Orlanda Karamuço, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, është bashkëshortja e Genc Kuçuku-t të ProGeen L.L.C., kompani që u shpall fituese në konkursin për Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, projekt që shërbeu për zhvendosjen e institucionit dhe lirimin e truallit për kulla, duke nxjerrë hapur një konflikt interesi në zemër të zhvillimit të territorit…
Një konkurs ndërkombëtar arkitekture, i prezantuar si vizion për “hapësira moderne” dhe “drejtime të reja për të ardhmen”, vulosi sot në fakt një nga zhvendosjet më të ndjeshme sociale dhe urbane të kryeqytetit: largimin e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” nga vendi ku ka qëndruar për dekada, në zemër të Tiranës.Korporata e Investimeve Shqiptare ka shpallur zyrtarisht garën për projektimin e “Shtëpisë së re të Fëmijëve” dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore, një zhvillim që do të ndryshojë funksionin e një prej parcelave më të ekspozuara të kryeqytetit. Në të njëjtën hapësirë ku prej vitesh kanë jetuar fëmijë pa kujdes prindëror, pritet të hapet rruga për një tjetër cikël zhvillimesh urbane, në vijimësi të modelit të transformimit të qendrës me kulla dhe struktura shumëfunksionale, përballë edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Në garë janë përfshirë pesë ekipe finaliste, ku studio të mëdha ndërkombëtare kanë vënë firmën e tyre krah kompanive shqiptare që do të kenë në dorë zbatimin real të projektit. Carrilho da Graça nga Portugalia konkurron së bashku me Diagonal Projektim & Zbatim dhe ASL sh.p.k; CEBRA nga Danimarka është lidhur me BE-IS sh.p.k, LOFT Architects dhe Superflex Studio; Stefano Boeri Architetti dhe GROSS. MAX nga Italia garojnë në partneritet me Smart Studio, AEI Progetti, Koni Costruzioni dhe degën shqiptare Gruppo Koni; Rojkind Arquitectos nga Meksika ka krijuar ekip me Son Engineering & Construction, ASAB sh.p.k, Motus dhe arkitektin Julian Kasharaj; ndërsa bashkëpunimi i pestë përfshin Carrilho da Graça Arquitectos, Diagonal Projektim & Zbatim dhe ASL sh.p.k. Në të gjitha rastet, janë pikërisht shoqëritë shqiptare ato që mbajnë peshën e vёrtetё, ndërsa emrat ndërkombëtarë i japin projektit si zakonisht vetёm vulën e prestigjit arkitekturor.
Vendimmarrja për fituesin do të bëhet nga një juri e quajtur ndërkombëtare, por qё kryesohet nga aktorë administrate duke e vendosur procesin nga vizioni urbanistik nё atё politik.
Anёtarёt e tjerё tё jurisё qё do bёjё pёrzgjedhjen janё: Elira Kokona, Ermir Arlati, Adelina Greca, Adelajda Roka, Simona Malvezzi, Wilfried Kuehn, Reinier de Graaf, Simon Battisti.
Siç raporton “Pamfleti”kompania që u shpall fituese në konkursin për Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, wshtw e lidhur me Orlanda Karamuço drejtoreshë e AZHT, pasi ‘ProGeen’ shpk e bashkëshortit të saj u shpall fituese në truallin e Shtëpisë së Fëmijëve.
Kullat ‘hedhin’ në plan të dytë fëmijët
Por përtej pompozitetit tё prezantimeve, askush nuk pyeti: çfarë do të ndodhë me fëmijët që prej vitesh kanë jetuar në Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”? Afërsia e institucionit me qendrën e qytetit ka bërë që ndër vite problematikat, rastet e abuzimeve dhe mungesat në sistemin e kujdesit të jenë më të dukshme për publikun dhe median. Zhvendosja e tyre drejt një zone më pak të ekspozuar mund të sjellë ambiente të reja mё tё rehatshme, por rrezikon t’i largojë nga vëmendja publike, duke e bërë më të vështirë monitorimin e mënyrës si trajtohen.
Në të njëjtën kohë, parcela që lirohet në një nga pikat më strategjike të Tiranës fiton potencial të ri zhvillimi ndërtimor, duke ushqyer perceptimin se projekti i ri për fëmijët mё shumё si njё çështje sociale siҫ reklamohet, ёshtё nё fakt hapja e rrugёs për kёmbimin e rradhёs shtet – ndёrtues privat, me dёshmitar kёtё herё Ambasadёn e Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs.
Konkursi pritet të vijojë me përzgjedhjen e projektit fitues, ndërsa sot u prezantuan publikisht ekipet që garojnë për të projektuar atë që quhet “Shtëpia e re e Fëmijëve”. Në skenë u fol për vizione urbane, për arkitekturë ikonike dhe për prestigj ndërkombëtar. Por në themel të këtij projekti, përtej fjalëve të mëdha, duhet të qëndrojë gjithmonë siguria, mirëqenia dhe edukimi i fëmijëve që sot jetojnë nën kujdes shtetëror.Ironikisht, këto kushte mund të ishin përmirësuar edhe pa i zhvendosur ata nga vendi ku kanë jetuar për dekada. Rijetëzimi – fjala e preferuar e Korporatёs sё Investimeve – mund të kishte nisur pikërisht aty ku ndodhet sot Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli”: duke e modernizuar, duke e pajisur me standarde bashkëkohore dhe duke garantuar transparencë e mbikqyrje publike, me kosto më të ulët sesa një projekt i ri që nis me një konkurs “ndërkombëtar” pompoz.Në vend të kësaj, fëmijët pritet të zhvendosen, ndërsa parcela e liruar në zemër të Tiranës hyn në ciklin e zakonshëm të transformimit urban, ku vizioni arkitekturor dhe interesat e zhvillimit ndërtimor ecin paralel. Dhe kështu, mes premtimeve për një “shtëpi të re”, mbetet të shihet nëse kjo histori do të kujtohet si një hap përpara në kujdesin ndaj fëmijëve më të pambrojtur, apo si një tjetër kapitull i rindërtimit të qendrës së qytetit, këtë herë me jetimët si dëshmitarë të heshtur të ndryshimit.






















