Dr. Ndriçim Mehmeti/ Shteti në borxh ndaj mësuesve, shkollës dhe prindërve

491
Sigal

Në një artikull të muajit korrik, kisha tërhequr vëmendjen se shteti nuk kishte paguar hartuesit, vlerësuesit, drejtuesit teknik të testeve të MSH për vitin 2013 dhe 2014. Përpara periudhës së vlerësimit, autoritete më të larta të MAS, u kishin premtuar mësuesve se do t’i paguanin menjëherë të gjithë hartuesit, vlerësuesit dhe drejtuesit teknik të korrigjimit të testeve të Maturës Shtetërore 2014, në mënyrë që këta të fundit të bënin “një palë pushime të këndshme”. Në datën 10 shtator, premtimi i kahershëm i kryetares së MSH 2014, për të Paguar, edhe ata që nuk ishin paguar në 2013, u tha se do të bëhej realitet. Mirëpo korriku iku, iku edhe gushti dhe, më së fundi, diku nga data 25 shtator, filloi pagesa e mësuesve me variantin pak e të gjithë.

Si u vlerësuan financiarisht vlerësuesit e MSH-së

Diku të ndrojtur e më pak të revoltuar, nga frika e humbjes së vendit të punës, vlerësuesit e MSH-së, pyesnin specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, nëse do të paguheshin, për punën e bërë. Meqenëse nga MSH 2013, nuk morën ndonjë lek, mbizotëronte frika se do të ndodhte e njëjta gjë. Entuziazmi i përçuar nga Kryeministri ynë, se do të shlyheshin borxhet, mbajti gjallë shpresat e mësuesve, se më në fund do të merrnin një dorë lekësh, për të mbyllur ndonjë vrimë, siç i thonë një fjale, apo për të kaluar ndonjë hall. Dhe në fund të shtatorit, drejtuesit teknik të sallave, morënn ato, të shkretat, lekë (disa ende nuk i kanë marrë) me ndonjë mangësi të vogël. Duke besuar në shpërblimin e viteve më parë, në fakt, mungonin 9 mijë lekë të reja, për secilin.

