10.3 milionë euro në vit, pagat e menaxherëve zvicerianë

458
Menaxherët e kompanive të mëdha zvicerane paguhen më së miri në Europë. Ata, gjatë vitit të kaluar kanë fituar mesatarisht nga 11.8 milionë franga ose 10.3 milionë euro.
E kjo është për 3 milionë më shumë se homologët e tyre britanikë, të cilët janë në vendin e dytë në renditje, konstaton studimi i bërë nga ndërmarrja konsulente Willis Towers Watson.
Kështu, top-menaxherët britanikë fitojnë mesatarisht nga 7.4 milionë euro, para atyre spanjollë, me nga 5.6 milionë euro dhe menaxherëve gjermanë që mesatarisht fitojnë nga 5.1 milionë euro në vit.
Me 14.1 milionë franga (12.3 milionë euro) të fituara, menaxheri më i paguar gjatë vitit të kaluar ka qenë shefi i bankës më të madhe të Zvicrës, Sergio Ermotti. Pas tij vjen shefi i Kompanisë Farmaceutike të Bazelit Novartis, Joseph Jimenez me 12.4 milionë franga. I treti në listë është kryemenaxheri i kompanisë tjetër farmaceutike po ashtu të Bazelit, “Roche”, Severin Schwan, me 12.1 milionë franga të fituara gjatë vitit. Në vendin e katërt vjen shefi i bankës tjetër të madhe, Credit Suisse, Tidjane Thian me 10.3 milionë euro të ardhura vjetore.
Përkundër mesatares më të lartë që kanë top-menaxherët zviceranë marrë në përgjithësi, kryemenaxheri që ka fituar më shumë gjatë vitit të kaluar ka qenë një britanik. Ai është Rakesh Kapoor, shef i gjigantit të kompanisë Reckit Benckiser, të ardhurat vjetore të të cilit kanë qenë 14.4 milionë euro. Ai vetëm një vit më parë kishte fituar madje 20.9 milionë euro.
As në vendine dytë në “konkurrencën individuale” nuk figurojnë menaxherët zviceranë. Me 13.3 milionë euro fitim, i dyti në Europë është Martin Sorrell, themelues dhe shef i konsorciumit britanik WPP. Zvicerani Ermotti del i treti në këtë listë, me 12.3 milionë euro.
Megjithatë, 4 nga 10 top menaxherët europianë që kanë fituar më së shumti gjatë vitit të kaluar janë zviceranë.
Sigal