Katundi socialist 2021 i rikthehet premtimeve 2013

443
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Premtimet e reja të Partisë Socialiste dhe një rrugëtim në premtimet e parealizuara të 8 viteve

Duket se socialistëve u ka ikur memoria për premtimet e bëra nga “rilindja” në 2013. Edhe në fushatën e 2021 shqiptarëve iu servirën të njëjtat mashtrime si  legalizimet falas, ulje të çmimit të energjisë, ujit, taksave të ushqimeve, punësimit etj. Atë që nuk e realizoi në 8 vite, qeveria Rama kërkon ta bëj realitet në këtë mandat të votave të blera ku bashkë me ‘timonin dhe tepsinë’ po kërkon të rikthej në prehër edhe opozitën.

Kryeministri Rama e kishte bazuar fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prill në dy premtime kryesore, rindërtimin dhe vaksinimin, të cilat lidhen me dy fatkeqësi që goditën vendin tonë, konkretisht tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë. Por, ajo që vihet re është fakti se kreu i qeverisë ka rikthyer disa nga premtimet e tij të vitit 2015 dhe vitit 2017, të cilat nuk u realizuan gjatë dy mandateve, ndërkohë që përgatitet për një mandat të tretë.

PREMTIMET PËR 2021-2025

Megjithëse nuk ka ende të publikuar një program qeverisës, Rama i referohet një plani veprimi 2021-2025, si dhe vizionit për Shqipërinë 2030. Ndërkohë në faqen zyrtare ‘PS.al’ është i publikuar vetëm manifest 2017-2021.

Rama i nisi premtimet për zgjedhjet e ardhshme që në muajin shkurt, ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, në një seri bashkëbisedimesh online me qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, që më pas i shtoi në takimet e tij në terren. Kemi identifikuar disa nga premtimet e prekshme të kryeministrit Rama në disa prej qyteteve kryesore të vendit, pra çfarë synon qeveria të ndërtojë dhe zhvillojë përgjatë 4 viteve në vijim, teksa kërkonte për një mandat të tretë.

E në fakt, ky ka qenë slogani që ka ndjekur fushatën e 25 prillit nga mazhoranca aktuale, teksa është thënë shpesh se: “Mandati i tretë është për çuarjen në fund të çdo pune”.  “Ne do t’i hapim portat Shqipërisë, në qiell dhe në det”, ky është një tjetër premtim i Ramës që spikat përgjatë takimeve elektorale dhe që bën fjalë për ndërtimin e 3 aeroporteve të reja si Kukësi, Vlora e Saranda si dhe ndërtimi i 4 porteve të mëdha, siç është ai i Durrësit, i Vlorës, i Sarandës dhe Shëngjinit.

Premtimet sipas qyteteve

Monitoruam  3-5 premtimet me rëndësinë më të madhe për qytetet e ndryshme të vendit, të bëra në faqen zyrtare të Facebook, nga Kryeministri Rama, por dhe në takimet e tij  me komunitetin në këto 12 bashki:

Elbasan

Në qytetin e Elbasanit, kryeministri zbuloi një projekt që synon ta zhvillojë në të ardhmen në të gjithë vendin, e që është, krijimi i kolegjeve profesionale.

“Korridori Blu dhe ndërtimi i aeroporteve një premtim i ripërsëritur në 8 vite, dhe ende i pa investuar”

 

Fier

Ndërsa gjatë vizitës në Fier, aty  vetëm për 3 muaj, është ndërtuar dhe ka marrë formën pothuajse përfundimtare spitali i ri Rajonal, i ndërtuar falë ndihmës bujare të qeverisë turke.

Vlorë

Për Vlorën, aty ku kandidoi për të tretën herë si deputet, kryeministri Rama premtoi aeroportet dhe realizimin e projektit të ri të Sheshit të Flamurit, (për të cilën Rama thotë se është në zbatim). Madje për të dëshmuar që është një premtim i mbajtur që nga 2017, kryeministri publikoi edhe një video nga ky investim në rrjetin e tij social Facebook. Ndërtimi i rrugës Peshkëpi-Selenicë; Orikum-Llogara si dhe tuneli i Llogarasë.

