Prof.Dr. Qemal Lame: Marveshja e Kosovës me Serbinë kushtëzohet nga Gjeopolitika amerikane dhe ajo ruse

692
Sigal

Marrëveshja e Kosovës me Serbinë kushtëzohet nga Gjeopolitika amerikane dhe ajo ruse

Prof.Dr.Qemal Lame

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbi nuk është e mundur të realizohet dhe të arrihet marrëveshja midis dy shteteve sovrane pa u arritur më parë mirëkuptimi midis politikës amerikane dhe asaj ruse. Partneriteti strategjik kushtëzon vendimmarrjen në Prishtinë dhe në Beograd. Ato nuk vendosin pa miratimin nga Washingoni dhe nga Moska. Prandaj, nuk mund të idealizohet marrëveshja dhe mënjanimi i pengesave vetëm me përgjegjësinë e këtyre dy shteteve. Gjeopolitika amerikane dhe ajo ruse janë vendimtare për marrëveshjen e paqes midis shqiptarëve dhe serbëve. Për sa kohë që nuk arrihet mirëkuptimi midis tyre nuk do të ketë marrëveshje, por vetëm bisedime e nisma dhe përsëri bisedime nisma pa fund. Pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së menjëhershme të Kosovës nga SHBA, Britania, Gjermani, Franca, etj., u arrit deri në 116 njohje ndërkombëtare. Rusia reagojë fuqimisht kundër, e përkrahur edhe nga Kina, insistoi të mbetej në fuqi Rezoluta 1244 dhe mbështeti Serbinë kundër njohjeve. SHBA dhe Rusia ja lanë këtë detyrë BE-së. Si bashkësi dhe pa pushtet të fuqishëm shtetëror, ajo nuk kishte dhe nuk ka forcën e supershtetit për ndërmjetësim dhe marrëveshje. Prandaj dështoi dhe u ndërprenë bisedimet. Në këto rrethana u ndryshua edhe strategjia e mëparshme dhe politika për vendimmarrje ju la Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht miqtë serbë barazohen me miqtë shqiptarë. Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave për arsye se e vlerëson të padrejtë. “Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e ne nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha Presidenti Vuçiç pas takimit me ambasadorin Grenell. Duke argumentuar qëndrimin e tij, Vuçiç tha se Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave. Qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre dhe argumenton e mbron me përgjegjësi shtetërore e kombëtare vendim për taksën. Në kushtet e zhvillimeve politike dhe interesave gjeopolitike, është e domosdoshme të ruajmë partneritetin strategjik me SHBA dhe BE, të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në marrëdhëniet me Serbinë dhe ti kundërvihemi presioneve e rrezikut Rus, duke mbrojtur interesat kombëtare.

Së pari, të jemi realistë në marrëdhëniet dhe qëndrimet ndaj politikës me Serbinë. Nuk kemi mundësi për të imponuar kërkesat tona të drejta për njohjen e pavarësisë, barazinë e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe njohjen zyrtarisht të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Serbinë e kemi në anën e kundërt e ndodhemi në të njëjtën tablo të skenarit politik dhe me të njëjtin intensitet mohues e të padrejtë me qëndrimin kategorik të mosnjohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Ne nuk mund të imponojmë, por as Serbia nuk ka forcë të na imponojë kërkesat e saj kategorike.

Së dyti, kapërcimi i situatës së marrëdhënieve të ngrira dhe i ndërprerjes së bisedimeve është në të mirën e të dy palëve që të ndryshojnë. Për këtë qëllim, kërkohet të ndërgjegjësohemi për marrëveshje dhe bisedime në barazi, me respektimin e interesave të secilës palë, por gjithmonë duke mbrojtur interesat kombëtare. Me rëndësi është që të mos gënjehemi nga premtimet dhe as nga presionet, si ndodhi me demarkacionin me Malin e Zi. Kosova dhuroi 8400 hektarë territor të saj dhe nuk u mbajt premtimi për lëvizjen e lirë.

Së treti, SHBA, partneri jonë strategjik qartëson edhe një herë domosdoshmërinë e heqjes së tarifës 100 për mallrat serbe dhe Serbia të ndali fushatën kundër njohjeve. Nëse nuk arrihet marrëveshje, SHBA do të tërhiqet.

