14 vjet Pavarësi, ja 10 datat historike për Kosovën

229
Sigal

Sot bëhen plot 14 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Por rrugëtimi që Kosova të ishte e pavarur ishte i gjatë dhe i vëshitrë. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës zgjatën gati një shekull. Pavarësia do të qe një moment gëzimi për botën shqiptare, por rruga drejt suksesit të 17 shkurtit 2008 do të lahej me gjak.

Ndërsa shteti i ri në kontinentin e vjetër feston 14 vite pavarësi larg darës së Beogradit, më poshtë rendisim 10 data historike në rend kronologjik që shënjuan rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës deri në ditën e pavarësisë.

Protestat e vitit 1968

Në vitin 1968 shqiptarët e kosovës organizuan prootesta në qytetet më të mëdha si Prishtinë, Podujevë, Gjilan dhe arritën të ndryshonin statusin juridik të Kosovës në Jugosllavi. Ato i ndryshuan emrin Kosovës në “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës (KSAK)”. Në po këtë vit gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, u la të përdorej flamuri si simbol kombëtar dhe hapja e universitetit të Prishtinës. Megjithatë, demonstratat patën disa viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Protestat e vitit 1974

Viti 1974 njihet ndryshe si viti i autonomisë së Kosovës, falë protestave masive. Për të parën herë Kosovës i jepet e drejta që përmes parlamentit të vet dhe këshillit ekzekutiv të nisë në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë procesin për vlerësimin e konstitucionalizmit dhe ligjshmërisë.

Për të parën herë rrethi i veprimit të Kosovës përcaktohet me aktin e vet, ligjin kushtetues të saj, në pajtim me parimet e Kushtetutës së Jugosllavisë dhe Kushtetutës së Serbisë, ndërsa federata mbron të drejtat dhe obligimet e veta të përcaktuara me Kushtetutë.

Protestat e vitit 1981

Kosovarët kishin në thelb një mjet që të impononin vullnetin e tyre, protestat. Dhe në përgjigje të shtypjes dhe represionit serb, në vitin 1981, Lëvizjet Studentore marshuan në qendrën e Prishtinës me një kërkesë: Ndalimin e represionit të shqiptarëve të Kosovës. Ata kërkonin t’i respektoheshin të drejtat e tyre.

23 dhjetor 1989 – LDK dhe Ibrahim Rugova

Më 23 dhjetor 1989 u themelua “Lidhja Demokratike e Kosovës”, e para parti që iu kundërvu drejtpërdrejtë regjimit komunist të Beogradit. LDK ishte edhe partia e parë politike me mbështetje masive.

Kryetari i parë i kësaj partie u zgjodh Ibrahim Rugova, që më pas do të ishte edhe President i Kosovës.

Në kushtet e represionit serb, LDK u bë shumë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

2 korrik 1990 – tentativa për pavarësi të Kosovës

Më 2 korrik 1990 parlamenti i Kosovës hartoi të parën kushtetutë ku përcaktohej pavarësia e Kosovës. Pavarësia u shpall, por nuk u njoh ndërkombëtarisht. Deklarata e pavarësisë ishte pikënisja e lëvizjes së përbashkët të partive poltike të Kosovës për rezistencë kundër sulmeve serbe gjatë viteve 1990. Ideator i saj ishte kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova.

28 nëntor 1997 – UÇK

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua pas vitit 1995, si përgjigje ndaj dhunës serbe në Kosovë. Dalja e parë publike e saj u bë më 28 nëntor 1997. Sekretar Politik i saj u zgjodh Hashim Thaçi, ndërsa komandant i Shtabit të Përgjithshëm ishte Agim Çeku. UÇK-ja ishte lëvizja e armatosur e kosovarëve që bëri jehonë në mbarë botën.

Ngjarje shënjuese do të ishte dita tragjike e 5 marsit 1998, ku në fshatin Prekaz u vranë 50 shqiptarë dhe dy serbë nga luftimet mes ushtrisë serbe dhe familjes së komandantit, Adem Jashari. Shumica e viktimave në këto luftime ishin civilë të paarmatosur, gra dhe fëmijë, të cilët u masakruan nga bombardimet e artilerisë serbe.

Ngjarjet që pasuan vazhdonin të ishin tronditëse. Jehonë bëri ajo që njihet si Masakra e Reçakut. Mëngjesin e 15 janarit 1999 në fshatin Raçak forcat paramilitare serbe sulmuan fshatin duke vrarë të gjithë burrat. Pasi i torturuan, i çuan në një kodër ku i ekzekutuan. Asnjë prej viktimave nuk ishte i armatosur. Në Reçak u vranë 45 persona mes të cilëve një grua.

Ambasadori i OSBE-së, William Walker, këtë akt do ta cilësonte si një krim kundër njerëzimit.

24 mars 1999 – Ndërhyrja e NATO-s

Serbët u kishin thënë “jo” idesë që të rikthehej statusi i para viteve ’90 Kosovës në Rambuje. Ndërkohë, krimet në Kosovë vazhdonin nga ushtria dhe para-militarët serbë. Në këtë situatë më 24 mars 1999, NATO ndërmori sulmin frontal ndaj ushtrisë serbe.

Për 74 ditë me radhë avionët e NATO-s sulmuan të gjitha qendrat e ushtrisë së serbe në Kosovë dhe në Serbi. Bombardime u bënë dhe në Beograd. Nën këtë presion të paparashikuar, ushtarët serbë u detyruan të tërhiqen nga Kosova.

28 tetor 2000 – Zgjedhjet e para në Kosovë

Në zgjedhjet lokale të 28 tetorit të vitit 2000, LDK-ja e Ibrahim Rugovës fitoi shumicën dërrmuese të njësive vendore. Por më shumë se fitorja e një force të moderuar rëndësi kishte zhvillimi i zgjedhjeve. Nga organizatat që monitoruan procesin zgjedhor, zgjedhjet e para të lira të popullsisë së Kosovës u klasifikuan të rregullta.

Në zgjedhje morën pjesë 72 parti politike. Këto zgjedhje do të shënjonin edhe nisjen e përpjekjeve diplomatike për arritjen e shpalljes së pavarësisë.

2006 – bisedimet në Vjenë

Në vitin 2006, filluan në Vjenë mes delegacioneve kosovare dhe serbe bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, me iniciativë të bashkësisë ndërkombëtare, me ndërmjetësim të dërguarit special të OKB-së, Marti Ahtisari.

Delegacioni kosovar në këto bisedime përbëhej nga Fatmir Sejdiu President i Kosovës, Agim Çeku kryeministër, Lutfi Haziri ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Blerim Shala, gazetar, Hashim Thaçi, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (partia më e madhe opozitare në atë kohë), Kolë Berisha kryetar i Kuvendit dhe Veton Surroi, Kryetar i partisë “ORA”, kujton Insajderi.

Sipas Ahtisarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktonte kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme të stabilizuar. Ahtisari përfshiu në bisedime masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive të ndryshme the anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.

Marrëveshja përshkruante masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synonin të kontribuonin në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike dhe demokratike.

17 shkurt 2008 – Shpallja e pavarësisë

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës mblidhet për të shpallur pavarësinë.

119 deputetët e Kuvendit, që ishin në seancën e jashtëzakonshme, unanimisht votuan pro deklaratës së pavarësisë. Deklaratën e pavarësisë e lexoi i kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.