Vrasja e Klodian Rashës / Gazetari hedh dyshime : Policia e shtetit ka fshehur të vërtetën

290
Sigal

Gazetari i njohur Spartak Koka, në në emision televiziv iu rikthye edhe një herë pikëpyetjeve rreth vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Sipas tij, edhe sot, pas 9 ditësh nga ngjarja, nuk kemi asnjë sqarim mbi shenjat e dhe hematomat në trupin e viktimës.

“Prokuroria dhe Policia duhet të ndërhyjë për shkak të sensiblitetit të lartë të çështjes, që ditën e parë, të dytën, të tretën po themi po sot jemi në të nëntën dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje për shenjat dhe hematomat e viktimës. Nuk ka dhënë asnjë përgjigje për plagën në kokë, sepse është bërë publike. Nuk bëmë publike fotot por faktet janë të pretenduara edhe nga familjarët.

Unë nuk e kuptoj pse nuk është dhënë një sqarim: prokuroria reagoi në ditën e shtatë me një komunikatë që tha kategorikisht nuk është ushtruar dhunë por nuk përcaktoi dëmtimet në trupin dhe fytyrën e viktimës nga se ishin shkaktuar. Atëherë i bie që edhe hematomat të jenë shkaktuar nga mjekët. Kjo do një përgjigje”, tha Koka.

Më tej, gazetari kritikoi Policinë e Shtetit e cila sipas tij brenda 16 orësh nxorri tre komunikata për shtyp me qëllim fshehjen e së vërtetës.

Kjo ka shumë pikëpyetje. Kjo ngjarje mori këtë lloj shqetësimi publik për shkak të tentativës së segmenteve zyrtare të Policisë, unë nuk po them që gjithë policia donte ta fshihte të vërtetën, të segmenteve të caktuara të veshura me gjuhë zyrtare komunikimi për ti dhënë kësaj ngjarje një konotacion tjetër dhe dhe ju nëse e mbani mend, kolegët e mbajnë mend, brenda 12 orëve të para qarkulluan disa versione që vinin nga burime policore që informojnë edhe për operacione të tjera. Djali na paska qenë në “Don Bosko” që është 2 km larg vendit të ngjarjes apo  tjetër që ishte në Unazë e që nuk kishte asnjë lidhje me të vërtetën. Apo kush e mban mend, kurrë nuk ka ndodhur, që policia të sjellë komunikatë paraprake në 03:26 të natës. Mirë që na komunikoi por çfarë komunikoi? Një person që mbante në dorë një send të ngjashëm me pistoletë tentoi të vriste policin por polici u kundërpërgjigj dhe e vrau. Djali nuk ka patur as telefon. Çfarë sendi në rrugë kryesore i është gjetur këtij personi? Në rast se duhej zbardhur e vërteta pse ndërhyri policia me një komunikatë të dytë, në 08:20 të mëngjesit dhe thoshte ‘në vijim të hetimeve për ngjarjen, policia gjeti një pistoletë pranë vendit të ngjarjes’.  Pa përcaktuar kur, ku, si, çfarë dhe përse? Dhe në fund pas 16 orëve kur nisi të ngrihej edhe shqetësimi i familjarëve dhe pikëpyetjet e medias se këtu po fshihej një e vërtetë”, vijoi Spartak Koka.

Në fund, Koka shprehu shqetësimin e tij mbi atë që mund të ndodhë me pistoletën e gjetur rreth 200 metra larg vendit ku u qëllua 25-vjeçari: “Nëse del që do bëjnë ndonjë makinacion me ADN-në kjo nuk do të qetësonte as familjarët, as shpirtin e të vdekurit. Edhe sot ka kohë të mbahet përgjegjësi se kush e vendosi atë pistoletë në një distancë 200 m larg vendit të ngjarjes. Dhe Klodian Rasha në momentin që është qëlluar nuk ka patur me vete asnjë send të ngjashëm me pistoletë”.