Por dy investimet e fundit në infrastrukturë janë premtuar nga viti 2018 e deri më tani, 3 herë, ku pas fitoreve të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, thuajse një vit më pas, Kryeministri Rama prezantoi nga Vlora në kuadër të “Projektet për Shqipërinë që Duam”, si një zgjatim i asaj që ishte thënë në fushatën e një vitit më parë. Por megjithëse kanë kaluar 3 vite nga ai moment, ende nuk ka asnjë shenjë të fillimit të punës për këto projekte ambicioze.

Tiranë

Sa i takon kryeqytetit, Rama premtoi ritme të shpejta të procesit të rindërtimit. Por përsa i përket procesit të rindërtimit, ka pasur një sërë afatesh, të cilat për shkaqe financiare dhe probleme të tjera pronësie, janë shtyrë në kohë, duke e bërë këtë proces të ngadaltë dhe zvarritës ku Porta Vendore ka raportuar gjithashtu për një sërë zonash e njësish administrative ndërsa procesi ka rezultuar i vakët.

Korçë

Për qytetin e Korçës kryeministri ka premtuar se do të ndërtojë resortin e parë të skive në Shqipëri, për të shtuar numrin e turistëve.

Pogradec

Njëjtë si Lungomare në Vlorë, kryeministri Rama premton ndërtimin e Lungogjolit në Pogradec, për të cilin thotë se do të nisin shumë shpejt punimet, falë sigurimit të financimit të projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Berat

Premtimi

Në Berat prioritet është zhvillimi i turizmit. Kryeministri Rama bëri të ditur gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarë të Beratit se ka firmosur një marrëveshje në Turqi, për një projekt që synon restaurimin dhe vënien në kushte optimale të godinave që janë monumente kulture, veçanërisht në Berat e Gjirokastër.

Ashtu sikundër edhe në qytete të tjera, Kryeministri ka premtuar 24 orë ujë në Berat në fund të vitit 2022. “Ajo që mund të them është që qoftë Berati, qoftë të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë, deri në fund të vitit 2022, do të kenë ujë të pijshëm 24 orë”, është shprehur Rama.

Realiteti  

Por edhe çështja e furnizimit me ujë të pijshëm 24/24 është një premtim që ripërsëritet nga mazhoranca, pasi i njëjti, ka qenë edhe lajtmotiv i fushatës elektorale në zgjedhjet e shkuara qendrore. Ndërsa duket se pavarësisht investimeve në këtë qytet, ende nuk ka ujë të pijshëm 24 orë.

Në të njëjtin bashkëbisedim Rama ka folur për një investim madhor nga kompania ‘SHELL’ që do të punësojë 500 persona dhe do të realizojë një investim madhor në sektorin e naftës e të gazit.

Në fakt qeveria shqiptare ka firmosur në 2018 me kompaninë ‘SHELL’ për të kërkuar naftë në Bllokun 4 në Shpirag të Beratit. Në kuadër të Marrëveshjes në atë kohë, kompania merrte përsipër të realizonte investime sociale për përmirësimin e jetës së komunitetit të kësaj zone, për arsimin profesional, të sigurisë rrugore, shërbimit shëndetësor dhe për zhvillimin e bizneseve të vogla lokale.

“Ndërsa për shëndetësinë, premtimi madhor që u dha në 2017 ishte se brenda vitit 2021, shqiptarët do kenë shërbimet shëndetësore falas. Sipas raportit të OBSH, të raportuar nga mediat, Shqipëria nuk ka shëndetësi falas.”

Kukës

Investimi më i madh i qeverisë në Kukës është padyshim ndërtimi i aeroportit, që shihet si një derë që do të hapet për zhvillimin turistik dhe ekonomik të të gjithë zonës.

Lezhë

Për qarkun e Lezhës një nga investimet më të mëdha që premtojnë socialistët është ndërtimi i portit turistik të Shëngjinit. Nga ana tjetër, premtohet ndërtimi i aksit Balldren-Milot-Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës dhe aksi Milot-Muriqan.

