Kaçani sfidon shtetin

489
Sigal

Falsifikimi/Ministria e Veliaj shkresë Politeknikut për verifikimin e diplomës së drejtorit, që në dhjetor 2014, ndërsa rektori “fluturon” me paratë e studentëve

Jorgaq Kaçani dhe vartësit e tij kanë vendosur të heshtin me çdo kusht në lidhje me verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve të lëshuara nga ky institucion i arsimit të lartë. Kaçani dhe institucioni që ai përfaqëson, madje, kanë vendosur të sfidojnë dhe shtetin me qëndrimin e tyre zyrtar, duke dalë, në këtë mënyrë, opozitarë me transparencën. Kaçani i ka mohuar zbardhjen e së vërtetës edhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke heshtur ndaj kërkesës zyrtare të kësaj ministrie. “Nisur nga ankesat e shumta, të ardhura në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në lidhje me drejtorin e shkollës profesionale në Vlorë, i kemi kërkuar, që në dhjetor, Fakultetit të Inxhinierisë Mekanikë në Universitetin Politeknik Tiranë, që të verifikojnë vërtetësinë e diplomës dhe listës së notave të personit në fjalë. Por, deri tani asnjë përgjigje”, thonë për “Telegraf” burime zyrtare nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR). Po nga të njëjtat burime, thuhet se, personi në fjalë është drejtor i komanduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por meqenëse, ligjërisht, arsimi profesional ka kaluar, tashmë, në varësi të MMSR-së, edhe dosjet e punonjësve apo drejtuesve në institucionet e arsimit profesional po transferohen në këtë ministri. Dhe në kuadër të kësaj nisme ligjore, kur ka indicie për falsifikim të dokumenteve zyrtare, MMSR kërkon verifikimin e tyre nga institucioni, të cilit i përkasin. Porse, edhe pse po kalojnë dy muaj nga kërkesa e MMSR-së, Universiteti Politeknik nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke sfiduar hapur edhe institucionet shtetërore…

 “Kaçanët” dhe mungesa e transparencës

Megjithëse kemi një Ligj të ri “Për të drejtën e informimit”, e vlerësuar si të mirë dhe brenda e standardeve të kërkuara nga ana e “Freedom House”, në raportin e fundit të tij, e ka vlerësuar Shqipërinë në grupin e vendeve pjesërisht të lira. Sepse, nuk qëndron problemi te ligji, por te “Kaçanët” që nuk e respektojnë dhe e zbatojnë atë. Transparenca është detyrim ligjor për çdo institucion publik dhe për çdo funksion publik, i cili paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptar. Nuk mund të ketë justifikime në emër të mbrojtjes së të dhënave personale, se ekziston dhe ana tjetër e medaljes, e drejta e informimit. Kështu, nuk mund të refuzohet informacioni i kërkuar, në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij, e sidomos kur kemi të bëjmë me një pozicion publik. Porse “Kaçanët” kanë vendosur të jenë më “të fortë” se ligji duke mos bashkëpunuar në zbardhjen e së vërtetës, edhe kur kjo kërkesë i vjen nga media, apo nga një tjetër institucion shtetëror. “Kaçanët” janë pjesë, edhe e raportit të fundit të DASH, në pjesën që i kushtohet lirisë së medias, ku kritikohet mungesa e respektit ndaj lirisë së fjalës dhe medias.

 “Fluturimi” i Kaçanit

Një pjesë e mirë e njerëzve të veshur me pushtet mundohen të zhduken nga qarkullimi sa herë emri i tyre diskutohet në publik, për zullumet që kanë bërë, sepse “çudia 3 ditë zgjat” për shqiptarët. Në funksion të zbardhjes së të vërtetës, “Telegraf” kërkoi të kontaktojë me rektorin e Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, por nuk mundëm ta realizojmë, për shkak të largimit të tij jashtë shtetit. Por, edhe pse Kaçani “fluturoi” larg, problemi ende qëndron, asgjë nuk është zgjidhur. “Fluturimet” në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, studentëve, të cilëve u rriten tarifat e studimit vit pas viti vetëm sa e komplikojnë situatën. Nuk “fluturon” problemi, por paratë e studentëve, paratë e gjithë taksapaguesve shqiptarë, që keqpërdoren nga fluturakët. Porse shpresojmë se pyetja “A është Universiteti Politeknik, fabrikë diplomash të falsifikuara?” të mbërrijë “fluturimin” e Kaçanit…

Ledjana Saliu