Së katërti, marrëveshja ajrore e arritur me ndërmjetësimin e diplomacisë amerikane, dëshmoi edhe dëshirën dhe nevojën e përbashkët për fillimin e bisedimeve. Nënshkrimi i marrëveshjes tregon se bisedimet kanë filluar. Diplomacia amerikane arriti të ndryshojë gjendjen. Bashkimi Evropian i gjetur në befasi e pasivitet, tani ka mundësinë për të rifilluar bisedimet maratonë. Qeveria e re e Kosovës që pritet të formohet do të përballet me detyrat parësore:

  1. Të ndryshimit të gjendjes dhe marrjes së masave për forcimin e veprimtarisë shtetërore e të drejtësisë,
  2. Luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ku problemi kryesor është ai i fqinjësisë dhe raporteve të barabarta me Serbinë.

Pikërisht në këto drejtime kemi kërkesën e përsëritur nga SHBA dhe BE për të hequr tarifën 100 për qind që mënjanohet kjo situatë, të krijohen mundësitë për bisedime dhe të normalizohen marrëdhëniet. Është në radhë të parë interesi ynë që të reflektojmë në marrëdhënie me interesa të përbashkëta në harmonizimin edhe qëndrimin e partnerëve strategjikë. Është ideale dhe e pamundur që Serbia të njohë në një kohë të afërt Kosovën. Nuk janë kushtet politike dhe as ndërgjegjësimi i opinionit publik serb që dallohet për nacionalizmin, të cilin e mban të tensionuar sidomos propaganda fetare serbo-ruse e ortodoksisë serbomadhe. Këtë e përjetuam së fundi me qëndrimet e Presidentit Vuçiç dhe reagimet agresive të peshkopit të zi Amfilohije ndaj ligjit për liritë fetare në Malin e Zi. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, është një model që dha rezultat konkret. Nuk u kërkua domosdoshmëria e njohjes së ndërsjellë shtetërore. Politika e Beogradit dhe ajo e Prishtinës u mirëkuptuan parimisht për nevojën e marrëveshjes, nuk u përfaqësuan direkt me drejtuesit më të lartë shtetërore, iu dhanë të drejtën e firmës përfaqësuesve të kompanive, pranuan që Berlini të jetë vendi i miratimit të marrëveshjes, mënjanuan tensionimin nga reagimet e ultra-nacionalistëve antishqiptarë dhe serbë. Marrëveshjen për linjën ajrore, Haradinaj e vlerësoi si një arritje të jashtëzakonshme. Në opinionin publik nuk u bënë akuza për tradhti, siç ndodhi me “Shengenin Ballkanik”. Qeveritë mund të bashkëpunojnë dhe të marrin masa pa u bërë propagandë paraprake. Vënia para një fakti të kryer jep rezultat kur respektohen interesat e secilës palë dhe informohet me korrektësi edhe opinioni publik.

  1. Në kushtet që nuk pranohet pavarësia, vihet theksi në ndryshimin e politikës së Beogradit dhe ndalimin e fushatës kundër njohjeve. Vetëm pas garancive për këtë ndryshim, do të krijoheshin rrethanat për reflektime edhe nga Prishtina. Ndalimi i njohjeve kërkohet të shoqërohet njëkohësisht me heqjen e tarifës. Por nuk ka asnjë garanci se kjo do të ndikojë që Serbia të njohë Kosovën. Heqja e tarifës do të ishte sukses tjetër për politikën serbe për vazhdimin e mosnjohjes.

Mini Shengeni Ballkanik dhe marrëveshja për linjën ajrore janë sukses i politikës amerikane. U dëshmua se SHBA mbetet faktori kryesor për ndërmjetësim. Përfituesi kryesor është Serbia. Presidenti Vuçiç ka arritur dy marrëveshje duke mos ndryshuar politikën e vjetër. Ky bilanc do t’i japë atij përparësi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në muajin mars.

