Skandali, MAS “shet” të drejtën e librit shkollor

455
Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka vendosur të përqendrojë 25 milionë dollarë (xhiroja e parave që lëviz me librat shkollorë) në duart e një apo dy shtëpive botuese (botues afër pushtetit politik), duke “shitur” në këtë mënyrë të drejtat e librit shkollor. Kjo akuzë vjen nga shtëpitë botuese të librit shkollor, të cilat, unanimisht i kanë kërkuar takim ministres për të qenë pjesë e kësaj reforme, që prek direkt interesat e tyre, por deri më tani asnjë hap konkret nga znj. Lindita Nikolla. Kështu, MAS ka vendosur që librat e shkencave natyrore t’i bëjë me përkthime nga Anglia, edhe pse zyrtarisht shtëpitë botuese nuk janë vënë në dijeni për ndonjë procedurë tenderimi. Porse flitet nën zë, korridoreve të MAS, që një shtëpi botuese (?) i ka blerë të drejtat e autorit për të gjitha librat e shkencave natyrore nga klasa e 1-12 dhe ka filluar ndërkohë punën me përkthimin e tyre. Kemi të bëjmë këtu me një aferë të madhe korruptive, miliona dollarëshe, që i jepet si ekskluzivitet shtëpisë botuese (2 emra qarkullojnë) afër pushtetit politik. Ndërsa në “anderground” shitet nga MAS e drejta e librit shkollor, askush nuk ka marrë përsipër që shtëpitë botuese të vihen në dijeni. Apo, në fund të fundit, siç edhe ndodh rëndom në Shqipëri, të bëhet një tender fiktiv për të mbytur zërat e korridoreve në Ministrinë e Arsimit duke nxjerrë fituesin, nëpërmjet gjoja një tenderimi. Por, ndërsa të zgjedhurit e ministres së Arsimit po bëjnë gati librat, botuesit e tjerë do të jenë thjesht spektatorë të këtij procesi, pasi do ta kenë të pamundur të përgatisin libra me kualitet, për shkak të kohës së pamjaftueshme. Nga përvoja, në fund të marsit shtëpitë botuese duhej të kishin dorëzuar librin shkollor, porse procedura e ndjekur nga MAS këtë vit, lë shumë për të thënë e nënkuptuar. 
Përjashtimi i botuesve, nëpërmjet shtrëngimit të afateve nga MAS
Botuesit thonë se MAS ka nxjerrë kurrikulat e reja për klasën e parë dhe të gjashtë në dhjetor të vitit të kaluar, gjë që futi në punë shtëpitë botuese që të fillonin me përgatitjen e librave. Por ajo çka sabotoi punën gati 3-mujore të tyre është se urdhri, i firmosur nga ministrja për standardet e librit shkollor, i përket datës 2.2. 2015, ndërsa publikohen në vvebsite-n e MAS në 16 mars. Pas 3 muajsh nga dalja e kurrikulave, MAS shpall standardet me një muaj e gjysmë me vonesë nga firmosja, duke e ditur që shtëpitë botuese po punojnë dhe u duhet t’u rikthehen nga e para duke bërë përmbysje tekstesh. Dhe ajo që është akoma dhe më skandaloze, sipas botuesve, është se në “Standardet e librit shkollor” në faqen 11 “Shpallja e konkursit” në një postskriptum thuhet “Botuesit, përveç dokumenteve që provojnë statusin e tyre juridik, mund të dorëzojnë, fillimisht, vetëm disa fashikuj të tekstit shkollor, numri dhe karakteristikat e të cilëve përcaktohen në “Rregulloren e konkursit”. Pra, rregullorja e konkursit të librit për klasën e parë dhe të gjashtë (se për të dhjetën, ende nuk kanë dalë kurrikulat e reja) që do zhvillohet sivjet nuk ka dalë akoma dhe botuesit nuk kanë asgjë, as datat, as karakteristikat, pra, asnjë orientim sesi duhet të punojnë. Botuesit i quajnë fyerje për ta fjalët që qarkullojnë korridoreve të MAS, se “botuesit i bëjnë tekstet për një muaj”. Ndërkohë, që ministria ka kritere e kërkesa të forta (standardet e reja të librit shkollor), si mund të pretendohet që këto kritere të plotësohen për një muaj… Gjithashtu te “Standardet” thuhet që tekstet nuk do të certifikohen menjëherë, por do të pilotohen, pra do të merren dhe do të provohen në shkolla. Por, sesa alternativa do të pilotohen, si e qysh, asnjë informacion…
