Vjollca Meçaj dorëhiqet nga drejtimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit

823
Pas 43 vitesh punë në fushën profesionale të jurisprudencës, Vjollca Meçaj është tërhequr nga pozicioni i Drejtoreshës Ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Meçaj thotë se ajo vet ka kërkuar të dorëhiqet si pasojë e një periudhe të gjatë pune.
“Të gjithë e dimë se jeta ka ligjet e saj objektive dhe ne duhet t’i respektojmë ato. Ajo na jep mundësitë dhe energjitë për të mësuar, punuar dhe vepruar, por këto energji dhe mundësi nuk janë të njejta për gjithë jetën. Nga ana tjetër, është normale që brezat paraardhës të lirojmë hapësirë me qëllim që brezi më i ri të sjellë vlera dhe energji të reja”, shkruan Vjollca Meçaj për kolegët, bashkëpunëtorët dhe miqtë.
Znj. Meçaj ka mbajtur postin e Drejtores Ekzekutive për më shumë se 6 vite, por edhe pas tërheqjes nga ky pozicion, ajo ka thënë se “nuk kam menduar për asnjë çast të ndërpres aktivizmin dhe veprimtarinë time”.
Gjatë drejtimit të Znj. Meçaj, KShH ka kontribuar për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme me anë të monitorimeve që kanë bërë për situatën e burgjeve në Shqipëri, reformat zgjedhore dhe në çeshtjet e drejtësisë si edhe monitorimin e mbarëvajtjeve të zgjedhjeve elektorale.
Sipas njoftimit zyrtar të Komitetit Shqiptar Helsinkit, në këtë pozicion do të vijë Erida Skëndaj, ndërsa Znj. Meçaj është zgjedhur presidente e Bordit të KShH nga Asambleja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Letra e plotë e dorëheqjes 

Të nderuar kolegë, miq dhe dashamirës,
Siç jeni njoftuar, që nga data 1 Prill 2016, unë nuk jam më Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Prej disa muajsh i kisha kërkuar Asamblesë së Përgjithshme të organizatës dorëheqjen nga ky post dhe kohët e fundit ata e pranuan atë. 
Doreheqja erdhi si një kërkesë normale e zhvillimeve të jetës sime dhe pas një periudhe të gjatë pune (më tepër se 43 vjet), të kryer në fushën profesionale të jurisprudencës, si dhe në gjirin e shoqërisë civile. Të gjithë e dimë se jeta ka ligjet e saj objektive dhe ne duhet t’i respektojmë ato. Ajo na jep mundësitë dhe energjitë për të mësuar, punuar dhe vepruar, por këto energji dhe mundësi nuk janë të njejta për gjithë jetën. Nga ana tjetër, është normale që brezat paraardhës të lirojmë hapësirë me qëllim që brezi më i ri të sjellë vlera dhe energji të reja.
Këto ishin motivet e dorëheqjes sime, por ndërkohë dëshiroj t’u bëj me dije se nuk kam menduar, për asnjë çast, të ndërpres aktivizmin dhe veprimtarinë time. Mendoj dhe vlerësoj se kam ende energji dhe ekspertizë për të ofruar, prandaj mbetem e hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe ofrimi të kontributit nga ana ime, veçanërisht për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ju mund të më kontaktoni me të njejtat mjete komunikimi, siç kemi komunikuar deri tani dhe unë do të jem e lumtur të marr pjesë në veprimtaritë tuaja, qoftë me pozicionin e kryetares së Bordit Vendimmarrës së KShH-së, post i cili më është besuar dhe e mbaj aktualisht, ashtu dhe në emrin tim personal. Do të kontribuj, me kënaqësi, sa herë që do të më kërkohet nga ju për çështje dhe fushat që përfshihen në ekspertizën dhe eksperiencën time të gjatë.
Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq, më lejoni që me këtë rast, t’u përcjell falenderimet e mija të sinqerta për mbështetjen dhe respektin që keni treguan ndaj meje, për sadisfaksionin e punës sonë të përbashkët, për realizimin e objektivave që kishim përcaktuar dhe sukseset që aritëm. Jam e lumtur që pata nderin t’u njoh e te bashkëpunoj me ju dhe shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tej, pavarësisht statusit tim të ri, në të cilin ndodhem tani.
Me respekt
Vjollca Meçaj
Sigal