Muzina, “Hiroshima” shqiptare

1189
Sigal

Nga Bashkim Koçi

Në këtë vit jubile të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë është shkruar e shkruhet, duke sjellë fakte tronditëse, për beteja luftarake, për dëshmorë që e dhanë jetën në lulen e rinisë, për shkatërrime e rrafshime fshatrash e qytetesh nga bombardimet e armikut dhe gjëma të tjera të padëgjuara. Brezi i ri nuk e ka informacionin e duhur rreth asaj që ka ngjarë në ata vite dhe, ca më shumë, nuk mund të krijojë përfytyrimin e duhur e real për tmerret e Luftës, të cilat herë herë i kalojnë caqet e imagjinatës njerëzore. Në këtë “çark” të mosnjohjes të historisë së Luftës paskësha rënë edhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, që jam në moshën aty e aty me atë të Çlirimit. Por, për të qenë realist dhe me këmbë në tokë, kjo çka ndodh me brezin e ri dhe me ata që nuk i përjetuan vitet e Luftës, e ka një shpjegim, nëse sjellim këtë thënie të thjeshtë, por me kuptim të madh: Më thanë dhe e harrova; e pashë dhe kuptova; e bëra dhe mësova. Ne as e pamë dhe as e bëmë Luftën. Ne vetëm se na e kanë thënë.

Një fshat i tërë i rrafshuar nga flakët e Luftës…

Sidoqoftë edhe e thëna, e treguara, kur bëhet fjalë për diçka përtej njerëzores e ka forcën e saj emocionuese. Sepse fjalët ndonjëherë kanë më shumë fuqi se sa mendohet, kanë energjinë e nevojshme që të të pengojnë apo të të hedhin në veprim për të vënë në vend diçka që dikush ka guxuar për ta poshtëruar. Këto ditë rasti e solli të bisedoja me një intelektual të nderuar, me kontribute goxha të mëdha në fushën e hidroteknikës, me inxhinier Jorgo Dardelin. Ing. Jorgua është me origjinë nga fshati Muzinë i Delvinës. Për moshën që ka, ai e mban mend mirë, madje ka “regjistruar” gjithçka në memorien e tij për atë që ka ndodhur me fshatin e tij atë ditë të zezë dimri, djegiet, reprezaljet, tmerrin e prindërve dhe të bashkëfshatarëve të shkaktuara nga nazistët gjermanë. Ka qenë vetëm 5 vjeç. Nuk është vendi për të sjellë në këto radhë vuajtjet e mundimet që hoqën gjatë rrugëtimit të gjatë e të lodhshëm për në qytetin e Korçës, për t’i shpëtuar vdekjes të sigurt nga pushtuesi, por do të tregojmë për atë çka iu bë fshatit të Muzinës, i cili për nga përmasat e bombardimit dhe shkatërrimit total, mund të quhet Hiroshima shqiptare. Sipas Ing. Jorgo Dardelit, Borova është Nagasaki, ndërsa Muzina, për nga përmasat e shkatërrimit, është një Hiroshimë e vërtetë.

Çfarë ka ndodhur atë janar të vitit 1944? Për shkak të bombardimeve që bëri ushtria gjermane duhet thënë që ai fshat u rrafshua krejtësisht, në përmasa të paimagjinueshme. Shifrat janë tronditëse. Nga 141 shtëpi që kishte fshati Muzinë 138 u hodhën në erë me eksploziv. Shpëtuan vetëm 3 prej tyre, por edhe ato krejt rastësisht. Por inati gjerman shkoi edhe më tej kur u vuri zjarrin shkollës, nga më të mëdhatë e asaj zone, 46 kasolleve të ndërtuara me gur e llamarinë për bagëtitë, 60 kasolleve të tjera ku mbahej zahireja, bar e jonxhë, për gjënë e gjallë, një han me me 12 dhoma të ndërtuar në Qafën e Muzinës, 23 puse uji, 800 krerë bagëti, koshere bletësh dhe qindra pemë frutore. Pra gjithçka u rrafshua në atë farë feje aq sa Muzina nuk kishte të bënte më me Muzinën e dikurshme. E kthyen në shkretëtirë. Nëse do të ngrihej ky fshat, ashtu siç ka qenë, në bazë të përllogaritjeve, do të duhen rreth 20 milionë euro.

Po pse u shfrynë gjermanët kaq keq, kaq egërsisht me fshatin e bukur të Muzinës? Sigurisht që ishte një shkak. Ajo ishte hakmarrje e hapur, e justifikuar me përkrahjen dhe ndihmën që kishte treguar populli i Muzinës për Luftën kundër okupatorit, pra kundër gjermanëve. Muzina ishte hedhur e gjitha në Luftë. Nga aq familje që kishte fshati, numëronte 35 luftëtarë nga të cilët 7 ishin femra. Kisha dëgjuar të këndohej kënga

“Në Konispol në të dalë

Lule Thomo, lule djalë!”,

por nuk e kam ditur se bëhej fjalë për dëshmorin Thoma Lula nga Muzina, të cilit, vetëm pas disa ditësh i ishte vrarë edhe i vëllai, Gaqi Lula, e sot që të dy janë dëshmorë të Atdheut. Por ky fshat i lavdishëm i ka dhënë Luftës 12 dëshmorë. Një fakt tjetër, i cili flet shumë për atë çka ka bërë Muzina për Luftën Nacionalçlirimtare, është mosha e këtyre djemve e vajzave që “e dhanë jetën si me le”, 18-21-23 vjeç. Thuhet se vlera e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë jep, dhe jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë. Në këtë rast, besoj se nuk ka fjalë. Ata kanë dhënë jetën për një çështje të madhe, për të shporrur okupatorin, nazi-fashitët gjermanë.

