376 mafiozë të rrezikshëm dalin nga burgjet, vendimi shkakton “tërmet” në Itali

321
Sigal

Franco Cataldo, një nga burrat më të urryer të “Cosa Nostrës”, i dënuar për një krim të tmerrshëm: ishte për dy vite rrëmbyesi i Giuseppe Di Matteo, djali i një të penduari, i cili u rrëmbye, u mbyt dhe u dogj me benzinë për të mos lënë gjurmë.

Francesco Bonura, një nga “kokat” më të rrezikshme të krimit të organizuar siçilian.

Një tjetër emër, Vincenzo Lannazzo, kryetari më i rrezikshëm i “Ndrangheta”, grupi mafioz më i fuqishëm në Itali për momentin.

Rocco Santo Filippone, i mafias kalabreze, një bos që akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e disa policëve në vitet 90’.

Të gjithë këto emra, janë “peshqit” e mëdhenj të krimit të organizuar italian dhe janë pjesë e listës së 376 mafiozëve dhe trafikantëve të dënuar në burgjet e shtetit, por që janë vendosur nën arrest shtëpie që nga muaji mars, me “rrathë elektronikë” ose gjurmues, pasi është vërtetuar që ata vuajnë nga patologji të tjera dhe që mund të rëndohen, nëse infektohen nga koronavirusi.

Pasquale Zagaria, vëllai i Michele, bosit të grupit të Casalesit, të Kamorrës, është me kancer dhe nuk mund të rrinte i mbyllur në burg pasi i rrezikohet seriozisht shëndeti. Deri javën e kaluar, të paktën 159 të burgosur dhe 215 pjesëtarë të policisë së burgjeve janë infektuar.

E përditshmja italiane “La Republica”, ka zbuluar një listë të rezervuar me emrat e kriminelëve të cilët janë vendosur nën arrest shtëpiak, çka ka vënë me shpatulla pas murit ministrin e Drejtësisë italiane, Alfonso Bonafede. Disa prej tyre, si Zagaria, ishin nën regjimin ‘41 Bis’, një regjim i rreptë burgu ku të burgosurit vendosen në izolim ekstrem.

Lista me këto emra ka shkaktuar një “tërmet” të fuqishëm në Itali. Janë disa aktivistë dhe ekspertë të Antimafias, që kanë vënë “duart në kokë” dhe tregojnë rrezikun e arratisjeve të mundshme të disa prej këtyre pjesëtarë të bandave, që tani janë në territoret e tyre dhe të rrethuar nga njerëz të tyre, ndërkohë që mund të kenë mundësinë të kthehen dhe të bëhen sërish pjesë e rrjeteve.

Ekziston edhe një listë tjetër: dje u mësua se 456 gangsterë të tjerë e kanë mësuar këtë rrugë dhe po kërkojnë gjithashtu lirimin e tyre dhe të vendosen në arrest shtëpie, sipas “La Repubblica”.

“Pa asnjë dyshim, këta bosë nuk duhet të kishin dal, por të mbrohen në mënyrë të sigurt në strukturat e tjera të burgut,” shkroi shkrimtari i kërcënuar nga mafiat, Roberto Saviano.

Lideri i “Lega Nord”, Matteo Salvini gjithashtu ka krituar këtë veprim të ministrit Bonafede. Me këtë presion, Bonafede është detyruar të njoftojë para Dhomës së Deputetëve një dekret-ligj, që do të lejojë gjykatësit të rishikojnë kushtet për të lehtësuar kthimin në burg, tani që epidemia po ulet ndjeshëm në Itali.

*Përkthyer nga La Vanguardia