Arrestohet ‘Fantazma’, shqiptari që terrorizoi Gjermaninë dhe Francën

455
Sigal

Një 38-vjeçar u arrestua në Shqipëri për llogari të drejtësisë franceze dhe gjermane. Sipas gazetave gjermane, ai kishte kryer qindra vjedhje në Gjermaninë Jugperëndimore.

Policia e Maincit tha se ai ishte kthyer në hajdutin e banesave më të kërkuar. Shqiptari vidhte bizhuteri, telefona, por edhe para cash.

Policia tha se në historinë e tyre nuk kanë ndonjë autor me kaq shumë gjurmë ADN-je sa ai.

Shqiptari ndiqte të njëjtin model për vjedhjet. Ai hapte dritaret e shtëpive. Banorët shpesh ishin brenda ose në gjumë gjatë kohës së krimit. Në disa raste, ai vidhte deri në gjashtë banesa në një natë.

Kaq i frikshëm ishte bërë shqiptari, sa hetuesit e etiketonin me emrin ‘Fantazma’.

Por kur e zhvendosi aktivitetin në Francë, policia e këtij vendi arriti më në fund të zbardhte identitetin e tij. Tashmë 38-vjeçari është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim në Shqipëri.