Dibër

“Dibra do të jetë një destinacion turistik për qindra mijëra e miliona turistë”, është shprehur kryeministri, i cili ishte i pari që kaloi nga rruga e Arbrit, që është drejt përfundimit.

(Kujtojmë këtu që rruga e Arbrit ka qenë një premtim i vitit 2013, i cili vijoi edhe përgjatë vitit 2017 nga socialistët, e ku në kufi të mbylljes së mandatit, është në rrugë të mbarë drejt përfundimit.)Një tjetër premtim madhor që Kryeministri e bëri nga Dibra është ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.

PREMTIMET QË NUK U REALIZUAN NË 8 VITE

Por, numri i premtimeve që nuk u realizuan në 8 vite nga qeverisja e Partisë Socialiste, (2013-2017 në bashkëpunim me LSI, dhe 2017-2021 vetëm) mbetet i konsiderueshëm :

Disa nga premtimet e pambajtura të vitit 2013

Një nga premtimet më madhore të vitit 2013 ishte krijimi i 300 mijë vendeve pune. Sipas INSTAT gjatë viteve 2013-2017 u krijuan vetëm 183 mijë vende pune, ndërkohë që në 2017, objektivi i qeverisë ishte për 220 mijë vende pune deri në vitin 2021, por u realizuan vetëm 100 mijë.

Po ashtu, sa i përket politikave sociale në vitin 2013 u premtua përfitim nga leja e lindjes për çdo nënë, pavarësisht kontributit në sigurime, por duke u bazuar në ligjin për Sigurimet Shoqërore dhe ky premtim nuk është realizuar. Sipas ligjit, pagesë për lejen e lindjes përfitojnë vetëm ato nëna që kanë 12 muaj të siguruara.

Premtime të tjera të vitit 2013 ishin: “Do të heqim taksën 20% për bukën, do ta heqim taksën qumështin, do ta heqim taksën 20% për vezën, për miellin, për vajin, për sheqerin, dhe orizin”, – Sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe TVSH-ja e ushqimeve është 20%.

Po ashtu Rama ka premtuar që për të gjithë familjarët, taksën e vlerës së shtuar të energjisë do ta ulte në 6%. Sot taksa e energjisë për familjarët është 20% dhe jo 6%, siç premtoi Edi Rama në vitin 2013.

“Premtime të tjera të vitit 2013 ishin: “Do të heqim taksën 20% për bukën, do ta heqim taksën për qumështin, do ta heqim taksën 20% për vezën, për miellin, për vajin, për sheqerin, dhe orizin”, – Sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe TVSH-ja e ushqimeve është 20%.”

Disa nga premtimet e pambajtura të vitit 2017

Për vitin 2017, theksi i fushatës u vu tek ekonomia, ku një ndër premtimet kryesore ishte ulja e borxhit publik nën 60% të PBB-së. Por në të vërtetë, borxhi publik për vitin 2020 ishte 80%, ndërkohë që pritshmëritë për vitin 2021 janë në nivelin 78.6%. Kjo e konfirmuar dhe nga ministrja e Financave, Anila Denaj.

Një tjetër premtim ishte ai i hapjes së 220 mijë vendeve pune, por në të vërtetë, sipas shifrave të INSTAT gjatë katër viteve u hapën më pak se 110 mijë vende pune.

Ndërsa një premtim për pensionistët në vitin 2017 ishte “Rritje vjetore pensionesh dhe shpërblim fundviti nga 7-10 mijë lekë”, por edhe ky premtim nuk u mbajt. Në vitin e fundit shpërblimi për pensionistët ishte në vlerën e 2 mijë lekëve.

Ndërsa për shëndetësinë, premtimi madhor që u dha në 2017 ishte se brenda vitit 2021, shqiptarët do kenë shërbimet shëndetësore falas. Sipas raportit të OBSH, të raportuar nga mediat, Shqipëria nuk ka shëndetësi falas.

