Zgjerohet harta e parkimeve me pagesë në Tiranë

790
Shtohen edhe 10 segmente, ku duhet të paguash për kohën e qëndrimit të automjetit. Lista e plotë 
Pasi u vendos në rrugët kryesore të Tiranës, parkimi me pagesë do të përfshijë edhe segmentet e Zonës B. Agjencia “Tirana Parking”, që bën edhe menaxhimin e shërbimit të parkimit me pagesë në kryeqytet, bëri të ditur se duke filluar nga data 16 mars, projekti i parkimit me pagesë do të aplikohet edhe për 10 rrugë të tjera të Zonës B. “Ne kemi filluar njoftimin e qytetarëve. Po bëhet nëpërmjet letrave që ua vendosim në xhamat e makinave që janë parkuar në rrugët që fillon shërbimi i parkimit me pagesë”, shprehen burimet e mësipërme. Tarifa për përdoruesit e vendparkimeve në këto rrugë është përcaktuar 40 lekë për 1 orë. Ky tarifim vlen për rrugët: Siri Kodra; Petro Nini Luarasi; Bulevardi “Bajram Curri” në segmentin Rruga e Kavajës-Sulejman Delvina; Janosh Huniadi; Liman Kaba; Perlat Rexhepi; Dëshmorët e 4 Shkurtit; Skënder Luarasi; Bulevardi Bajram Curri në segmentin Konti Leopold-Teodor Muzaka dhe Rruga e Kavajës nga segmenti 21 Dhjetori deri tek Pallati me shigjeta. Sa i takon mënyrës së pagesës së parkimit, ajo mund të kryhet me inspektorë ose me anë të një mesazhi në telefon. E thënë ndryshe, me SMS Payment duke dërguar një mesazh në numrin 50500 me tekst: targa e automjetit, hapësirë, zona e tarifimit. Aktualisht, parkimi me pagesë ofrohet në të gjitha rrugët e zonës A, të njohura si rrugët kryesore që të çojnë drejt qendrës apo edhe destinacioneve kryesore të Tiranës. Për këto rrugë, pagesa është 100 lekë për një orë. Shërbimi i parkimit me pagesë menaxhohet nga “Tirana Parking”, agjenci nën varësinë e Bashkisë së Tiranës.

Për të parkuar në Tiranë qytetarët shpenzojnë rreth 3 milionë euro në vit. Sipas buxhetit të bashkisë, parashikimi për vitin 2018 është që të ardhurat nga tarifa e parkimit të arrijnë në 450 milionë lekë (3.3 milionë euro). Në vitin 2015, të ardhurat nga parkimi ishin vetëm 71 milionë lekë. “Arkëtimi i tarifës së parkimit ka një rritje të dukshme, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë por dhe në sheshet e miratuara për parkim”, thuhet në relacionin buxhetit vjetor të bashkisë.
RRUGËT, KU PARKIMI DO TË BËHET ME PAGESË
1 – Siri Kodra
2 – Petro Nini Luarasi
3 – Bulevardi “Bajram Curri” (segmenti Rr. Kavajës-Sulejman Delvina)
4 – Janosh Huniadi
5 – Liman Kaba
6 – Perlat Rexhepi
7 – Dëshmorët e 4 Shkurtit
8 – Skënder Luarasi
9 – Bl. “Bajram Curri” (segmenti Konti Leopold-Teodor Muzaka)
10 – Rruga e Kavajës (segmenti 21 Dhjetori- Pallati me Shigjeta)
Sigal