Sigal

Shkollat 9 vjeçare “Vasil Shanto”, “Dora D’istra dhe “Isa Boletini”, në këtë vit të ri shkollor do të kalojnë vetëm në turn të parë.

Mbingarkesa e tyre është ulur për shkak të zgjerimit të kapaciteteve të tyre, ndërtimit të institucioneve të reja arsimore.

Drejtorja e DAR Tiranë, Arjola Byzyka, thotë se me turne do të mbeten gjimnazet “Ismail Qemali” edhe për shkak të ndërhyrjes në infrastrukturë dhe “Sami Frashëri” që përballet ende me kërkesa të larta për të vazhduar mësimin në të.

“Sivjet kemi edhe tre institucione të reja që kalojnë paradite si shkolla “Vasil Shanto”, “Dora D’istra dhe “Isa Boletini”, që pas rikonstruksionit kanë fituar edhe mjedise të reja, nuk do të jenë më me dy turne, por me një turn.”

Tirana nuk ka ndryshuar trendin e shkollave të pëlqyera, pavarësisht se autoritetet arsimore kanë garantuar se monitorimi për standarde është i njëjtë.

Vazhdon për fat të keq, sigurisht me ndryshime të vogla që një grup i vogël shkollash 9 vjeçare dhe dy-tre gjimnaze të Tiranës të mbeten më të preferuara. Ka një lëvizje të madhe nga periferia drejt qendrës. Kjo sjell shumë shqetësim”, shprehet Byzyka.

Viti i ri shkollor nis më 17 shtator. Nevojat reale për ndërtime të institucioneve të reja arsimore janë për 17 objekte të reja që do të përballonin fluksin e nxënësve të një Tirane në rritje të numrit të popullsisë.

Shkolla të reja të ndërtuara nga bashkia e Tiranës është, “Ardian Klosi”, “Betim Muço” dhe shkolla “Kosova” e rindërtuar që do të hapë dyert e saj në ditën e parë të shkollës.