Vrasja e Klodian Rashës / Ish-ministri socialist: Protestat kanë fuqinë ta rrëzojnë qeverinë

247
Sigal

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj teksa ka analizuar situatën në vend, që nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie, tek protestat e qytetarëve në shenjë rebelimi kundër qeverisë, theksoi se Shqipëria ka hyrë në një cikël të vështirë.

Në një lidhje skype për rubrikën ‘Opinion’ në “News24” Malaj tha se tërmeti si dhe vrasja e të riut, ishin katalizatorë të këtyre protestave. Sipas Malajt, rritja e zemërimit dhe e protestës, afrimi i zgjedhjeve parlamentare, krijojnë rriskun e një ambienti shoqëror të vështirë.

“I shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit, Ngjarje tragjike. Dëshiroj të theksoj se duhet të bëjmë kujdes, por duhet të mbajmë qëndrim të rregullt me pronën private dhe publike. Duke ndjekur debatet në media, sigurisht që Shqipëria ka hyrë në një cikël të vështirë. Këto ngjarje janë katalizatorë për protesta. Protestat kanë fuqi për të rrëzuar një qeveri, por prodhon kaos për qytetarët nëse nuk menaxhohet.

Protestat janë rritur kudo në Europë. Nuk mbështes ata që thyejnë xhamet, por në një vend si Shqipëria, ku humbasin miliarda euro nga gjobat, të kërkosh që të mos ketë reagim, do të thotë se mund të jesh në shërbim të kastës, oligarkisë. Rritja e zemërimit dhe e protestës, afrimi i zgjedhjeve parlamentare, krijojnë rriskun e një ambienti shoqëror të vështirë. Kjo do të ndikojë negativisht. Është shqetësuese. Për shkak të pandemisë kudo në botë, konsumohet më pak. Ekonomia nuk fillon të ngrihet. Më përpara kishte shpërndarje të mirë të të ardhurave. Është bërë e vështirë që të gjesh një punë, nëse s’ke trashëgimi mbështetëse.

Të rinjtë nuk e ndjejnë se e kanë mundësinë, por ndihen pjesë e një realiteti të hidhur se e kanë të pamundur që të bëjnë karrierë në vendin e vetë. Avokat Ngjela duhet të kishte guximin ta pyeste kryeministrin Rama se a shkoi me charter në SHBA?! A takoi një përfaqësues të vaksinës Pfizer?! Kryeministri si Sulltan, ikën me charter kudo. Njerëzit i shohin këto. Një ministër nuk duhet të japë dorëheqjen në rast se vdes një qytetar. Por në 30 vite të tranzicionit është vetëm Rama që zgjedh ministër si gjeneral. Një civil e sheh qytetarin si pjesë të tij. Ka policë që nuk njohin ligjin, por që unë dhe Islami apo të tjerë, janë armiq të partisë. Rama ka krijuar ambientin e sistemit diktatorial. Ambienti social shqiptar, me pabarazinë në rritje, është i mbarsur në një raport të brendshëm.”, tha Malaj.

Duke u ndalur tek lajmi i sotëm ku kreu i shtetit, Ilir Meta nuk e dekretoi buxhetin e 2021-it, duke e kthyer atë në Kuvend, Malaj tha se pajtohet me sensibilitetin e presidentit.

“Presidenti e ka miratuar në heshtje, nuk e ka dekretuar. Në rastin e buxhetit, pushtetin më të plotë e ka maxhoranca. Presidenti bën mirë që ndërgjegjëson qytetarët, atë që nuk e gjen në buxhetin e 2021-it. Pajtohem me sensibilitetin e presidentit, por rruga kushtetuese i jep të drejtë qeverisë.”, pohoi Malaj.

Mes të tjerash ai tha se Rama për inate personale ndaj Metës dhe Bashës, flet gati me një gjuhë rrugaçërore.

“Kemi një qeveri që konsiderohet qeveria e rilindjes së oligarkuar. Ekonomia nuk është artimetikë. e para është se çfarë ndjesie do të krijohet nga kjo pandemi. Rama duhet të kuptonte se është fillimi i fundit të tij politik dhe duhet të lehtësojë situatën. Për të nxjerrë inatin personal ndaj Metës dhe liderit të PD-së Basha, flet me një gjuhë gati rrugacërore. Zonja Merkel nuk e ironizon kurrë rivalin e saj politik, dhe as nuk shkruan në twitter.”, nenvizoi ai.