Program Praktike në Kuvendin e Shqipërisë

560
Sigal

Instituti Demokratik Amerikan (NDI) në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, fton të rinj e të reja të moshës 21-26 vjeç të angazhuar në partitë politike dhe studentë të universiteteve të aplikojnë për programin e praktikës 6 mujore me deputetë të përzgjedhur të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë. Të rinjtë e përzgjedhur përmes një procesi meritokratik, do të caktohen që të asistojnë një deputet/e në përmbushjen e detyrave të tij/saj legjislative, përfaqësuese si dhe mbikëqyrëse. NDI do të ftojë ekspertë të grupeve parlamentare nga Parlamentet në rajon për të ndarë me pjesëmarrësit në program praktikat më të mira të asistencës për deputetët si hulumtime, analiza juridike për projektligjet, përmbledhje e shtypit, etj. Ky program do ti japë mundësinë aktivistëve të rinj të zhvillojnë aftësitë e tyre kërkimore dhe politike, të krijojnë lidhje profesionale me deputetët/et si dhe të mësojnë mënyrën sesi funksionon organi legjislativ në vendin e tyre.

Aplikantët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

Të jenë midis moshës 21-26 vjeç;

Të kenë rezultate të larta akademike.

Fakultetet si Drejtësia, Ekonomiku, Shkencat Politike dhe Sociale përbejnë avantazh;

Të zotërojnë anglishten dhe preferohet një gjuhë tjetër e huaj ;

Të jenë të informuar mbi zhvillimet politike ne vend

Të kenë informacion mbi pushtetin legjislativ.

Anëtarësia në një parti apo forum politik nuk përbën kusht për aplikim.

Afati për dorëzimin e formularit të aplikimit dhe letrës së referencës është data 9 Shtator 2019.