Ditët e fundit ishte paralajmëruar se popullit, si gjithnjë edhe këtë radhë, do t’i duhej të paguante, ndonjë lek të vogël, me rastin e mbushjes së gropës, që la vjedhja e Bankës së Shqipërisë. Pagesa e borxhit filloi, me ata që shoqëria dhe shteti shqiptar u kanë më shumë borxh: mësuesit. Por si në çdo rast tjetër që prej një viti “Rilindjeje”, mjeshtrit e propagandës, që paguhen shpirtmadhësisht nga populli për të mbuluar zullumin dhe gënjeshtrën, sahanlëpirësit të veshur me petkun e këshilltarëve, nxituan të hapnin lajmin e mirë, se “qeveria u tregua “zemërgjerë” me mësuesit, edhe pse është në vështirësi nga vjedhja e Bankës, u dha atë që meritonin”. Edhe kësaj radhe mësuesit janë të detyruar të heshtin dhe të mos bëjnë shumë zë. Madje, edhe ndonjë shpresë e filluar që nga tetori i 2013-ës, përmes fjalës e premtimit solemn të kryetares së MSH-së 2014, se “ajo do të shkonte deri tek Kryeministri, për të marrë lekët e MSH 2013”, u venit. Mirëpo, ato që u thanë në tetor u harruan shumë shpejt. Askush nuk e shqetësoi më znj. zëvendësministre për premtimin e pambajtur. Madje, po të vëresh me kujdes, ata që bërtisnin më shumë për “gropat financiare të hapura nga qeveria Berisha”, tani nuk flasin më. MAS nuk kujtohet as për borxhin e 2013-ës dhe as për atë të 2014-ës. Pse ndodh e gjitha kjo? Duket qartë se drejtuesit e sotëm të MAS, nuk arritën dot t’i përmbaheshin premtimit ët tyre për të paguar koston financiare të MSH 2014. Pagesa e një pjese të vlerësuesve dhe të drejtuesve teknikë është vetëm një pjesë e borxhit. Ende nuk janë paguar, mësuesit që hartuan fondin e pyetjeve, pyetjet që kanë qenë në test si dhe janë për të paguar edhe vlerësuesit e sezonit të vjeshtës. Duke marrë në konsideratë se vetëm provime të detyruara ishin 3, mesatarisht me 300 pyetje, që grumbullohen paraprakisht për çdo test të provimit të detyruar, t’i shumëzosh me 100 lekë (të reja), janë plot 90 mijë lekë të reja. Nëse me të njëjtën logjikë shkon, edhe për rreth 30 lëndë me zgjedhje, llogaria del vet. Pra, shteti ynë ekonomiqar, si një nikoqire e mirë, i mblodhi rripat mësuesve dhe gjeti mundësinë të arkëtojë ca lekë. Shto edhe lekët e 2013-s, dhe natyrisht, del “qar e mbi qar”. Për të ngushëlluar mësuesit, së fundi, qarkullon legjenda më e re urbane. Banka Botërore e ka marrë vesh marifetin e qeverisë që ka premtuar e s’ka paguar dhe do të jetë ajo që do të vejë dorën në zemër për mësuesit e do të japë një dorë lekë, që të paguhen këta të fundit për 2013-ën. A thua të ketë dërguar haber tek të huajt, vetë kryetarja e MSH 2014? Edhe mundet. Duke parë që Kryeministri, jo vetëm që nuk ia ka vënë veshin kërkesës së saj për paratë e prapambetura dhe ato të mbetura borxh nga ky vit, por edhe mund ta ketë sikterisur me delikatesën që e karakterizon, s’ka gjetur rrugë tjetër, veçse t’i drejtohet BB-së. Se po ju lute shumë Kryeministrit, ai nuk duron e të tregon vendin. Le të mos ngutemi e të presim se, mbase, historia e parave të BB-së, mund të jetë e vërtetë dhe uroj të jetë kështu. Përndryshe, mësuesit t’i qajnë ato lekë dhe vitin tjetër në resht për një, të shkojnë tek Matura pa fjalë. Përndryshe, ka edhe shkurtim të vendeve të punës, mungesë performance, mungesë vigjilence, sabotim reforme.

Borxhi ndaj shkollës, nxënësve dhe prindërve

Në programin e shpallur nga qeveria socialiste thuhej, me shume mburrje, se në vitin e parë shkolla me tre turne, nuk do të kishte, do të pakësohej numri i nxënësve në klasë, do rritej siguria e shumë e shumë premtime. Tani pas një viti nuk kujtohet askush për to. I vetmi premtim, që në fakt u mbajt ishte ai i shkollave me tre turne. Arsyeja e “suksesit”, ishte një dhe vetëm një: Fakti që nuk kishte në asnjë vend shkolla me tre turne. Të tjerat mbetën rrugës. Premtimi për zvogëlim të numrit të klasave, iu përgjigj realiteti i vitit shkollor 2014-2015. Shkollat publike, janë me 40, 45 dhe me shumë nxënës, me mësues dhe drejtues nën presion. Dhjetë ditë përpara se të fillonte shkolla në një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, në Shkodër, drejtuesja e Drejtorisë Arsimore Rajonale jep dorëheqjen. Shtypi dhe disa media, paralajmëruan për pamundësinë e fillimit të vitit shkollor në mjedise të papërshtatshme. Prindër dhe fëmijë që ankoheshin, se nuk kishin mundësi të fillonin shkollën. Por shkolla filloi. Për ta bërë më të larmishme kronikën për arsimin, televizione tërësisht të “pavarura”, gjetën mundësinë të na sjellin shkolla të rrënuara në Librazhd, të cilat po bëheshin të reja falë përkujdesjes së vetë deputetit. Por këto televizione harruan të na thonë se cila është gjendja e shkollës që ishte tërësisht në ujë, në fshatin Thanasaj në Lushnjë, nuk na dhanë ndonjë lajm se cila është arsyeja e mbylljes së shkollave në dy fshatra të Mirditës dhe dërgimi i nxënësve për të mësuar në fshatin Gjorm. Nuk morëm vesh se pse duhet të mbyllen shkolla në komunat e Dibrës dhe të rrezikohen për t’u flakur nga puna, gati 17 mësues, me një përvojë punë, 20-25 dhe deri 35 vjeçare në arsim.

