Ndryshimet dhe kuotat për vitin e ri akademik në Fakultetin e Drejtësisë

2807
Sigal

Intervista/Flet Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Altin Shegani, për vitin e ri akademik

Fakulteti i Drejtësisë ka propozuar 550 kuota për vitin e ri akademik 2012-2013. Këtë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” vetë Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Altin Shegani. Këto kuota, sipas Sheganit janë propozuar duke marrë parasysh edhe ambientet që ka aktualisht ky fakultet. Ndërkohë që, po sipas propozimit të bërë në senatin e Rektoratit, është kërkuar që të mos ketë rritje të tarifës së studimit edhe për vitin e ri akademik, për shkak të krizës ekonomike. Vitin tjetër Fakulteti i Drejtësisë, sipas zotit Shegani, shpreson që të ketë në përdorim edhe dy katet e tjera ku aktualisht zhvillon mësim Fakulteti i Shkencave Sociale. Përsa i përket sistemit të masterave, dekani ka shtuar se për vitin e ri akademik kanëi riorganizuar dhe riemërtuar programet e nivelit të dytë si Master Shkencor, respektivisht në të Drejtë Publike, Penale dhe Civile. Ky riorganizim ka shkuar në funksion të konceptimit më të mirë të Gjeografisë Kurrikulare, që do të thotë janë shtuar lëndë që janë parë të nevojshme nga departamenti”.

 -Zoti Shegani, sa kuota keni propozuar për vitin e ri akademik për Fakultetin e Drejtësisë?

Së pari, në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës ka përcjellë pranë senatit propozime të cilat definohen nëse miratohen si të tilla apo jo, pastaj është kompetencë e Ministrisë së Arsimit. Por unë do të ju njoh me kuotat që kemi propozuar në Rektoratin e Universitetit. Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë ka propozuar 550 kuota për vitin e ri akademik dhe me tarifën e shkollimit që është e pandryshuar nga viti i mëparshëm 2011-2012. Pra 550 kuota për ne është një numër i arsyeshëm duke pasur parasysh edhe mundësinë që ne do të kemi për zgjerim të ambienteve, pasi vitin tjetër akademik shpresojmë që të kemi edhe dy katet e sipërme të godinës. Kështu që mendoj që është një numër i përputhshëm me të gjitha kriteret, edhe tarifa e shkollimit është e pandryshuar.

 -Po për Masterin, sa kuota keni propozuar, a kanë pësuar rritje këto kuota?

Përsa i përket kuotave të Masterit, Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë në maj i ka propozuar Rektoratit kuotat e Masterit Shkencor në Drejtësi dhe kuotat e Masterit Profesional. Kuotat kanë qenë, për profilin civil 40-70 kuota, profilin penal  40-70 kuota, profilin publik 40-70 kuota. Pra në total mund të bëhen 120-210 kuota, të ndara sipas departamenteve. Përsa i përket Masterit Profesional janë propozuar për të Drejtën Civile 40-100 kuota, e Drejta Penale ka 40-100 kuota, Profili Publik  40-100 kuota. Pra gjithsej janë 120-300 kuota. Kemi marrë dyshemenë dhe tavanin e kuotave me qëllim që Ministria e Arsimit të orientohet më mirë, sepse këto kanë karakter këshillimor, edhe këtu nuk kemi vendosur për rritje të tarifave, sepse duke marrë parasysh edhe krizën që po kalojnë disa shtete ne nuk kemi dashur që të rëndojmë shumë studentët me tarifat. Por gjithsesi për vitin e ri akademik ne kemi riorganizuar dhe riemërtuar programet e nivelit të dytë si Master Shkencor, respektivisht në të Drejtë Publike, Penale dhe Civile. Ky riorganizim ka shkuar në funksion të konceptimit më të mirë të Gjeografisë Kurikulare, që do të thotë janë shtuar lëndë që janë parë të nevojshme nga departamenti.

 -Ju më lart na paraqitët propozimet që keni bërë për kuotat për vitin e ri akademik, realisht sa është numri i kuotave që është miratuar për këtë fakultet?

Normalisht ne akoma nuk na ka ardhur zyrtarisht miratimi, por nga përvoja e viteve të shkuara na rezulton që Ministria e Arsimit i ka marrë parasysh propozimet e Universiteteve.

 -Për vitin e ri akademik me këto propozime që keni bërë ju për kuotat, a e keni stafin e mjaftueshëm akademik?

-Po, pyetja është me vend, duke filluar që nga viti 2008 stafi i Fakultetit të Drejtësisë është gati i dyfishuar dhe po e kalon dyfishimin. Ne shpresojmë që edhe në fillimin e vitit të ri akademik të bëjmë disa pranime të reja. E gjithë kjo bëhet që të përshtatemi përkundrejt normale europiane të arsimit të lartë. Do të thotë që ka një tregues të caktuar për metër katror për student, ka një tregues të caktuar i numrit të pedagogëve për student e kështu me radhë.

 -Ka një trend vitet e fundit të maturantëve për të qenë pjesë e Fakultetit të Drejtësisë, cilat janë, sipas jush, arsyet që e përzgjedhin këtë fakultet dhe çfarë u ofroni realisht studentëve?

Është e vërtetë që ka një trend për të zgjedhur këtë fakultet, po të shohim kërkesat këto gati-gati kanë qenë në një kreshendo të plotë. Është një fakultet i kërkuar, mendoj unë, se vetë fushat e profesioneve që ka janë të tilla që gjejnë aplikimin jo vetëm në sferën publike, por edhe në sferën private. Mjafton që të kujtojmë faktin që, nëse një ekonomist është i domosdoshëm për një kompani, atëherë edhe një jurist është po kaq i domosdoshëm për një kompani, sepse kujdeset për shëndetin juridik të një entiteti juridik privat. Unë mendoj që roli i juristit në shoqëritë bashkëkohore është shumë i domosdoshëm.

 -A do të ketë mastera të rinj që do të hapen për herë të parë këtë vit?

-Unë e thashë edhe pak më lart, që ne kemi bërë një riorganizim dhe kemi riemërtuar masterat që kemi pasur. Por kemi një program të ri masteri, për të cilin Fakulteti i Drejtësisë bashkëpunon me Fakultetin e Shkencave Sociale. Ky është një master, i cili fokusin e tij do ta ketë kryesisht për kandidatët që aktualisht punojnë në shërbimin e provës. Si një organizëm i ri, menduam që ai ka nevojë që të profilizohet dhe specializohet dhe njëkohësisht për të gjithë aktorët e tjerë që punojnë në sistemin perintenciar në Republikën e Shqipërisë.

Kemi ambiente të pamjaftueshme

Duhet të kemi parasysh një gjë që ne kemi gjykuar edhe hapësirën e mjediseve, pasi dëshira është që të pranojmë më shumë por ambientet i kemi të reduktuara. Por ne e kemi një nga pikat tona të së ardhmes që shumë shpejt të kemi pjesë të hapësirave tona universitare edhe dy katet e tjera të godinës ku aktualisht Fakulteti i Shkencave Sociale. Meqenëse qeveria i ka akorduar një godinë Universitetit të Tiranës, që është godina e ish Rrobaqepësisë Ushtarake, tashmë kjo godinë në dijeninë time është bërë tenderi për këtë dhe kanë filluar punimet, mesa di. Më rregullimin e kësaj godine Fakulteti i Shkencave Sociale kalon atje dhe Fakulteti i Drejtësisë shton ambientet e tjera me dy kate.