Zbardhen emrat e terroristëve të arrestuar në Kosovë, si bashkëpunonin me të arrestuarit në Shqipëri

523
Sigal

Visar Ibishi dhe Flamur
Gashi, janë dy nga 18 të arrestuarit e ditëve të fundit për terrorizëm në
Kosovë, të cilët kanë pranuar të bahkëpunojnë me policinë dhe prokurorinë
speciale atje. 

ABC News ka mësuar nga
burimet konfidenciale pranë Drejtorisë së antiterrorit në Tiranë, se Policia e
Kosovës ka njoftuar se të dyshuarit, Ibishi dhe Gashi kanë pranuar të marrin
statusin e bashkëpunëtorëve duke treguar me detaje planin e sulmit me eksploziv
në Shkodër. 

Nuk jepen shumë detaje
për të dhënat e deklaruara, pasi burimet thonë, se ndodhen në fazën e
verifikimit të thënieve të tyre. Ata thonë se Ibishi ka pranuar se kanë pasur
komunikime të vazhdueshme me Lavdërim Muhaxherin dhe Ridvan Heqimin. Prej tyre
të kanë marre urdhrat për sulm terrorist. Ata kanë treguar, thonë burimet edhe
veprimet konkrete që kanë kryer si në Kosovë e Shqipëri për të realizuar një
sulm me eksploziv gjatë ndeshjes Shqipëri – Izrael në Shkodër. Por zyrtarisht,
policia e shtetit thotë se është në pritje të deklaratave të këtyre dy bashkëpuntoreve,
që të vijnë në rrugë zyrtare për të kryer edhe verifikimet konkrete në
Shqipëri. Nga ana tjetër edhe burime nga prokuroria për krime të rënda thonë se
nuk kanë një informacion zyrtare për këtë fakt, por po presin materialet nga
drejtësia e Kosovës. 

Ajo që për hetuesit
tashmë është saktësuar, janë lidhjet e disa nga 18 të arrestuarve në Kosovë me
4 të prangosurit në Shqipëri. Kontaktet mes tyre thonë burimet kanë qenë të
vazhdueshme për shkak edhe të lidhjeve familjare. Burimet thonë se edhe takimet
mes tyre janë fotografuar në Shqipëri e Kosovë, por pritet të zbardhen detaje
të reja në ditët në vazhdim. Për prokurorinë shqiptare, 4 të arrestuarit në
Shqipëri kanë rolin e mbështetësve dhe shoqëruesve të personave që do të vinin
nga Kosova për të kryer akte terroriste në Shqipëri. /ABC News/