Sigal

Një grua pretendonte se ishte shtatzënë për nëntë muaj dhe më pas thoshte se një grup kriminelësh i kishin nxjerrë fëmijën nga barku.

Kolumbiania Antonela Milena Padilla, 37 vjeç, mendohet se ka përdorur një jastëk për të mashtruar burrin e saj se ishte shtatzënë në një përpjekje për ta bindur të shoqin që ai të mos e braktiste.

Me kalimin e muajve, ajo rriti madhësinë e barkut të saj duke mbushur jastëkun me lecka dhe duke fafsifikuar skanime me ultratinguj për t’ua treguar familjes dhe miqve.

Çuditërisht, burri i saj nuk dyshonte kurrë dhe kur dita e lindjes po afrohej, ai ishte gjithnjë e më i lumtur që po bëhej baba për herë të parë.

Padilla, nga Barranquilla, thuhet se u largua nga shtëpia në orën 10:00 dhe u nis për në klinikë, por më vonë tha se ishte rrëmbyer nga një bandë në një kamion të kuq, që e kishte futur brenda dhe më vonë e kishin droguar. Ajo pretendonte se u zgjua në orën 17:00 jashtë një supermarketi në një pjesë tjetër të qytetit dhe kuptoi se fëmija nuk ishte më në barkun e saj.

Padilla i tha të shoqit dhe familjes së saj se një bandë kriminelësh që trafikonin organet e kishte hequr fëmijën nga barku i saj në mënyrë që të shisnin pjesët e trupit të foshnjes.

Të shqetësuar për shëndetin e saj, familja e dërgoi me forcë në spital kur mjekët e tronditur telefonuan policinë për të gjetur rrëmbyesit e dyshuar.

Por oficerët e policisë filluan të dyshonin në historinë e gruas, sidomos pas një raporti të spitalit i cili zbulonte se ajo nuk kishte pësuar asnjë dëmtim në trup dhe nuk kishte shenja të ndonjë operacioni cezarian. Testimet e mëtejshme të gjakut zbuluan se ajo nuk kishte qenë kurrë shtatzënë dhe nuk kishte gjurmë të ndonjë qetësuesi në trupin e saj.

Vjehrra e Padillas tha për Daily Mail: “Ajo kishte bark, por ishte i vogël. Megjithatë ne kurrë nuk dyshuam pasi disa gra kanë një barrë të vogël shtatzënie. Djali im ka fjetur me të, por nuk ia ka prekur kurrë barkun”.

Gruaja njoftohet se iku nga spitali në orën 3 të mëngjesit të dielën, dy orë pasi testet e gjakut provuan që ajo nuk kishte qenë shtatzënë dhe vendodhja e saj nuk dihet ende.