  1. Tarifa 100 për qind dhe kushtëzimi i heqjes së saj me njohjen e Kosovës nga Serbia dëshmoi se ishte e drejtë. Ajo i dha goditje të fuqishme politikës së Beogradit që shfrytëzonte qëndrimet e arsyeshme të shtetit e institucioneve të Kosovës, duke vepruar lirisht dhe injoruar autoritetin shtetëror qendror të Prishtinës. Tregoi se mbrohen interesat e larta shtetërore përmes veprimtarisë sovrane të Qeverisë në marrjen e vendimeve.
  2. Qeveria e re Kosovës ka një bazë të mirë në politikën që duhet ndjekur në vazhdimësi. Ajo duhet të mbajë në vëmendje se opinioni publik nuk pranon heqjen e tarifës, pa reflektuar më parë Serbia për të kaluarën e të ardhmen e përbashkët evropiane.
  3. Të kërkojmë barazi në çdo marrëdhënie me Serbinë, të zbatojmë reciprocitetin dhe respektimin e realitetit politik. Serbia të tregojë vullnetin e saj për përmbushjen e detyrimeve të konventave ndërkombëtare për identifikimin e viktimave dhe personave të zhdukur, njohjen e përgjegjësisë dhe dëmshpërblimin për pasojat në Luftën e Kosovës.
  4. Ndarja e Kosovës u ideua dhe u vu në zbatim sipas dokumentit të përgatitur në vitin 2017 nga Fondacioni i Soros në Serbi, ku ka qenë pjesë e ekipit edhe Baton Haxhiu, u tentua të bëhej fakt i kryer me ndikimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Projekti nuk do të mund të përgatitej pa mbështetje nga diplomacia amerikane. Nga Departamenti i Shtetit i janë dhënë edhe fondet përkatëse Fondacionit Soros. Analiza objektive e zhvillimeve politike, na jep përfundimin, se edhe SHBA-të do të mbështesnin ndarjen, po të miratohej nga Kosova dhe Serbia, ishte caktuar data e nënshkrimit në Washington në prani të Presidentit Donald Trump, në qershor ose deri në fund të dhjetorit 2019. Opinioni publik shqiptar reagoi me forcë kundër ndarjes. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk e pranuan ndarjen. Për këto arsye, u la ky projekt antishqiptar në heshtje. Megjithatë, rreziku i rikthimit të këtij projekti nuk është mënjanuar përfundimisht.
  5. Shengeni Ballkanik është projekti i realizuar pas dështimit të planit zyrtar për ndarje. Edhe ky projekt është përgatitur e vënë në zbatim nga Soros. Suksesi u arrit me marrëveshjen e nënshkruar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të jemi të ndërgjegjshëm për të kuptuar, se ajo nuk do ishte arritur pa diplomacinë amerikane që nuk u dallua publikisht. Ky përfundim del nga prania e përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit Amerikan në nënshkrimin e marrëveshjes dhe mbështetjen e menjëhershme të saj. Realisht kjo marrëveshje dëmton interesat kombëtare. Për këtë arsye, ajo u kritikua dhe u kundërshtua me forcë nga shqiptarët kudo në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Serbi etj. Po për këtë arsye, ajo nuk u përkrah as nga Qeveria e Malit të Zi dhe e Bosnjë Hercegovinës që nuk pranuan ta nënshkruanin. Atë që Pantiç nuk e arriti me luftë para 100 vjetëve, për të pushtuar dhe dalë në detin Adriatik, u realizua në paqe dhe me miratim nga Qeveria e Shqipërisë. Aktualisht ndodhemi para një vendimi që është në fuqi dhe po zbatohet.
  6. Qeveria e Shqipërisë është e domosdoshme të vendosë rregulla që të mbrohet ekonomia, sidomos prodhimet bujqësore nga mallrat e prodhimet e Serbisë që konkurrojnë sipërmarrjen në industri, bujqësi etj.
  7. Të kërkojmë që shqiptarët në Serbi të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe me të njëjtat standarde si serbët në Kosovë. Hapja e zyrës konsullore në Preshevë dhe bashkimi i partive politike të Luginës së Preshevës është një arritje pozitive për të forcuar rolin e faktorit shqiptar në territoret e tij etnike dhe garantimin e të drejtave nga pushteti i Serbisë.
  • Kosova dhe Shqipëria është e domosdoshme të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë qëndrim të përbashkët në çdo marrëveshje që bisedohet dhe miratohet.
  1. Të nxirren mësime nga praktika e gabuar e Mini Shengenit ku u mënjanua Kosova si subjekt shtetëror sovran, pasi dihej qëndrimi i saj kundër, për shkak të mosnjohjes nga Serbia.
  2. Qeveria Shqiptare të veprojë me efektivitet për të rritur marrëdhëniet me Kosovën.
  • Janë 106 marrëveshje të miratuara dhe kërkohet të vihen në jetë. Mbetet detyrë bashkimi ekonomik, heqja e kufirit dhe pengesave doganore,
  • si dhe rishikimi i taksës së rrugës që kundërshtohet pasi dëmton konkretisht shqiptarët që vinë nga Kosova.