Komisioni Europian: Emigrantët mund të kalojnë nga Shqipëria

480
Komisioni Europian nuk e përjashton përfshirjen e Shqipërisë në rrugën e emigrantëve drejt Europës Perëndimore si mundësi për të shmangur temperaturat e ulëta dhe procedurat e regjistrimit në Greqi e Maqedoni.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të mediave për një rrugë Shqipëri-Itali, Zëdhënësja e Komisionit Europian Natasha Bertaud tha se aktualisht nuk ka një analizë rreziku, por theksoi se e ardhmja mund të jetë e paparashikueshme. Kjo mundësi e përfshirjes së Shqipërisë në itinerarin e klandestinëve, ishte edhe arsyeja pse Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në takimin e liderëve të BE për krizën e refugjatëve.
“Arsyeja se pse Shqipëria ishte e ftuar në takimin e liderëve të Ballkanit perëndimor është sepse po flasim për një vend që ndodhet në këtë rajon dhe ndan një pjesë të madhe të kufirit të saj me Greqinë. Në këto kushte e pamë të arsyeshme që të mblidhnim cdo shtet që është i përfshirë ose që mund të përfshihet në itinerarin që ndjekin emigrantët për të mbërritur në Europën Perëndimore.”
Mediat italiane dhe ato ndërkombëtare kanë paralajmëruar prej kohësh një ndryshim të mundshëm të rrugës së klandestinëve drejt Europës përmes Shqipërisë. Por mundësia që dicka e tillë të ndodhë është rritur ndjeshëm pas bllokimit të kalimit në kufirin greko-maqedonas.
Sigal