Avioni i humbur, konfirmohet rrëzimi

430
Sigal

Kompania ajrore “Malaysia Airlines” ka deklaruar të hënën se është me vend të supozohet, “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, se avioni i rrëzuar më herët gjatë muajit ka humbur dhe nuk ka të mbijetuar. 

Njoftimi është bërë në formën e një mesazhi telefonik, SMS, që u është dërguar nga kompania familjarëve të viktimave të avionit të zhdukur.  Njoftimi erdhi gjithashtu pas ditës së pestë të operacioneve të kërkimit, të fokusuara në jug të Oqeanit Indian, të cilat nuk sollën rezultat. Edhe kryeministri i Malajzisë, Najib Razak deklaroi “me trishtim të thellë” se të dhënat e fundit tregojnë se pozicioni i fundit i avionit ishte në jug të Oqeanit Indian. Deklarata e tij bazohej në informacionet e ofruara nga kompania satelitore britanike “Inmarsat” dhe Zyra britanike e Hetimit të Aksidenteve, AAIB. Zoti Razak bëri me dije se më shumë informacione për kërkimin e avionit do të publikohen të enjten. Gazetarët ishin mbledhur në dhomën e konferencës së shtypit të zyrës së kryeministrit, duke pritur me ankth të dhënat që do të jepte ai. Fluturimi “MH370” i “Malaysia Airlines”, me 239 persona në bord, u zhduk pasi ishte nisur nga aeroporti i Kuala Lumpurit më 8 mars. “Me trishtim të thellë ju njoftojmë se kemi arsye të besojmë se avioni ka humbur dhe se asnjë nga personat në bord nuk ka mbijetuar. Sikurse do ta dëgjoni në orët e mëvonshme nga kryeministri, neve na duhet të pranojmë provat që sugjerojnë se avioni u rrëzua në jug të Oqeanit Indian”, thuhet në SMS-në që kompania u dërgoi familjeve të viktimave