Reforma e librit shkollor, MAS nuk pret botuesit 
Edhe pse Ministria e Arsimit shprehet publikisht se ka marrë mendimin e grupeve të interesit në reformën e librit shkollor, botuesit e mohojnë njëzëri këtë. Ata ndihen të shfrytëzuar, pasi botuesit mbajnë në kurriz jo vetëm botimin, por edhe financimin e librit shkollor. Edhe pse ende nuk kanë nisur diskutimet e standardeve të reja, për botuesit, janë shqetësuese shkeljet dhe kapërcimet e paprecedent nga MAS, përsa i takon librit shkollor. Botuesit janë skeptikë për cilësinë e librit shkollor që do të kenë nxënësit këtë vit shkollor, ndërsa janë shpallur deri më tani kurrikulat vetëm për klasën e parë dhe të gjashtë, ndërsa për klasën e dhjetë ende nuk është shpallur asnjë kurrikul. Botuesit kujtojnë se kanë punuar fort për librin shkollor, por edhe i kanë mbajtur në kurriz problemet që kanë dalë më mbrapa, edhe pse këto libra kanë kaluar nëpërmjet komisioneve të ministria, janë certifikuar nga ministria, janë nënshkruar kontratat te ministria. 
Qarkullimi i librave të vitit të kaluar
Përpos librave të klasës së parë, të gjashtë dhe të dhjetë, për klasat e tjera do të qarkullojnë sërish librat që kanë qenë. Por botuesit janë ende në errësirë për mënyrën sesi do të veprohet, pasi sipas tyre korridoreve të MAS-it flitet se edhe për këto klasa do të qarkullojë vetëm një tekst për çdo titull, porse ende asgjë zyrtare. Pra, ende nuk dihet se si do të veprohet, mbi ç’bazë do të bëhet seleksionimi, cilat janë kriteret, cili është komisioni vlerësues, etj.. Nga ana tjetër, ajo çka shqetëson dhe ka pasur një reaksion goxha të madh në mes botuesve janë magazinat plot me libra të mbetur të pashitur nga viti i kaluar. Ato janë miliona lekë që bien në kurriz të botuesit të librit shkollor, ndërkohë që MAS i ka dhënë të drejtën, ka nënshkruar kontratën, pra, libri i ka kaluar të gjitha hallkat e konkurrimit. Për ta është non sens të mos merret mendimi i grupeve të interesit që mban reformën gjallë duke hedhur paranë dhe merr përsipër riskun për të çuar librin në shkollë. 
MAS nxjerr të papunë mijëra punonjës të shtëpive botuese 
Përpos këtyre problematikave, është dhe diçka tjetër që shqetëson botuesit. Reforma e librit shkollor, pra, miratimi vetëm i 1 teksti për titull, duke hequr të gjitha alternativat e tjera, mbyll rreth 80 % të shtëpive botuese. Që do të thotë, mijëra punonjës të këtyre shtëpive botuese dalin në rrugë si të papunë, duke thelluar këtë plagë të rëndë të shoqërisë shqiptare. Përqendrimi i parasë në duar klienteliste dhe papunësia e mijëra punonjësve janë ato çka do arrijë MAS me këtë reformë të pastudiuar dhe të parrahur me grupet e interesit. 
Pritet rritje e çmimit të librit shkollor 
Askush nuk e thotë, por botuesit e librit shkollor shprehen se libri i shkencave natyrore, i përkthyer, do të dalë në treg më shtrenjtë se ky aktuali. Botuesit e dinë se kostoja e librave që përgatiten nga studiues vendas nuk mund të krahasohet me koston e librit të përkthyer; kanë të drejtën e autorit (copyrighting) brenda, kanë përkthimin brenda që sigurisht duhet të bëhet nga një specialist i fushës. Porse e gjithë kjo kosto do të rëndojë në kurrizin e familjeve shqiptare, veçse nëse do e marrë përsipër ta rimbursojë shteti… Por kjo është “non sens” për botuesit. Ata kujtojnë gjithashtu se para disa vitesh u eksperimentua me përkthimin e librit shkollor, porse futja e alternativave një vit më pas nga ministria, tregoi dështimin e këtij eksperimenti. 
Sigal