Ndërsa për energjinë u bënë dy premtime, që nuk janë realizuar, si Përfundim i procesit të “liberalizimit të tregut të energjisë për TL dhe TM” dhe “fillimi i ndërtimit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP)”. Por siç raportohet si nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ashtu dhe nga mediat, asnjë nga këto dy projekte nuk janë realizuar.

PREMTIMET 2013-2017 DHE RIKTHIMI I TYRE NGA PS

Një nga premtimet që ka sjellë në vëmendje kryeministri Rama gjatë kësaj fushate është Korridori Blu. Ai është një projekt rajonal, që për Shqipërinë do të thotë një autostradë të re përgjatë gjithë bregut nëse avancon si projekt. Ai lidh bregdetin e Malit të Zi me bregdetin grek, nëpërmjet Shqipërisë, dhe shihet si i financueshëm nga fondet e BE-së për vendet kandidate, – raporton revista ekonomike ‘Monitor’.

Në tokën shqiptare disa segmente të projektit janë të ndërtuara, por për disa të tjera që duhen nisur rishtas, nuk ka ende as studime fizibiliteti. Këto të fundit janë programuar të mbyllën këtë vit për të hapur rrugën e financimeve. Për zhvillimin e këtij projekti Shqipëria është edhe nën presionin e vendeve fqinjë me të cilat duhet të paraqesim projekte të njëkohshme në BE.

Në një bashkëbisedim me qytetarët e Fierit Rama tha se “Rruga Muriqan – Milot – Tiranë, përmes Thumanë, Rrogozhinë dhe Fier është gati. Është një projekt që do të transformojë komplet infrastrukturën, duke realizuar atë që e kemi quajtur Korridori Blu”. 

“Një nga premtimet më madhore të vitit 2013 ishte krijimi i 300 mijë vendeve pune. Sipas INSTAT gjatë viteve 2013-2017 u krijuan vetëm 183 mijë vende pune, ndërkohë që në 2017, objektivi i qeverisë ishte për 220 mijë vende pune deri në vitin 2021, por u realizuan vetëm 100 mijë.”

 

Por në fakt artikulimin e ‘Korridorit blu’ shumëkush ose pakkush e mban mend që ka qenë një premtim elektoral i vitit 2013, i cili u pasua nga Partia Socialiste edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara parlamentare të mbajtura më 2017, dhe me të cilin duket se Rama e ka sjellë në vëmendje edhe gjatë kësaj fushate, megjithëse një premtim i ripërsëritur në 8 vite, dhe ende i pa investuar, pasi punimet nuk kanë nisur.

Por, ky nuk është i vetmi premtim që është risjellë në vëmendje nga fushatat e kaluara. Një tjetër premtim është ai për ndërtimin e aeroporteve. Sivjet, Rama ka deklaruar se gjatë mandatit të tretë do të ndërtojë tre aeroporte të reja, Kukës, Vlorë dhe Saranë. Por, ndërtimi i një aeroporti në jug të vendit, ka qenë një premtim i kryeministrit që në fushatën e vitit 2017. Madje, ai u fut dhe në programin qeverisës 2017-2021. Për ndërtimin e aeroportit të Vlorës tashmë është shpallur kompania fituese e garës dhe do të ndërtohet nga një konsorcium zviceran, që do të investojë 104 mln euro. Pjesë e konsorciumit është kompania e Behgjet Pacollit ‘Mabetex Group’, si dhe kompania turke që po ndërton Spitalin e Fierit. Ndërkohë që është premtuar se nga ky aeroport do të kryhen fluturime transoqeanike.

Po ashtu, një tjetër premtim madhor është ai i ndërtimit të katër porteve të mëdha, siç është ai i Durrësit, i Vlorës, i Sarandës dhe Shëngjinit. Një prej këtyre porteve, pikërisht i Shëngjinit, është premtuar që në vitin 2013, po ashtu në vitin 2017, dhe u fut në programin qeverisës në vitin 2017, megjithëse deri më sot nuk është bërë asnjë investim. Eljona Ballhysa/Porta Vendore