Vijon situata problematike nga reshjet e dëborës në Skrapar, 4 fshatra pa drita prej më shumë se 2 ditësh, në disa rrugë malore kalohet vetëm me zinxhirë

224
Sigal

Vijon të jetë problematike situata nga reshjet e dëborës në Skrapar. Reshjet e pandërprera gjatë gjithë natës kanë shkaktuar probleme me lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Ndërkohë që rruga nacionale Berat-Skrapar është e kalueshme, rrugët drejt fshatrave Potom, Baçkë, Leshnje, Gradec, Çukë dhe Qafë-Dërvi kalohen vetëm me zinxhirë.

Burime nga Shtabi i Emergjencave bëjnë me dije se në këto rrugë është duke u hedhur kripë për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në këto akse. Dëbora ka shkaktuar edhe dëmtime të rrjetit të energjisë elektrike, ku për shkak të dëmtimit të fidrit elektrik të fshatit Potom, prej më shumë se 48 orësh janë pa drita 4 fshatrat Leshnje, Gostenc, Kushovë dhe Faqekuq. Sipas konstatimeve në zonë, rruga më e vështirë për të qarkulluar është rruga Kapinovë-Tomorr, rruga drejt Teqesë së Abaz Aliut dhe rruga drejt fshatit Novaj.