Mons.Lush Gjergji /Jezusi është i gjallë edhe sot

2359
Sigal

“Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 20)

“Ne duhet t’i lejojmë Zotit të mirë që të bëjë çdo projekt për të ardhmen, sepse dita e djeshme ka kaluar, e nesërmja nuk është ende, dhe ne kemi vetëm të sotmen, për ta bërë Atë të njohur, për ta dashur dhe shërbye”. (Nëna Tereze)

 

Jezusi, gjatë jetës së tij tokësore, pati shumë takime me njerëz të llojllojshëm, në rrethana të ndryshme. Madje, Ai ishte “ndeshur” me vuajtje, mjerim, sëmundje, mëkate, brendinë e njeriut, me vdekje, me atë që ne e quajmë tërësia komplekse – “njeriu”.

Shumë njerëz e dëgjonin, por pak kush e kuptonte deri në fund.

Shumë njerëz e kërkonin, por pak e gjenin.

Shumë ishin të tërhequr nga fjalët dhe veprat e tija, mirëpo pak kush kishte guxim t’i dorëzohej dhe të ecte pas tij.

Shumë mrekulloheshin, por pak kush zbulonte kuptim e vërtetë të mrekullive.

Shumë kishin nevojë për të, por vetëm për disa bëri mrekulli, fali haptas mëkatet dhe i çliroi nga robëria e djallit.

Shumë shkuan me të, por pak ishin të zgjedhur, të ftuar: apostujt dhe nxënësit e tij.

Edhe sot:

Shumë thonë se besojnë, mirëpo ndoshta pak jetojnë në përputhshmëri me fenë ungjillore.

Shumë thonë uratë, mirëpo ndoshta pak dialogojnë me Zotin dhe me të afërmin.

Shumë marrin sakramentet, por, ndoshta vetëm disa bashkohen dhe jetojnë me Jezusin.

Shumë e kërkojnë, mirëpo pak e gjejnë… Pse?

Si atëherë, ashtu edhe sot, vetëm kush e kërkon me shumë fe dhe dashuri, me zemër të pastër dhe të sinqertë, mund ta gjejë dhe jetojë me Jezusin, sepse “Vetëm kush lutet dhe dashuron me zemër të pastër mund ta gjejë Zotin.” (Nëna Tereze)

Për ta takuar sot Jezusin, nevojitet mbi të gjitha:

Njohja dhe gjetja e Jezusit në Bibël, sidomos në Besëlidhje të Re, në Ungjij, si fjalë e jetës. “Kisha gjatë shekujve priret pareshtur drejt plotësisë së të vërtetës hyjnore, deri sa në të të plotësohen fjalët e Hyjit.” (DV 8)

Njohja në Kishë, mbi të gjitha në sakramente, sidomos në Eukaristi, ku Jezusi është realisht i pranishëm dhe veprues.

Njohja në të afërm, njeri, në rrethana të jetës. Pastaj, duhet ta njohim dhe pranojmë mëkatin tonë, kufizimet, ngarkesat, edhe më shumë, mëshirën, dashurinë dhe faljen e Zotit, me fe, shpresë dhe dashuri, sepse “.Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj. Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.” (1 Gjn 4, 16)

Jezusi, edhe sot është i gjallë dhe i pranishëm nëpërmjet Kishës, e cila vazhdon veprën e saj “për t’ua çuar shpëtimin të gjithë njerëzve duke qenë për këtë arsye e shtyrë prej detyrimit për të përhapur mesazhin ungjillor” (IM 3), “Kisha si sakrament të gjithëmbarshëm të shpëtimit.”(LG 48)

Këtë e ka dashur dhe themeluar vet Jezu Krishti: “themeloi Kishën e vet si sakrament të shpëtimit dhe dërgoi apostujt e vet në mbarë botën, ashtu si edhe ai vetë ishte dërguar prej Atit” (AG 5).

