Gjurmët e së kaluarës

 

Janë të pakta
gjurmët që i kanë ngelur Shkupit nga e kaluara, nga fisi i ilirëve, Dardanët,
të parët e këtyre trojeve. Të paktat gjurmë që kanë mbetur nga koha e perandorit
Justinian në vitet 527 me orgjinë ilire nga Bedriana dhe nipit të tij të lindur
në Tures, tregojnë që shqiptarët e Shkupit janë autoktonë dhe themeluesit e
vërtetë të këtij qyteti. Në Shkup lindën këta perandorë të mëdhenj me orgjinë
shqiptare dhe ndërtues të qindra kështjellave të shpërndara nëpër Dardani, mes
të cilave edhe Kalaja e Shkupit, e cila edhe sot ngelet emblema njohëse e këtij
qyteti. Por në Shkup, më rrallë po shihen edhe gjurmët e kohës së Perandorisë
Osmane, kur ky qytet shkëlqeu dhe u bë qendër e rëndësishme ushtarake për të
gjithë rajonin e Ballkanit. Shkrimtari dhe analisti i njohur shqiptar, Kim
Mehmeti për gazetën “Telegraf” na thotë se Shkupi i sotëm jeton me ankthin, kur
dikush me çdo kusht kërkon që t’i asimilojë diçka nga e kaluara e tij dhe t’i
ndërtojë një të kaluar që ai nuk e ka patur kurrë, si simbolet sllavo-ortodokse
të projektit të ri “Shkupi 2014”. Sipas Mehmetit, Shkupi i ngjan një
qyteti ku e sotmja e urren të kaluarën dhe ku e sotmja nuk pranon të përballet
me të kaluarën. Shkupi i sotëm bën çmos që të shlyejë nga vetvetja emblemën
shqiptare. Teksa shëtit nëpër rrugët e vjetra të Shkupit të vjetër, nëpër
lagjet shqiptare ndien dëshirën e këtij qyteti për të mos e groposur të
kaluarën e vet. Ndërsa, sapo del në anën jugore të lumit Vardar, porsa shkel
matanë urës së Gurit dhe përballesh me sheshin e qytetit, ndjen orvatjen që
Shkupi të mos ketë të kaluarën që ka pasur, por një të kaluar tjetër të krijuar
false.


Qyteti mes muzikës dhe hashashit

 

I zhytur mes një
gjelbërimi të harlisur, Shkupi padyshim është një nga kryeqytetet më të
gjelbëruara të Ballkanit. Rrugët e pastra, gjelbërimi i pafund në çdo cep,
butikë e supermarkete  madhështore i
japin Shkupit një pamje tjetër. Ndërsa ecim nëpër rrugë konstatojmë se në
kryeqytetin maqedonas nuk sheh asnjë simbol të komunizmit. Në qytet janë hapur
restorante italiane dhe kafe franceze. Të rinjtë flasin një anglishte të pastër
dhe shumë prej tyre dhe italisht dhe frëngjisht. Shumica e maqedonasve dhe e
shqiptarëve janë të zhgënjyer nga tranzicioni i gjatë i kapitalizmit
postkomunist, janë pesimistë edhe për ecurinë e sotme, që sipas tyre
korrupsioni po i gërryen. Zgjidhja e kontradiktave me Greqinë për problemin e
emrit është kthyer në një makth që e has në çdo bisedë. Ata janë të mendimit se
institucionet Evropiane duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj vendeve të vogla.
Jeta e natës në kryeqytetin maqedonas është krejt e veçantë dhe ndryshon shumë
nga fqinjët e tij. Thuajse në çdo cep të tij ka lulëzuar piratëria e CD, baret
e natës me muzikë ‘jazz’, klube të të rinjve që këndojnë ‘live’. Me kolegët
gazetarë nga Shkupi hyjmë në një bar nate, ku era e marijuanës të shpon hundët.
Këtu pihet birrë “Skopska” dhe dëgjohet muzikë orientale. Vajza të
reja gati të zhveshura kërcejnë mbi tavolina nën ritmin e muzikës ndërsa në
fund të banakut një mesoburrë i veshur shik thërret: “Kalojeni natën me
këto bukuroshe 16, 17 apo 18 vjeç, por mund t’i mbani edhe me orë dhe çmimi
ulet”. Më pas ai thërret e bën me dije se “për gjithë natën bukuroshet
do të jenë tuajat për 100 euro”. Një kolegu ynë thotë se turizmi seksual
është një fat i pashmangshëm në marrëdhëniet midis vendeve të pasura dhe atyre
në zhvillim, për të mos e thënë të varfra. Mëngjesi vjen i zhurmshëm dhe
Shkupin e sundojnë zhurmat. Autobusët e shumtë dhe autoveturat lëvizin në
drejtime të ndryshme. Hapen kafenetë, baret dhe mëngjesoret. Njerëzit përtypin
me shpejtësi sanduiçët ose pinë kafe, hedhin lekët mbi banak dhe shpejtojnë
nëpër trotuare. Disa prej tyre blejnë gazeta nëpër cepat trotuaresh, kioska dhe
në ecje e sipër lexojnë titujt e lajmeve. Në kronikën e zezë, një titull i
madh. “Mbrëmë u vodhën në një parking tek tregu i madh dy vetura luksoze
nga Shqipëria”. Menjëherë të thonë se në Shkup ka banda bullgare që
vjedhin vetura luksoze. Në Bullgari është mafia më e madhe e vjedhjes së
makinave. Mësojmë se trafikantët bullgarë mbajnë vendin e parë në Evropë për
grabitje veturash luksoze. Ky është Shkupi, me rrugë të pastra, gjelbërim që
duhet ta ketë zili çdo kryeqytet; me simbolet e zhdukura të komunizmit, turizëm
seksual dhe me banda që grabisin makina luksoze në çdo moment