Nuk pamë asnjë shkollë të re të ndërtuar, për të lehtësuar fluksin e madh të nxënësve në qytetet më të mëdha. Nuk kemi parë ende se cili është plani për thellimin e përqendrimit të shkollave për një mësim më cilësor, si dhe marrjen e masave për ofrimin falas siç ishte premtuar për transportin e fëmijëve. Por, si në rastin e shkollave me tre turne, edhe premtimi i transportit falas u dogj, pasi ishte i sanksionuar në aktet nënligjore që para 7 apo 8 vjetësh më parë. Tani duhet të kënaqemi me ndonjë kronikë të marrë e përpunuar mirë në ndonjë zonë deputeti, për të kuptuar se shteti po bën të pamundurën që t’i rrijë pranë shkollës. Për shembull, deri tani është folur shumë për shkollën miqësore e komunitare. Veç faktit që nuk kemi asnjë të dhënë se cilat janë aktivitetet që kryhen në bashkëpunim të komunitetit dhe në dobi të tyre, kemi parë vetëm të kundërtën. Shkolla po manifeston akte dhune të panjohura deri më parë dhe të ksenofobisë, fenomen që thuajse ishte në harresë. Një 17 vjeçar në qarkun e Vlorës, hyn e del për ditë me radhë në shkollë i armatosur dhe askush nuk ka as përgjegjësi dhe as dijeni për ngjarjen. Po në Vlorë, fëmijët e një familjeje dhunohen sistematikisht, poshtërohen e më pas digjen me cigare dhe drejtoresha e shkollës del përpara kamerave për “të vënë dorën në zjarr” se “ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse merr masat shkolla, për një ngjarje që nuk është në juridiksionin e saj? Në vend që të dëgjonim se sa për qind e familjeve janë rimbursuar për blerjen e librave, sa fëmijë të ngujuar kanë dalë nga shtëpia për të vijuar rregullisht shkollë, sa romë dhe egjiptianë, fëmijë nga familje të varfra janë ndihmuar me libra e veshmbathje për të filluar sa më mirë shkollën, ne marrim lajme gjithnjë e më ogurzeza për arsimin. Duke qenë në këtë situatë të zymtë, MAS, kohët e fundit ishte shumë e interesuar që publikut, t’i jepej ndonjë gjë për ta hutuar e për të mos parë përtej asaj që i serviret. Hedhim një shashkë për tekstet dhe fajin ua kalojmë atyre që ikën, pastaj hapim debatin për tekstin e Historisë, pastaj do të pilotojmë këtu e atje, pastaj do të ankorojmë litarët sa andej e këtej, pastaj do të fluturojmë me nxënësit në këtë e atë planet. Pra, si të thuash, ende janë duke qëndruar në ajër, pa zbritur në tokë, ose e dinë që, sa të zbresin, u përvëlojnë këmbët dhe rrinë lart, me inat e pa takat.

Por, më duhet ta përsëris se këta njerëz që qeverisin arsimin, do të bëjnë qejf, përderisa sindikatat e arsimit, shoqatat e prindërve, këshilli i prindërve, bordet e shkollës, u rrinë me peqe e lepe. Sindikatat e Arsimit u marrin lekët mësuesve dhe tani nuk thonë qoftë edhe një fjalë në mbrojtje të tyre. Prindërit që bërtasin se pse duhet të paguajnë një kuotë për mirëmbajtje të shkollës, nuk bëhen dot bashkë për të mbrojtur fëmijët e një familjeje që dhunohen në tempullin më të lartë të shpresës dhe edukimit. OJF-të, natyrisht, që nuk kanë pse të ankohen. Ato mbajnë veshët lart, se mos fitojnë ndonjë projekt me leverdi nga MAS dhe nuk u intereson të jenë grindavecë, por “partnerë të mirë social, bashkëpunues për të mirën e shkollës”.

Kështu që jemi në dorë të Zotit dhe të paudhëve që qeverisin.