Vendimi i mëposhtëm i KM për amendimin e VKM mbi Agjencinë Kombëtare të Mbetjeve është marrë para dy javësh. Me shtesën e bërë në këtë vendim, ministritë përgjegjëse dhe Bashkia e Tiranës kanë deleguar funksionin e Autoritetit Kontraktor te Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, një funksion që sipas mendimit tim mund dhe duhet ta ushtrojë vetëm institucioni pergjegjës shpenzues i buxhetit te shtetit, dmth ministria dhe Bashkia që ka nënshkruar kontratën përkatëse.
Gjithsesi duket se përmes këtij delegimi po synohet të shmanget përgjegjësia për mosfunksionimin e Njësisë së Zbatimit të Projektit në rastin e inceneratorit të Tiranës, që gjithsesi edhe mbas këtij amendimi është ligjërisht në fuqi. Kjo sepse kontrata përkatëse e koncesionit nuk eshtë amenduar…
Ndërkaq, ky amendim, edhe pse duket si “larje duarsh” nga ministrushat pergjegjëse, mendoj se nuk është zgjidhje dhe aq me pak besoj se është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi…
————————————————————
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.132, DATË 6.3.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.132, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve”, bëhen këto shtesa:
Pas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:
“a/1) të kryejë detyrat e autoritetit kontraktor për ministrinë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve për projektet/kontratat ekzistuese dhe të ardhshme të infrastrukturës së mbetjeve.”.
Pas shkronjës “c”, të pikës 7, të kreut III, shtohet shkronjat “c /1”, me këtë përmbajtje:
“c/1) shqyrton, autorizon e miraton, për ministrinë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve, në cilësinë e autoritetit kontraktor, procese që kanë të bëjnë me projektet/kontratat ekzistuese dhe të ardhshme të infrastrukturës së mbetjeve të lidhura sipas legjislacionit në fuqi për koncesionet e partneritetin publik dhe të atij të prokurimit publik dhe mban korrespodencën e koordinon me të kontraktuarit, institucionet dhe subjektet, të cilat janë palë në kontratat e lidhura.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.