1 milion lekë nën dorë për t’u bërë pedagog i jashtëm

1161
“Do të bëhesh padagog i jashtëm, jep 1 milion lekë nën dorë dhe gjithçka mbyllet me OK”. Kjo shprehje gjen terren pothuajse në të gjithë universitetet tona publike. Një skandal i vërtetë, që nuk po ndalet dhe ka gjetur terren në të gjithë fakultetet e universiteve tona duke nisur nga Tirana, Elbasanit, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Shkodra e Vlora. Një aferë e pastër korruptive e cila ka përfshirë shefat e dekanët e departamenteve, duke u shtrirë në gjitha degët pa asnjë përjashtim. Si zakonisht çdo muaj shtator, me rastin e fillimit të vitit akademik në çdo fakultet në universitetet tona publike, nis edhe procesi i dorëzimit të dokumentacionit të personave që janë të interesuar të inkuadrohen dhe të japin orë mësimi në degë dhe lëndë të ndryshme, si padagogë të jashtëm. Korrupsioni nis me pazaret e pranimit të dosjeve, dhe përfundon tek afera 1 milionëshe apo urdhëri me celularë nga deputeti, ministri, apo ndonjë drejtues tjetër vendor apo lokal. Pra ndarja dhe seleksionimi bëhet duke patur parasysh tarafin (frikën) dhe korrupsionin, kush jep paranë ai edhe kualifikohet. Kjo gjë ndodh prej vitesh pothuajse në të gjitha universitetet tona publike. 
Sekserët e dekanëve dhe shefave të departamenteve
Dekanët dhe shefat e departamenteve japin dhe marrin vetëm me shefat e tyre apo me sekserët e pretendentëve që duan të kapin disa orë si pedagogë të jashtëm. Sipas burimeve nga disa fakultete të disa prej universiteteve tona publike bëhet e ditur se “vlera e aferës korruptive ka vite që funksionon dhe nuk ka shanse të ndalet, herë me 1 mijë euro, pastaj me 1 milion lekë, por mrekullisht funksionon edhe tarafi, ose frika nga “I madhi”, dhe këtu futet sms e ndonjë deputeti, ministri, zv/ministri, kryetari partie, apo drejtuesi me peshë në institucionet lokale”. Paratë e kësaj afere merren sikur të ishin para rrogë, ndahen në kafene, zyra, korridore dhe askush nuk pyet se mund të zbulohet, syrvejohet, kapet në flagrancë, por mjafton të mbushë xhepat me milionat e atyre që edhe pse nuk e meritojnë, edhe pse skualifikohen sërish gjejnë mundësinë të futen në listën e pedagogëve të jashtëm, pa përmbushur asnjë kriter. Mjaft pedagogë dhe lektorë të ndershëm nga universitetet publike dhe fakultetet e tyre i kanë telefonuar dhe deklaruar “Telegraf” se “korrupsioni në universitetet tona nuk ndalet, nuk ndalet edhe pse organet hetimore kanë mbi 640 dosje hetimore lidhur me denoncimet dhe aferat korruptive të pedagogëve në këto universitete, nuk ndalet edhe pse shkelen procedurat e pranimit të pedagogëve të jashtëm, duke lënë jashtë listave persona që plotësojnë kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit dhe rektorati i këtyre universiteteve”. Asnjë kompromis bazuar mbi kritere, asnjë transparencë lidhur me pikëzimet, asnjë sqarim institucional, por vetëm inkompetencë, paaftësi, dhe së fundi zhytje në afera korruptive, një babëzi e paparë. 
Universitet, varta korrupsioni
Universitetet tona publike prej vitesh janë kthyer në vatra të korrupsionit, duke ngritur në sistem gjithçka që nevojitet për ta mbrojtur këtë të keqe e cila ka deformuar proceset e mësimdhënies duke nxjerrë çdo vit nga dyert e fakulteteve studentë të dobët dhe të paformuar, gjë e cila jep pasoja negative në rrugën e tyre të gjatë të jetës profesionale. Ata që bëjnë pazare me pretendentët për pedagogë të jashtëm në universitetet tona publike, nuk e kanë të vështirë fare të bëjnë pazare me studentët e tyre, madje ndaj këtyre të fundit kanë krijuar “stabilimentin” e korrupsionit qysh muajt e parë të vitit të parë. Mbetet detyrimi moral dhe ligjor i rektoratit të universiteteve tona publike, të kontrollojnë dhe ndalin ekspansionin e celulave të korrupsionit duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme mbi zbatimin e kritereve nga ata, që kanë krijuar monopolin e paracaktimit të listave emërore çdo fillimviti edhe për pedagogët e jashtëm në të gjitha fakultetet. Caktimi dhe paracaktimi i listave, nuk duhet të kthehet në mundësi për të mbushur xhepat e ekipit abuzues të vlerësimit, apo kënaqur dëshirat apo tekat e ndonjë deputeti apo politikani. Mjafton të shikosh dhe lexosh listat e miratuara çdo vit, dhe të bindesh se fakultetet dhe departamentet e universiteteve tona publike, janë privatizuar nga të paaftët, të përfolurit dhe të denoncuarit, dhe të bindesh se reforma në arsimin e lartë duhet të nisë në fillim nga ç’montimi i këtyre strukturave të zeza dhe për të shpëtuar pjesën e shëndoshë të stafeve akademike dhe universitetet tona publike nga njolla e turpit. 
Sigal