Ban Ki Moon: Situata e emigrantëve dhe refugjatëve është një “krizë e solidaritetit global”

503
Sigal
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se situata e emigrantëve dhe refugjatëve është një “krizë e solidariotetit global”.
Ban vizitoi vendstrehimin “Saint Egidio Community” në Romë, ku u takua me refugjatë dhe fëmijët e tyre. Ai i përshkroi historitë e refugjatëve si pikëlluese dhe shtoi se donte t’u ofronte atyre “ndjenjën e shpresës.”
Udhëheqësi i OKB-së, po ashtu pranoi sfidat me të cilat përballen vendet e BE-së, por i bëri thirrje atyre të tregojnë “një udhëheqje të dhembsur” në strehimin e refugjatëve që përpiqen t’u shpëtojnë luftrave, diskriminimit dhe urisë në vendet e tyre të origjinës.
Përmes një deklarate të shtunën, grupi humanitar “Amnesty International” i bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që t’i venë të drejtat e refugjatëve mbi shqetësimet e tyre për mbrojtjen e kufijve.
Duke kritikuar planin e BE-së për t’i ofruar Turqisë ndihmë për kontrollin e lëvizjeve masive të azilkërkuesve në Europë, “Amnesty International” tha se “njerëzit janë duke vdekur, ndërkohë që qeveritë shpenzojnë miliarda dollarë për kontrollin e kufijve.”
Në një tjetër ngjarje tragjike, roja bregdetare e Turqisë tha se 12 refugjatë, që mendohet se ishin nga Siria dhe Afganistani, mes tyre katër fëmijë dhe një foshnje, u mbytën gjatë rrugëtimit të tyre me det nga Turqia, për në ishullin grek të Lesbos.