Dhe ca zyrtarë të ligj që nuk duan të ndërtohet Obelisku në kujtim të të rënëve

Asnjë detyrë nuk është më urgjente se të jesh mirënjohës. Në këtë rast, për çka do të tregojmë, kjo e thënë i kapërcen kufijtë e saj dhe merr një kuptim shumë të madh, hyjnor. Nuk është diçka që të vë në mendime për të nxjerrë ndonjë përfundim se ku është katandisur shoqëria shqiptare dhe institucionet shtetërorë, por është shumë më shumë, të bën të vësh duart në kokë, të lemerisesh. Ja ç’ka ndodhur. Ing. Jorgo Dardeli, intelektual me reputacion në fshatin e Muzinës e më gjerë, nisur nga detyra njerëzore për të nderuar dëshmorët e atdheut të fshatit të tij, por edhe heroizmat e pashembullta të banorëve të Muzinës, mori guximin për të ndërtuar një obelisk në nderim të tyre në këtë 75-vjetor të çlirimit të Atdheut nga nazifashishtët. Shumë bukur! Dikush mund të pyesë se ku qëndron guximi i Jorgo Dardelit. Nëse sjellim faktin se ky Jorgua 80-vjeçar është projektuesi, zbatuesi dhe financuesi i obeliskut, pa ndihmën e kurrkujt dhe me një pension vetëm 126 mijë lekë (të vjetra) në muaj, besoj se gjej mirëkuptimin e lexuesit se ky veprim është më shumë se guxim. Por problemi nuk qëndron as tek projektuesi, as tek zbatuesi e as te financuesi. Ferri i vërtetë qëndron tek organet shtetërorë, në komunë (sot bashki), në agjenci zhvillimesh, drejtori planifikimesh e inspektimesh, të cilat nuk e lejojnë njeriun me ndjenja patriotike e atdhetare Jorgo Dardeli për të ndërtuar obeliskun. Nuk e lënë dhe kaq. Ai ka qysh nga viti 2014, pra plot 5 vjet, që bredh derë më derë për të marrë, sipas ligjit, lejen e ndërtimit të kësaj vepre në kujtim të dëshmorëve të fshatit Muzinë. Ai disponon një dëng me shkresa, të cilat, kur i lexon e gjykon për çka mbajnë brenda radhëve të formuluara, por edhe të firmosura e të vulosura nga shtetarë që marrin paga të majme nga ne, populli, del në përfundimin se ky vend drejtohet e menaxhohet nga batakçinj, nga antishqiptarë dhe njerëz që nuk e duan këtë vend. Diku ing. Jorgos i thonë të plotësojë mirë dokumentet sipas ligjit, diku e përcjellin për mungesë kompetencash e diku tjetër e shfaqin hapur antishqiptarizmin. Por i palodhuri dhe i duruari Jorgo, i cili nuk është tërhequr për kaq vjet përpara këtyre zyrtarëve të dominuar nga poshtërsia, e di, është i vetëdijshëm që durimi është i hidhur, por frutat i ka të ëmbla. Ai tashmë po përdor taktikë tjetër, duke i bërë këta institucione kokë më kokë, dhe po përdor si armë ballafaquese ligjet e shkruara nga vetë ata, faktet që në rrugën e gjetjes të së vërtetës i nxjerrin të diskredituar. E dini pse të çudit dhe të lë pa mend keqdashja e kompetentëve në dhënien e lejes për ndërtimin e Obeliskut në kujtim të dëshmorëve të fshatit Muzinë, të cilët janë plot 12, si të ishin 12 shenjtorë që sollën lirinë? Të çudit, se janë pikërisht këta zyrtarë që kanë dhënë e japin me dhjetëra, në mos me qindra, leje ndërtimi të parregullta, që e kanë shkelur me të dy këmbët ligjin dhe moralin. Atëherë ç’duhet të bëjë Ing. Jorgua për ta fituar këtë betejë me të liqtë pushtetarë. Dëshmorët e fituan Luftën me gjermanin, kurse ky intelektual, i cili ka marrë përsipër, vullnetarisht, për të përjetësuar veprën e tyre, nuk po i mund dot, për plot 5 vjet, aq sa zgjati edhe lufta me pushtuesin, ca delenxhinj që kanë zaptuar zyrat e shtetit. Nëse lexuesi, qoftë edhe me pak dijeni rreth asaj çka duhet për të ngritur një obelisk, lapidar apo pllakë në nderim të të rënëve në luftë, merr vesh dhe njihet me dokumentacionin që ka përgatitur në kërkim të lejes Ing. Jorgo Dardeli, do të mendojë dhe do të dalë në përfundimin logjik se ka një pikë ku përtej së cilës durimi mbaron së qeni virtyt. Por sido që të ndodhe, Ing. Jorgo Dardeli ende nuk ka vendosur të tërhiqet. Me hir apo me pahir ai do ta ngrejë OBELISKUN përpara 29 Nëntorit të këtij viti, përpara se të festohet 75-vjetori i Çlirimit.