Korrupsioni i radhës në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës

1041
Në pothuajse 25 vjetët e ekzistencës së tij, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka qenë “tabelë qitjeje” për korrupsionin që ka gëluar aty. Kjo ka qenë edhe arsye që pjesa më e madhe e rektorëve të këtij universiteti, sidomos këto vitet e fundit, nuk e kanë çuar deri në fund mandatin e tyre. Po nga ky universitet vjen edhe një çudi e radhës: ndonëse rektori aktual Albert Qarri ka mbi shpinë një mal me akuza për shpërdorim detyre, ende nuk i është future asnjë gjëmb në këmbë dhe ai ndërkohë vazhdon ta trajtojë këtë universitet si çiflikun e tij dhe të bëj aty çfarë t’i dojë oreksi. Spektri i akuzave të bërë publike nga shumë pedagogë dhe punonjës të brendshëm të tij është me shumë ngjyra, që nga kompromiset në zgjedhjet që megjithatë u quajtën demokratike, tek emërimi dhe ç’emërimi i pedagogëve dhe dekanëve, tek tenderat qindramilionëshe dhe nuk i verifikon askush e deri tek harxhimi i miliona dollarëve për ecejaket e këtij rektori në SHBA dhe Kanada ku ai shkon privatisht për të qëndruar pranë familjarëve të vet me dieta nga universiteti. 
Kallzimet penale ndaj rektorit
Për të gjitha këto ka edhe kallëzime penale dhe dosja ende qëndron në sirtarët e prokurorisë së rrethit gjyqësor në Vlorë dhe një dorë e padukshme nuk e lë atë të zbardhet. Por ne nuk do të merremi me të gjitha këto por po publikojmë korrupsionin e fundit, gjysma e të cilit ka ndodhur dhe gjysma tjetër pritet të ndodhë këto ditë, nëse nuk aktivizohen institucionet përkatëse. Menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga PD më 2013, rektori Qarri emerojë në detyrën e kancelares së universitetit njërën prej eksponentëve veteranë të kësaj partie, drejtoreshën e përjetshme, Laureta Bejkosala. Nuk dihet se me urdhër të kujt partie. (Këtu na duhet të bëjnë një parantezë: ende dhe sot e kësaj dite nuk dihet se në cilën parti militon aktualisht vetë rektori. Ai ka një histori mbase për në ‘Guiness’. Për vetë hyrje – daljet nëpër partira ai është një klloun politik. Në fillim të lëvizjes demokratike ishte me partinë fituese, PD me të cilën mbushi thesin me para në doganë, më pas ka marrë nga vetë Edi Rama në një ceremoni zyrtare teserën e PS, më pas iu rikthye PD për t’u bërë rektor nga ish deputeti Ardi Kollozi, pak më vonë kaloi tek LSI-ja dhe sot i është ngjitur përsëri partisë në pushtet). Nuk dihet po ashtu se me urdhër të kujt vetëm një muaj më parë ai e ka thirrur këtë zonjë në zyrë dhe në mënyrë ultimative i ka dhënë urdhër të japë dorëheqjen, duke mos pranuar asnjë argument për të kundërtën. Në këto kushte, ai ka hapur edhe një garë për detyrën e kancelarit të këtij universiteti. Janë paraqitur në këtë garë 5 kandidatë dhe në përzgjedhjen e parë çuditërisht në vend të parë klasifikohet personi që ka më pak kredite ligjore, ekonomike por edhe moshë për këtë detyrë, ish deputeti Eduard Alushi. 
Rekrutohet krushku ku rektori është dhëndërr
Po rendisim më poshtë arsyet se përse ky person nuk i plotëson kushtet për këtë vend pune. Ai ka përfunduar pothuajse përpara 40 vjetësh universitetin e Tiranës, faklutetin e Ekonomisë, në degën ekonomi – plani dhe ka shërbyer në atë sistem, me metodat e tij. Është në moshën pak mbi të 60-të dhe pa asnjë prespektivë për këtë universitet, kur të katër kandidatët e tjerë në këtë aspekt janë më të favorizuar. Arsimi tyre është bashkëkohor dhe një pjesë e tyre janë edhe me master shkencor dhe mesatare mbi 9. Jo vetëm kaq por kandidati Alushi ka rreth 20 vjet që nuk punon në asnjë stad të administratës shtetërore duke humbur çdo ndjesi të kërkesave bashkëkohore në këtë administratë. Ai ka vite e vazhdon edhe sot të trajtohet me një pension deputeti në shifrat rreth 700 mijë lekë të vjetra, besoj të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e tij në këtë prag pensioni. Ndërkohë që të katër kandidatët e tjerë kanë përfunduar mësimet në këtë universitet dhe janë më afër direkt me problemet që ka ky universitet. Në këto kushte është shumë normale pyetja: kush janë kushtet që plotëson ky kandidat që klasifikohet iI pari në përzgjedhjen e parë? Përgjigja qënka kaq e thjeshtë: ish deputeti është krushk në familjen ku rektori është dhëndër. Më saktë, në të njëjtën familje ku rektori ka marrë gruan e tij, ish deputeti Alushi ka dhënë vajzën e tij dhe kështu i bie që rektori është as më pak dhe as më shumë, kunat me vajzën e ish deputetit. Kaq mjafton pët të penguar këtë “martesën” tjetër zyrtare institucionale, për cuarjen në detyrën e kancelarit ish deputetin Alushi. 
Rrjeti nepotik i rektorit Qarri
Jo vetëm kaq por rrjeti nepotik shkon edhe më lartë, deri në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, aty ku është edhe “çadra” mbrojtëse e këtij rektori dhe pikërisht tek zëvëndësministrja e “betonuar” e arsimit, zonja Nora Malaj. Ajo propogandon me të madhe se është “bijë Shkodre” dhe këtu tregon të vërtetën, por ka harruar të thotë po ashtu se është nuse në Tërbaç të Vlorës dhe se vjehërri i saj është si rastësisht kushëri i parë me vjehërrin e vetë rektorit Qarri. Mesa duket kjo është edhe arsyeja e bllokimit të dosjeve që janë aktualisht në prokurorinë e rrethit gjyqësor së Vlorës kundër rektorit Qarri. Për të mos shtuar edhe një dosje tjetër në këtë prokurori ndaj zotit Qarri, ne morëm guximin të bëjmë publik veprimin korruptiv që po përgatitet në këtë universitet. Ka një domethënie të madhe vendosja në rolin e kancelarit të këtij universiteti të ish deputetit Alushi, tashmë krushk i parë me rektorin Qarri: me ligjin e ri të arsimit të lartë, kancelari do të jetë i pavarur nga rektori i universitetit dhe në këtë mënyrë rektori, përmes krushkut të tij do të vazhdojë të “komandojë” kancelerinë e universitetit, jo për ndonjë gjë të madhe por të paktën të sigurojë lekët dhe dollarët që i duhen për të shkuar në Amerikë. Në këtë kuadër i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama dhe Ministres Nikolla të marrin masa për të mos ndodhur ky fakt dhe në vendin e kancelares së universitetit “Ismail Qemali” të shkojë një student dalë nga ky universitet, që i njeh nga afër problemet që ai ka.
Sigal