Prandaj, Kisha, na ndihmon që të bashkohemi me Zotin dhe me të afërmin, sepse ajo zbulon dhe njëkohësisht realizon misterin e dashurisë së Hyjit ndaj të afërmit. (khs. LG 44)

Kisha i bashkon të gjithë popujt e botës në një Popull të ri të Zotit. “Hyji deshi që t’i shenjtërojë dhe t’i shpëtojë njerëzit jo individualisht dhe pa asnjëfarë lidhjeje mes tyre, por deshi të formonte prej tyre një popull, që të njihte Hyjin sipas së vërtetës dhe t’i shërbente atij me shenjtëri… I themeluar prej Krishtit për një bashkësi jete, dashurie dhe të vërtete, prej tij edhe është marrë që të jetë mjet i shëlbimit të të gjithëve dhe, si dritë e botës dhe kripa e tokës (khs. Mt 5, 13-16), është i dërguar në gjithë botën.” (LG 9)

Prania e Krishtit, nëpërmjet Kishës, realizohet sidomos në liturgji. “Për të realizuar një vepër kaq të madhe, Krishti është gjithmonë i pranishëm në Kishën e vet dhe, në mënyrë të veçantë, në veprimet liturgjike. Është i pranishëm në flinë e meshës, qoftë në personin e mbarështuesit, duke qenë ai vetë që, “pasi është kushtuar një herë në kryq”, e kushton përsëri vetveten nëpërmjet mbarështimit të meshtarëve, qoftë sidomos në dukjet eukaristike. Është i pranishëm me virtytin e vet në sakramentet, deri në atë pikë sa kur dikush pagëzon është vetë Krishti ai që pagëzon.” (SC 7)

Çdo njeri i çdo kohe, kulture, prejardhje, feje, shoqërie, race, gjinie, ka nevojë për Zotin gjithnjë, sot, ndoshta më tepër se kurrë, edhe pse kjo nevojë shpesh nuk njihet dhe pranohet me apo pa vetëdije.

Unë mendoj që njerëzit janë shumë më të uritur për Jezusin, sot, më shumë se në ndonjë kohë tjetër. Ata, kanë uri për bukë të përbashkët, por edhe uri për dashuri, mirësi, kujdes. Sidomos rinia ka etje dhe uri për të pafundësi.  Ata shpesh nuk arrijnë ta shohin Zotin në ne. Dhe këtë fakt rinia nuk arrin ta pranojë. Ne diçka themi me gojë, ndërsa diçka tjetër jemi me jetë. Kjo gjë i largon prej nesh dhe është shkaku kryesor i humbjeve të shumë thirrjeve, dhe për rrënimin e shumë tjerave… Rinia sot nuk dëshiron më vetëm të dëgjojë, por edhe të shohë… Ne ndoshta flasim shumë për Zotin, por ndoshta jetojmë pak me Të.” (Nëna Tereze)

Për ta njohur dhe jetuar sot Zotin, Kisha ka nevojë për shumë dëshmitarë burimor, të pranisë së jetës së krishterë. “Duhet të jetojmë dhe dëshmojmë Ungjillin para tjerëve. Dëgjimi i Fjalës së Zotit me zemër të pastër në plotësinë e thellësisë së qenies tonë. Para se të shpallim, duhet të dëgjojmë, sepse Zoti flet në heshtje të zemrës tuaj… Sot, edhe një herë, kur Jezusi vjen ndër të vetët, ata nuk e njohin. Ai vjen në trupat e kalbur të të varfërve, vjen edhe nëpërmjet të pasurve, të zhytur në pasuritë e tyre. Ai vjen në vetminë e zemrave të tyre, atëherë kur s’ka askush për t’i dashur. Jezusi vjen edhe tek ju dhe tek unë, mirëpo shpesh, ne kalojmë  pranë tij.” (Nëna Tereze)

Jezusi, është edhe sot i gjallë, i pranishëm në mënyra të ndryshme, mirëpo ne ndoshta nuk jemi të “aftë”  dhe të gatshëm ta njohim, pranojmë, shërbejmë, dashurojmë në të tjerët